E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita kombëtare e Kinës, Shqipëria vetëm delegacion diplomatik

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pekin, 1 tetor 1966 – Më shumë se 50 diplomatë nga blloku i vendeve sovjetike u larguan nga parada e ditës kombëtare të Mamuthit në Pekin në shenjë proteste ndaj akuzës se Rusia po komplotonte me Shtetet e Bashkuara kundër Vietnamit. Diplomatët prorusë u larguan së bashku me gratë e tyre që i shoqëronin. Një akuzë e tillë e Kinës erdhi gjatë fjalimit që mbajti për nder të festës ministri i Mbrojtjes, Lin Biao, numri 2 i hierarkisë së Partisë Komuniste Kineze që udhëhiqet nga kryetari Mao Ce Dun. Lin Biao tha përpara një turme prej 1.5 milion kinezësh të mbledhur në qendër të Pekinit se SHBA-ja dhe Rusia “po bashkëpunojnë në fshehtësi duke minuar negociatat e paqes me qëllim shuarjen e flakëve të luftës kombëtare revolucionare të popullit vietnamez kundër pushtimit amerikan”.

Qëndrojnë disa

Të vetmit diplomatë komunistë që nuk lëvizën nga vendet e tyre gjatë paradës, pas deklaratës së Biaos, ishin delegatët nga Rumania, Kuba, Vietnami Verior, Koreja e Veriut, Jugosllavia dhe Shqipëria. Në paradë morën pjesë rreth 2 milionë Roje të Kuqe, duke shënuar kështu përvjetorin e 17 të Republikës Popullore të Kinës. Parada udhëhiqej nga 5000 ushtarët me pushkët në njërën dorë dhe broshurat e kuqe me citimet e Maos në dorën tjetër. Kjo ishte hera e parë që ushtarët merrnin pjesë në paradën e 1 tetorit që prej vitit 1959.

Parakalon dhe statuja e Maos

Më pas parakaloi një statujë prej allçie 8 metra e lartë e Maos me krahë të hapura, që u pasua nga bustet e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit dhe librat e tij. Ndryshe nga ovacionet që nuk reshtën në asnjë moment të vetëm në paradën e vitit të shkuar, 1 tetori i sivjetshëm u shoqërua nga momente të ndryshme heshtjeje veçanërisht gjatë fillimit të paradës. Pasi parakaluan dhe bustet, sheshi ishte i gjithi për pionierët e Rojeve të Kuqe, të cilëve iu deshën plot katër orë për të parakaluar përpara ballkonit të lartë të Portës së Tien An Menit nga ku i vështronin zyrtarët vendas dhe delegatët e huaj. Shumica e Rojeve të Kuqe tundnin broshurat e kuqe ndërsa të tjerë mbanin në duar portrete të Maos. Rojet gjatë kësaj kohe ishin shpërndarë në të gjithë vendin për të përhapur Revolucionin Kulturor Kinez. Në qendër të vëmendjes së kësaj dite ishte Maoja dhe filozofia e tij, por dhe vendosmëria e Kinës për të çuar deri në fund Revolucionin Kulturor dhe luftën ndaj revizionizmit sovjetik. “Ne duhet ta kthejmë të gjithë vendin në një shkollë mendimi të Mao Ce Dunit”, - deklaroi gjatë fjalës së tij Lin Biao. Kina, - tha ai, - ishte përgatitur për të vazhduar luftën kundër imperializmit amerikan dhe larove të tij dhe luftën kundër revizionizmit modern me udhëheqjen e Partisë Komuniste Sovjetike në qendër të saj deri në fund. Agjencia e Re Kineze e Lajmeve tha se populli i mbledhur në shesh e brohoriste Maon si “dielli më i zjarrtë i zemrave tona” ndërsa kthenin sytë nga ai “si luledielli që e kthen fytyrën gjithnjë nga dielli”. Si Maoja ashtu edhe Lin Biao dukeshin shumë në formë dhe gëzonin shëndet të plotë, - shtoi agjencia. Pavarësisht kërkesës së Rojeve të Kuqe, Maoja nuk foli. Kësaj radhe ishin vendosur vetëm flamuj të kuq, ndryshe nga vitet e shkuara kur rruga e paradës dekorohej me flamujt shumëngjyrësh. Me kthimin e trupave ushtarake kineze i vihej theks më i madh fuqisë ushtarake se në të shkuarën. Fotografi të mëdha të Maos me uniformë u botuan në faqet e para të gazetave të Pekinit, ndërsa një tjetër nga tetë faqet e gazetave ishte mbuluar nga fotot e mëdha të tri provave bërthamore të Kinës. Mao ishte veshur civil, me tunikën tradicionale kineze të kopsitur deri në fund ngjyrë blu në gri, ndërsa përshëndeste turmën me dorë, por shumica e udhëheqësve përkrah tij kishin uniformë ushtarake. Mao iu rikthye sheshit Tian An Men ditën e sotme për një shfaqje spektakolare fishekzjarrësh. Ai u përpoq që të futej mes turmës në shesh, por u rrethua menjëherë nga njerëzit dhe u detyrua të largohej pas disa minutash. Ata që u mungonin festimeve të sivjetshme të këtij përvjetori ishin grupet e kërcimit të minoriteteve kombëtare vendase dhe kontingjentet e zakonshme të murgjve budistë dhe përfaqësuesve të komunitetit kristian dhe mysliman. Rreth 1600 të ftuar të huaj nga 70 vende morën pjesë gjatë festimeve. Shumica e tyre ishin “delegacione miqësie” nga vende të ndryshme afroaziatike dhe grupe të vogla, thanë burime zyrtare. Dita Kombëtare e Kinës u festua për herë të parë pa pjesëmarrjen e delegacioneve qeveritare të partive komuniste të vendeve të tjera. Gjatë një banketi të mbajtur të premten në mbrëmje, kryeministri Çu En Lai paralajmëroi Kombet e Bashkuara që të mos ndërhynin në çështjen e Vietnamit. Një mungesë që vihej re në banketin e madh shtetëror ishte ajo e kreut të shtetit, Liu Shao Çi. Ai tashmë ishte numri 8 i hierarkisë kineze dhe shfaqjet e tij publike ishin bërë gjithnjë e më të pakta. Ndërkohë, javën e fundit shkrimtari kinez Lao She u gjet i vetëvrarë në Hong-Kong, për shkak të presioneve të Rojeve të Kuqe”,- shkruante gazeta “Hong Kong Star” ditën e sotme. I njohur në vendet perëndimore me librin “Rickshaw Boy” dhe romane të tjera të shkruara përpara pushtimit komunist të Kinës, Lao, 67 vjeç, drejtonte një bazë të Komiteteve Kulturore Komuniste në atë kohë nën emrin e tij të vërtetë, She She Je. “Hong Kong Star”, e cila botohet në anglisht nuk e përmendi burimin e lajmit, por tha se Lao ishte hedhur nga tarraca e një ndërtese në Pekin. Ka pasur informacione të vazhdueshme jashtë Kinës se Rojet e Kuqe e kanë akuzuar vazhdimisht shkrimtarin për shkrimet e tij antiparti dhe kundër Mao Ce Dunit.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›