E Shtunë, 31 Tetor 2026

E fshehta e hotel Dajtit

Nga Tonin ALIMHILLI
Sot, politika shqiptare paraprihet nga morali, filozofia dhe etika progmatiste. Tek ne vlerat kombëtare, artistike e humanitare më nuk përfillen; ato determinohen nga antivlera injorante të interesave tepër të ngushta deri primitive. E bukura, madhështorja, sublimja trajtohen veç si mundësi konkrete për përfitime. Në këtë kontekst dhe fati i Hotel Dajtit ashtu si ndjesitë, meritat dhe aftësitë e vërteta të individit shqiptar, peshohen në kandarin hileqar të politikanit përfitues deri në grykësi. Hotel Dajti i ndërtuar në bulevardin kryesor të Tiranës para disa dekadash, për nga historiku që ruan dhe grotesku arkitektonik i tij renditet në simbolet e rëndësishme të kryeqytetit  ndaj dhe sot është i memorizuar me konsideratë brenda e jashtë kufirit shqiptar. Para dy vitesh u komunikua destinacioni i ri i këtij hoteli, tashmë ai do tu transformonte në dikasterin e Punëve të Jashtme të Qeverisë Shqiptare. Vendimi u pranua nga opinioni kryeqytetas pasi një ndryshim i tillë nuk i zvogëlonte reputacionin e atij simboli e nga ana tjetër u konsiderua  si ide e mirë vendosja e Ministrisë së Punëve të Jashtme në radhë mes ndërtesave të tjera qeveritare.
Për të realizuar këtë vendim pa një pa dy, me nxitim u nxorën në rrugë të madhe 40 punonjësit e tij. Për hotelin me aktivitet shumë vjeçar Non Stop, koha u ndal. Ai që dëshmonte mentalitetin tonë evropian të periudhës para komuniste kur qe ndërtuar, tashmë ra në koma. Sot kanë kaluar më shumë se dy vjet nga heshtja fisnike e kësaj ngrehine monumentale, ajo është kthyer në një ndërtesë të abandonuar por çuditërisht përsëri ruan aureolën autoritare të ngjashme me atë të veprave të kultit të kthyera në magazina gjatë komunizmit. Edhe në gjendjen që e kanë katandisur hotelin famëmadh, sekso e narkomanët rrugaçë nuk kanë kurajon e turpshme të kapërcejnë pragun e tij.
Aty nuk punohet, idea e kthimit në dikaster paskësh qenë e nxituar, sigurisht është zëvendësuar me një tjetër variant të fshehtë, sekret e djallëzor. Hoteli ekselent tashmë është vënë në letargji me të vetmin qëllim për tu harruar  nga kujtesa qytetare. Dikush, sigurisht ndonjë shumë i pushtetshëm përpunon sfida e dredhi për privatizimin e tij.
Nëse nuk sensibilizohet opinioni mediatik dhe intelektual, shumë shpejt do të njohim atë Deli kumbar, përfaqësues të shkathët që do të gdhihet duke e përkëdhelur në prehrin e tij hotelin perlë të blerë vetëm me një euro. Përse të çuditemi në fund të fundit do të bëhen përllogaritjet legjitime mbi amortizimin total të ngrehinës e duke iu referuar viteve e gjendjes së saj faktike mund të katandiset për tu likuiduar veç vlera e sipërfaqes që zë ai kompleks. Nuk duhet të çuditeni pasi ka pasur dhe raste të tjera analoge, ndaj janë të gjitha mundësitë që të sajohet ndonjë akt shtetëror që do të konsideronte edhe truallin të amortizuar. Ne qytetarëve të papërfillur, të vegjël e kureshtarë në fund do të na jepet mundësia të respektojmë vipin fatlum të fshehur pas kumbarit që rrëmbeu hotel Dajtin. Por atëherë ngjarja do të konsiderohet e largët si ato tregimet e Holmsit, ndaj na mbetet për tiu lutur Zotit duke thënë në kor: Zot, zvogëlo grykësinë e politikanëve tanë bufatorikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›