E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i dritave,PS përplaset me Priftin

 

Dy deputetët e PS-së, Olta Xhaçka dhe Shegush Ligori, së bashku me përfaqësues të opozitës protestuan para Ministrisë së Energjetikës kundër rritjes së energjisë elektrike. “Ministri Prifti, i cili tjetër premton e tjetër bën, është përgjegjës për barrën e shtuar që do rëndojë në kurrizin e familjeve shqiptare.
Pasi kjo qeveri gënjeu për OSSH-në, gënjeu për ARMO-n, së fundmi gënjeu shqiptarët edhe për premtimin e pambajtur, për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike, propozim të cilin z. Prifti dhe ministria që ai drejton nuk e kanë kontestuar aspak”, tha Xhaçka. Ajo theksoi se “si gra e si familjare, i bëjmë thirrje Z. Priftit, t’i bëj apel arsyes, sepse nuk mund t’u shtojë vuajtjet shqiptarëve në kohë festash e në kohë krize, në vendin më të varfër në Evropë, kur çmimi i energjisë ka rënë dhe nuk mund t’u shitet njerëzve shumëfish”. Nga ana e tij, ministri Prifti ka reaguar duke theksuar se nuk e ka dikasteri i tij kompetencën për rritjen e çmimit. “Sharjet e shpifjet nuk janë rruga për të bërë opozitën. Enti Rregullator i Energjisë ka kompetencën për të vendosur për rritjen ose jo të çmimit të energjisë. Qeveria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin në rastin e rritjes dhe për këtë në buxhetin e 2010 janë parashikuar 2 miliardë lekë”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së ministrit, Matilda Merxhani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›