E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata "Mbrojtja e të Drejtave Civile", 11 pyetje Berishës rreth korrupsionit qeverisës

Gjatë këtij viti elektoral, Kryeministri Sali Berisha e ka kthyer në praktikë pune reklamimin e arritjeve të pretenduara prej tij si dhe synimet e tij personale në qeverisje. Në reklamën e parë televizive të para disa muajve, ku Berisha publikonte numrin e tij celular me qëllim që qytetarët ti denonconin drejtpërdrejt korrupsionin që hasnin në instancat shtetërore, shumë qytetarë e provuan një gjë të tillë por nuk morën asnjë lloj përgjigjeje. Ndërsa para pak ditësh, Berisha shpërndau një sms tek të gjithë numrat e një kompanie telefonike celulare, ku përveç reklamës së punës së qeverisë së tij, ai   u kërkonte qytetarëve shqiptarë që ti shkruanin se çfarë ata kërkonin gjatë viteve të ardhshme. Por nëse qytetarëve shqiptarë, tashmë nuk u intereson ti shkruajnë Berishës për probleme jetësore të cilat e dinë mirë se nuk do të marrin përgjigje, është shoqata "Mbrojtja e të Drejtave Civile", ajo që mendon ti përfaqësojë qytetarët duke i kërkuar publikisht kryeministrit Berisha, të përgjigjet për disa probleme me të vërtetë madhore që edhe pse një pjesë e tyre kanë ndodhur disa vite më parë, ende sot e kësaj dite nuk u është gjetur zgjidhja. Mes morisë së ngjarjeve që mund të kenë ndodhur në vendin tonë gjatë këtyre viteve, për të cilat kryeministri Berisha sigurisht që mund të ketë përgjigje, kjo shoqatë ka përzgjedhur vetëm 11, disa prej të cilave janë edhe të freskëta për memorien e kryeministrit dhe të të gjithë shqiptarëve. Vjedhje në përmasa të mëdha; diskriminime, tortura dhe vrasje të personave jo të parëndësishëm në shoqërinë shqiptare; vjedhje votash; apo ngjarje tragjike të ndodhura për shkak të korrupsionit të qeverisë Berisha, janë vetëm disa nga problemet që kjo shoqatë ka përzgjedhur për kryeministrin Berisha, nga i cili kërkojnë përgjigjen e premtuar prej tij."INderuar z. Kryeministër. Anëtarsia dhe Stafi Drejtues i Shoqatës tonë, pasi lexoi me kujdes mesazhin tuaj, iu kthen përgjigje në numrin tonë të celularit 001-226-868-0282, për pyetjen që na keni drejtuar me mesazh, në numrin tuaj të celularit 067 20 00 410. Në katër vitet e ardhshme, ne si shoqate na intereson që të përgjigjesh para drejtësisë për; trafikun e Naftës me Millosheviçin në vitin 1994; për vjedhjen e pasurisë publike në përmasa të mëdha gjatë viteve 1992-1997; për rrëmbimin, torturimin, dhe vrasjen e z. Remzi Hoxha; për vjedhjen e votave më datë 26 Maj 1996; për dhunën ndaj opozitës më datë 28 Maj 1996; për dhunën, vrasjet, dhe grabitjet gjatë vitit 1997; për vjedhjen e pasurisë publike në përmasa të mëdha gjatë viteve 2005-2009 nga ju dhe nga familja juaj biologjike dhe politike; për dhunën ndaj medias së lirë dhe të pavarur, ndaj biznesit, ndaj institucioneve kushtetuese dhe ndaj qytetarëve të thjeshtë; për Gërdecin; për plagosjen e Anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Ardian Nuni; për vrasjen e deputetit. z. Fatmir Xhindi, është kjo përgjigja e shoqatës Mbrojtja e të Drejtave Civile, për sms e kryeministrit Berisha.
Denoncimi i shoqatës për lidhjet e politikës me krimin
 Vetëm pak ditë më parë kjo shoqatë denoncoi lidhjet mafioze të politikës shqiptare, që për të mbijetuar është lidhur gjerësisht me krimin. Shoqata "Mbrojtja e të Drejtave Civile", ka përgatitur një informacion, i cili bën fjalë për lidhjet politikë-krim, dhe për përfshirjen e krimit në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009. Kryetari i kësaj shoqate, Ilir Loka bëri të ditur në një njoftim për shtyp pak kohë më parë se informacioni vjen pas sinjaleve që shoqata Mbrojtja e të Drejtave Civile ka marrë nga burime të besueshme pranë dy forcave të mëdha politike në Shqipëri. Sipas kësaj shoqate, deri më sot, shteti shqiptar, në një mënyrë ose në një tjetër, ka mbijetuar si i tillë, duke bërë marrëveshje nën tavolinë me krimin dhe duke e suportuar atë në shumë raste, por, rreziku i instalimit të një pushteti kriminal në Shqipëri është plotësisht i mundshëm, në kushtet në të cilat po zhvillohen përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Shoqata me kryetar Ilir Lokën, ka bërë të ditur gjithashtu se varfëria e tejskajshme e popullsisë shqiptare dhe lufta e egër politike që zhvillohet në Shqipëri, në mes të kampeve kundërshtare, më shumë se kurrë do e drejtojë politikën shqiptare drejt një aleance politike me krimin e organizuar dhe atë ordiner. Sipas kësaj shoqate, një bashkëpunim i tillë politikë-krim është më se evident në këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›