Sindikata, rezolutë për etikën në media
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë” organizoi dje konferencën: “Kodi etik i medias shqiptare” në përballje me agresionin e fjalorit pa etikë”. Konferenca e parë e këtij lloji u organizua si një akt i përbashkët reagues ndaj kërkesave për përmirësim të etikës dhe risjellje në vëmendje të komunitetit të gazetarëve profesionistë të vendit të nevojës për respektim dhe njohje të “Kodit etik të medias shqiptare”. UGSH, editorët e shtypit të shkruar, analistë dhe publicistë të investuar nënshkruajnë në mbështetje të kësaj nisme Rezolutën: “Kodi Etik i medias shqiptare në përballje me agresionin e fjalorit pa etikë”. Nënshkruesit e kësaj rezolute:
Ftojnë në mbështetje të kësaj nisme gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë, drejtuesit dhe editorët e mediave shqiptare kombëtare dhe lokale, gjithë kategoritë profesionale dhe bashkëpunëtorët e tyre në informimin e publikut.
Ata apelojnë ndaj përfaqësuesve të shprehjes publike të respektojnë kudo dhe kurdo rregullat e komunikimit etik dhe kodet etike e morale të shprehjes. Gjithashtu kërkojnë që Këshilli i Etikës (dhe organet e tjera që mbrojnë dhe përgjigjen për normat etike ne media), i cili është nënshkruar me vullnetin e përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve, të jetë aktiv në mënyrë të përhershme.