E Diel, 1 Nëntor 2026

Një piktore e frymëzuar nga Sharl Bodler

 

Alma Mile

Gruaja është në qendër të gjithçkaje. Është ajo që i jep kuptim gëzimit, trishtimit, ëndrrës... Ajo krijon nga vetja, një perëndeshë në llojin e saj. Për piktoren italiane Donatella Aurora Serritella, qysh në kohërat antike gruaja ishte qendra e botës, ndaj dhe ajo e fikson në qendër të shumicës së saj. Është gruaja në të gjitha përjetimet emocionale. E lakuriqtë, në kërkim të vetvetes, që për piktoren është qëllimi më i madh i botës. Dje në mbrëmje, pranë Galerisë së Akademisë së Arteve, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës hapi ekspozitën në gravura, “Ëndrra produktive”. Sapo afrohesh pranë galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore, FAP, të zë syri afishen e ekspozitës. Pranë titullit të saj, është edhe emri i piktores. Jo më Donatella Aurora Serritella, por Zhorzh Sand. Ajo shpjegon se huazimi i emrit të shkrimtares feministe franceze, nuk lidhet drejtpërdrejtë me Sandin, por me Sharl Bodlerin, që duket se është idhulli i saj. Kur zbuloi lidhjen mes Bodlerit dhe Sandit, Serritella, vendosi të marrë emrin e shkrimtares. Pas fillimeve në pikturë, iu “dorëzua” gravurës, që për të është një aventurë më vete, por që i jep dorë për t’u shprehur, për t’i dhënë formë imazhit dhe jetë shpirtërores.
Pa parë ende punët tuaja, ajo që të tërheq vëmendjen menjëherë, që në hyrje të ekspozitës, është emri juaj i artit, pse kjo zgjedhje?
Duhet ta pranoj që me Zhorzh Sandin kam shumë gjëra të përbashkëta, si stili i jetës, apo mënyra e të jetuarit, por ajo që më ka afruar më shumë me të, ishte zbulimi që mes saj dhe Sharl Bodlerit, raporti nuk ka qenë konfliktual, siç është prezantuar gjithnjë. E dua thellësisht Bodlerin. Duke thelluar njohurinë mbi jetën e Sandit, shkrimet, pashë që konflikti ishte një lloj maske, një arsye për të mos justifikuar, në një lloj mënyre, atë që i lidhte thellësisht dhe që nuk ishte një dashuri pasionale, por më shumë një tërheqje intelektuale. Dhe zgjedhja për të “adoptuar” emrin e Sandit ishte një mënyrë për të afruar këta dy personazhe, duke qenë se Bodleri jeton me mua çdo ditë.
Sa ka ndikuar Bodler në krijimtarinë tuaj?
Ka ndikuar në mënyrë thelbësore. Ka frymëzuar shumë nga punët e mija. Gjatë jetës së tij ai ishte në kërkim të vazhdueshëm të përgjigjeve. Kuptova se ky lloj kërkimi duhej vazhduar, duhej thelluar. Frika e tij ishte që në momentin e konkluzionit do të hapej një teatër bosh, por në të vërtetë, duhet të ribesojë në gjetjen e përgjigjeve.
Shumë punë i keni titulluar Sogno-Ëndërr, përse?
Ëndrra duket si një vend i përbashkët, por që i lejon njerëzimit të marrë disa drejtime. Do të doja që kjo ëndërr të mos ishte e kotë, e vakët, por kërkimi i vetvetes, që është investimi më i madh i njerëzimit.
Cila është ëndrra juaj më e madhe?
Është të njoh me të vërtetë veten dhe kjo nuk është e thjeshtë.
Ekzistenca e gruas në qendër të punëve tuaja është shenjë feminizmi?
Gruaja përfaqëson anën më poetike në art. Qendra e besimit të krishterë, është një grua, Maria, pastaj po të zbres më në antikitet tek Nëna Tokë, tek ajo që ka mundësi të gjenerohet nga vetvetja. Ndërkohë që subjekti femëror është gjithnjë i preferuar nga artistët. 
Shoh se disa punë janë me karakter biblik, pse ky frymëzim?
Bibla është libri i librave, siç është Dante shkrimtar “par excelence”. Kështu që është e pamundur të mos frymëzohesh nga një libër, që është pjesë e kulturës së të gjithëve dhe është një lloj detyre të njohim të paktën diçka. Në studion time janë katër punë që janë frymëzuar nga Dhiata e Vjetër, nga pjesa e Zanafillës, që lidhen me Edenin, Kainin, Lilian, Juditën, që i kam realizuar gjatë periudhës së verës dhe të vjeshtës.
Përse hoqët dorë nga piktura për t’u marrë me gravurën?
Kam realizuar edhe piktura, por gravura është bërë një lloj aventure që më ka mbërthyer tërësisht dhe nuk besoj se do heq dorë. E bardha dhe e zeza plotësojnë njëra-tjetrën. E zeza i jep jetë imazhit, ndërsa e bardha i jep frymëmarrje shpirtërores. Në teknika të ndryshme të gravurës kjo është shumë efikase dhe e gjallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›