E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e titullit Skenderbeu pret trofeun

Rikthehen në mesjavë ndeshjet e Superligës, për javën e 32 të saj dhe për Skënderbeun është koha të mbyllë llogaritë për titullin. Korçarët kanë marrë përgjigjen e shpresuar nga Komisioni i Disiplinës dhe tani një fitore me Elbasanin në Korcë, i dorëzon matematikisht titullin kampion, duke qenë se diferenca me Flamurtarin është 4 pikë.

Verdheblutë të dorëzuar prej kohësh, nuk mund të jenë pengesë për bardhekuqtë, që në shtëpi njohin vetëm fitore. Flamurtari pothuaj ka hequr dorë nga titulli, koshient për atë që ndodh kur diferenca është 4 pikë, por edhe në Loro Borici përballë Vllaznisë nuk do ta ketë të lehtë.

Laci pa objektiv është shpresa e madhe e Besës për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme për mbijetsë. E në fakt luhet vetëm për zonën e ftohtë, pasi të gjitha verdiktet e tjera janë shënuar. Shkumbini, i parafundit pret në Peqin Kastriotin.
39 pikët e krutanëve janë një farë garancie, por bardhekaltrit kërkojnë me cdo kusht fitoren për të shpresuar një shpëtim in-extremis. Në vorbullën e zbritjes një kategori më poshtë është edhe Dinamo.

Kampionët në fuqi presin në shtëpi Teutën, që ashtu sic ka bërë llogaritë, është e kënaqur edhe me një pikë. Bregdetarët vijnë nga suksesi kundër Shkumbinit, ndërsa janë me 38 pikë në kuotë të njëjtë me blutë.

Tirana mund të jetë trampoline për Bylis, ose të paktën kështu shpresojnë mallakastriotët. Një ndeshje ku skuadra e Canajt prêt tolerancën e kryeqytetasve, por edhe nëse luhet fort, ballshiotët janë gati, për të qenë në garë deri në javën e fundit.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›