E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i turnesolit për Shqipërinë

Nga Orhan ZARSHATI
Turnesoli është një mjet prove në kimi(test), e cila ngjyroset në të kuqe kur futet në acid, dhe blu kur futet ne alkalinë. Me këtë titull analizon në shkrimin e saj, një analiste turke, problemet që kanë dal që tani, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Këtë herë, zgjedhjet parlamentare kanë tërhequr më tepër se herët e tjera vëmendjen e ndërkombëtare, mbasi Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s, ka nënshkruar MSA-në si dhe aplikoi për anëtarësim në BE. Ndërkombëtarët janë më të shqetësuar këtë radhë, mbasi përsëri dhe më shumë se herët e tjera, gjendja politike në vend është e acaruar, sidomos ndërmjet dy rivalëve kryesorë PD e PS, por edhe me partitë e vogla, që sillen rrotull të mëdhave me anë koalicionesh, ose pa bërë pjesë në to. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë sfida kryesore për Shqipërinë, në terma të pranimit të saj në BE, nënvizon analistja turke. Gjatë fjalës së saj, më 20 maj, drejtoresha e Misionit USAID për Shqipërinë, Roberta Mahoney, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve si kushti primar për avancimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Por a do tia arrihet kësaj  këtë herë?, vë në dukje analistja turke.       Natyrisht, duke qenë se zgjedhjet janë një test i rëndësishëm, ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme, pa manipulime, të cilat nuk na janë ndarë asnjëherë gjatë gjithë kohës së tranzicionit të gjatë dhe të dhimbshëm, thonë analistët dhe opinionistët tanë në çdo paraqitje televizive me politikanët e partive të ndryshme dhe të bindjeve të ndryshme. Ata bëjnë analiza tepër të sofistikuara, kur tashmë dihet fare mirë nga të gjithë se maloku nuk i zbret kurrë me dashje kalit, ndërsa kondotieri i përçmon të gjithë, të vjetër e të rinj, dhe mendon vetëm për pasurimin dhe lavdinë e vet. Si lideri demokrat, ashtu dhe ai socialist, megjithëse thonë e bëjnë be e rrufe se natë e ditë rrojnë me idetë e demokracisë perëndimore, përsëri që të dy, për shkak të trashëgimisë komplekse botëkuptimore, janë larg me sjellje e veprime nga demokracia perëndimore, dhe as që mund të jenë liderë in political fashion me kërkesat e demokracisë perëndimore. Në të njëjtën ditë, që u prononcua Mahoney, mbajti një fjalë të veçantë edhe ambasadori i OSBE-së, në Tiranë Robert Bosch. Edhe ai vlerësoi rëndësinë e zgjedhjeve dhe tha se, Që unë shpresoj të jenë të ndershme dhe transparente, përmend analistja turke. Po ku duan tia dinë tiranozaurët e politikës shqiptare! Tandemi, që ata kanë formuar, mendon e vepron vetëm për pushtet, për asgjë tjetër. Çdo program që ata paraqesin për përparimin e vendit më të varfër të Evropës e ka fort të dukshëm shtamin e pushtetit, etjes së pakufishme për të. Natyra njerëzore është e çuditshme, kur je ngjitur fort lart, të tjerët të duken si miza. Arrivisti, kur ia arrin qëllimit nuk pyet më për njeri. Madje edhe këshilltarin, që e ka pranuar vet, kur ky i jep këshilla të dobishme, por që atij i duken të papranueshme, fillon ta shikojë me dyshim dhe si paranojak që është, e konsideron armikun e vet! BE i ka bërë thirrje Shqipërisë, të mbrojë e të ruajë pavarësinë e zgjedhjeve, transparencën, efiçiencën dhe përgjegjësinë e tyre. Blloku i 27 vendeve anëtare të BE-së, ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të dialogut politik ndërmjet partive me të mëdha politike, por edhe të partive të tjera në Shqipëri. Partitë e mëdha politike duket sikur mbaruan me paraqitjen e listave të kandidatëve për deputetë(ato po bëjnë ndryshime, mbasi listat nuk e kanë plotësuar standardin e përfshirjes së 30 për qind të grave në to), që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme. Listat kanë ngjallur debate e pakënaqësi të mëdha, çka do të kenë ndikimet e veta në rezultatet e zgjedhjeve. Me 400 vëzhgues të OSBE-së, që do të monitorojnë zgjedhjet, shto dhe 100 të tjerë që do të shpërndajë BE-ja, dëshmojnë qartë përkushtimin evropian për Shqipërinë dhe fatin e zgjedhjeve në vendin tonë. Fakti, që këta monitorues të OSBE-së, vijnë 50 ditë para zgjedhjeve, tregon se ndërkombëtarët interesohen për Shqipërinë dhe se shqetësohen për mbarëvajtjen e tyre, nënvizojnë analistët e politikës. Në demokraci fjala dhe mendimi duhet të thuhen dhe të shprehen lirisht pa asnjë shtrëngim, por në vendin tonë ende nuk ka një liri të plotë në këtë drejtim, çka është vënë në dukje edhe nga organizmat ndërkombëtare që kryejnë monitorime në këtë drejtim. Tani në prag të zgjedhjeve, kur ka shumë të pavendosur se çfarë krahu politik duhet ti përmbahen, si dhe shumë shtetas që nuk duan të marrin pjesë në votime, politikës i bie barra të mos bëjë propagandë elektorale të egër, por të zhvillojë dialogun e dobishëm politik në mes partive, çka u nënvizua edhe më lart dhe çka vihet si kusht edhe nga ndërkombëtarët. Por, përsëri jemi të detyruar të themi me dëshpërim: A do të arrihet kjo? Për zgjedhjet çdo gjë dihet, edhe manipulimet më të stërholluara nuk i shpëtojnë syrit të popullit, prandaj është pikërisht ky që nuk duhet të rrijë duarkryq, por ti krijojë shansin vetes, që të mos i vidhet vota, por ajo të shkojë aty ku ai e kërkon ti shkojë. Procesi i zhvillimit të drejtë dhe normal të zgjedhjeve, brenda të gjitha normave të ligjëruara nuk ka nevojë për asnjë koment, siç edhe u përmend më lart, mjafton të jetë i qëndrueshëm vullneti politik, në radhë të parë i partive, por pa lënë mënjanë në asnjë çast edhe atë të popullit, sepse në fund të fundit është ai që ai voton dhe po ai duhet ta mbrojë votën e vet.

Last Updated on Saturday, 23 May 2009 14:31

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›