E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e zemerimit ne Jemen. Marshim ne perkujtim te 24 viktimave

Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Jemenit në një marshim të ri të quajtur “Dita e Zemërimit”, në përkujtim të 24 personave të vrarë në protestat kundër regjimit 30-vjeçar të presidentit Ali Abdullah Saleh. Ky i fundit, një aleat i amerikanëve në luftën kundër krahut të Al Kaedës në Jemen, ka dështuar në përpjekjet për të qetësuar protestat në vendin, ku gjysma e popullsisë 23 milionëshe mban armë dhe 40 për qind jetojnë me 2 dollarë në ditë.

Protestuesit janë të zemëruar me korrupsionin e shtrirë gjerësisht në vend, ndërsa edhe vendet e punës shiten e blihen. Papunësia mes të rinjve është mjaft e lartë. Nga ana tjetër ekzistojnë edhe problemet politike me rebelët shiitë në veri dhe separatistët në jug që kërkojnë përfaqësim më të madh në qeverisje.

Vetë Saleh ka takuar liderët tribalë dhe ushtarakë për të fituar mbështetje, por për shkak të burimeve të naftës dhe të ujit në tharje e sipër, qeveria e tij nuk është më në gjendje të paguajë mjaftueshëm për të pasur këtë mbështetje.
Opozita ka refuzuar të ulet në bisedime për formimin e një qeverie të re, duke mbajtur anën e protestuesve. Marshimi i sotëm vjen pasi Saleh kishte akuzuar më herët Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po komplotojnë për trazirat që kanë përfshirë botën arabe.

Në një fjalim në Universitetin e Sanaas, Asleh akuzoi drejtëpërdrejt Uashingtonin se po kontrollon destabilizimin e rajonit përmes Tel Avivit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›