E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, qeveria Karamanlis në ‘grackë’, protestat dyfishohen

 

Ndërsa në Greqi protestuesit kundër vrasjes së një 15-vjeçari kanë dalë në shesh, duke u përleshur për të pestën ditë radhazi me policinë, një tjetër grevë ka paralizuar vendin, duke i dyfishuar telashet për qeverinë Karamalis. Punonjësit e sektorit publik kanë shpallur grevë një ditore, duke protestuar kundër politikave ekonomike të qeverisë. Fluturimet brenda dhe jashtë aeroportit në Athinë janë anuluar, ndërsa transporti publik është prekur ndjeshëm. Megjithatë, krahasuar me protestat e vrasjes së djaloshit nga policia, pjesëmarrja në këtë grevë para Parlamentit ishte më e ulët. Sindikatat parashikuan që dhjetëra mijëra persona të bashkoheshin me ta në betejën për rrëzimin e qeverisë. Ndërkohë, nuk po ‘sheh’ fund dhuna e të rinjve, që protestojnë kundër vrasjes së 15-vjeçarit, Alexander Gripolus, që u përcoll nga rreth një milion njerëz dje për në banesën e fundit. Qindra të rinj sulmuan policinë me gurë në Athinë. Por probleme ka pasur edhe në qytetet veriore të Selanikut dhe Kavallës. Protestuesit në Athinë hodhën bomba molotov dhe sulmuan policinë në afërsi të kompleksit kryesor të gjykatës së qytetit, ku janë paraqitur dy policët e akuzuar për vrasjen e adoleshentit. Incidenti i të shtunës nxiti protestat, që kanë paralizuar Athinën dhe disa qytete greke për më shumë se katër ditë. Si kryeministri Kostas Karamanlis ashtu edhe udhëheqësi socialist i opozitës, Jorgo Papandreu bënë thirrje për qetësi, por nuk janë përfillur nga turmat, që kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë. Ndërkohë, avokati i dy policëve të akuzuar tha se analizat paraprake të plumbit tregojnë se djali u vra nga një rikoshetë e plumbit dhe jo drejtpërdrejt. Oficerët e policisë kanë deklaruar se po qëllonin në shenjë paralajmërimi. Sipas analizave, plumbi i gjetur në kraharorin e djaloshit, i cili i mori jetën atij, ishte i deformuar, që do të thotë se plumbi ka hasur në një objekt të fortë përpara se të prekte 15-vjeçarin. Athina, por edhe qytetet e tjera janë prekur nga shkatërrimet dhe plaçkitjet, dëmet e të cilave përllogariten në 1 miliard euro. Numërohen rreth 500 dyqane dhe 100 banka të shkatërruara në të gjithë vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›