E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Rakipi: Debati si ndeshje në një stadium me tifozë ndërkombëtarët

Autori i Lajmit: S. Topi

Ylli Rakipi, drejtor i gazetës “Albania”

“Zgjidhni krizën para ardhjes sime”. Si e komentoni këtë deklaratë të zotit Fule? Është ky një paralajmërim për masa konkrete më pas?
Ndërkombëtarët prej kohësh kanë dhënë mesazhet e tyre, të cilat mund të ndikojnë në proceset integruese. Edhe ky paralajmërim nuk është një shenjë e mirë. Është një ogur i keq që shkon kundër proceseve, ideve që ka Shqipëria drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Çdo vonesë në këto momente do të ishte një fatalitet shumë i madh për shqiptarët.

A ka një duel mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të fituar mbështetjen e ndërkombëtarëve?
Pyetja juaj është shumë e drejtë. Kjo është bërë si beteja në një stadium, ku të dyja palët përpiqen të fitojnë sa më shumë interesin ndërkombëtar. Të pjesëtojnë qoftë edhe votat e Parlamentit Evropian, kush do të ketë më shumë apo më pak. Të gjitha këto bien ndjesh me interesat e këtij vendi. Duhet të themi se ka shumë vjet që klasa politike shqiptare shet interesat e vendit, shet gjithçka për interesa të çastit, interesa politike të njërës apo tjetër forcë politike.

Kriza politike në Shqipëri a mund të sjellë ndarjen e qëndrimit të ndërkombëtarëve apo do të ketë një unifikim përfundimtar të qëndrimit të tyre?
Pozicionimi i liberalëve pro hapjes së kutive, për shembull, është një moment i rëndësishëm, sepse realisht nuk e kuptojnë se si një proces kaq i zakonshëm stopohet, ndalohet që të mos kryhet, të mos hapen kutitë. Kjo është një dukuri shumë e rëndësishme për demokracinë. Demokracia mbahet me kolonat e ligjit, por edhe tek transparenca. Transparenca është një nga momentet më të rëndësishme të këtij sistemi. Është momenti që e dallon nga çdo sistem tjetër. Në këtë pikëpamje, perëndimorët nuk e kuptojnë këtë gjë, sipas tyre, është një moment që duhet të ketë transparencë të plotë, domethënë të majtët në këtë rast që janë aleatë të drejtpërdrejtë të Partisë Socialiste, por në këtë moment edhe liberalët.

Të dielën mbërrin në Tiranë një tjetër delegacion i PE-së për vizat. Do ta marrë Shqipëria notën pozitive për plotësimin e kushteve?

Unë mendoj se Shqipëria ka bërë hapa mjaft të mirë në drejtim të përmirësimit të elementëve për liberalizimin e vizave. Ka pasur një interes mjaft të madh të qeverisë dhe të institucioneve për të realizuar të gjitha objektivat sa më parë këtë moment që shkonte në interes të vendit, por sigurisht, dhe në interes të qeverisë.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›