E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në “rrjetat” e “Guardia di Finanza”,peshkatari i zhdukur prej 28 orësh

10/02/2005  Barka e vogël, endej në mëshirën e dallgëve. Kolegët dhanë alarmin

Sipas rrëfimeve të Jani Kolës, pas rikthimit në tokë, mësohet se ai ishte shkëputur nga bregu me barkën e tij, rreth orës 16.30 të së hënës dhe, pasi kishte lundruar pak milje larg brigjeve, kishte hedhur rrjetën. Në barkë 52-vjeçari ishte i vetëm dhe ushqimet ishin të kufizuara, sepse kishte menduar se do të kthehej shpejt

DURRËS - Ka shpëtuar mrekullisht nga vdekja e sigurtë një

peshkatar nga Durrësi. Jani Kola ka qëndruar për 28 orë në det dhe vetëm pas ndërhyrjes së motovedetës së “Guardia di Finanza” është bërë e mundur gjetja e peshkatarit dhe e varkës së tij të mbetur në mëshirën e dallgëve.

Sipas familjarëve mësohet se 52-vjeçari Kola, banor lagjes nr.14 në Shkozet, kishte kaluar dy ditë në det, ndërsa ai vetë bëri të ditur se i kishte humbur të gjitha shpresat që mund të dilte i gjallë në breg.

Ka qenë alarmi i dhënë nga peshkatarët e tjerë, si dhe më pas nga Kapiteneria e Portit, të cilët kanë kërkuar ndihmë te Guardia di Financa, ekuipazhi i së cilës ka kërkuar disa orë, derisa e ka gjetur peshkatarin.

Zhdukja në det

Qetësimi i motit ka shtyrë peshkatarin Jani Kola të dalë në det për gjueti me barkën e tij të vogël. I mbetur pa punë prej disa javësh, për shkak të kohës së keqe me det e erë të fortë, Kola ka shfrytëzuar përmirësimin e motit dhe ka ndezur motorin për

të dalë në gjueti me barkën e tij.

Sipas rrëfimeve të Kolës, pas rikthimit në tokë, mësohet se ai ishte shkëputur nga bregu me barkën e tij, rreth orës 16.30 të së hënës dhe pasi kishte lundruar pak milje larg brigjeve kishte hedhur rrjetën.

Në barkë 52-vjeçari ishte i vetëm dhe ushqimet ishin të kufizuara, sepse kishte menduar se do të kthehej shpejt.

Por, mbrëmjen e së hënës, moti kishte ndryshuar, duke bërë që era me drejtim veri-verilindje të nxjerrë jashtë kontrollit barkën e vogël, ka rrëfyer më pas peshkatari. Në këtë kohë, Kola ka vënë re se edhe motori me forcë 25 kuaj fuqi ishte bllokuar. Fakti që Kola nuk ka pasur me vete telefon dhe as mjete të tjera sinjalizimi ka vënë në rrezik jetën e tij. Peshkatari më pas është vënë nën kontrollin e dallgëve, të cilat e kanë shtyrë drejt thellësisë në mënyrë të pakomandueshme barkën, e cila nuk ishte më shumë se 5 metër e gjatë.

Operacioni i kërkimit

Vonesa në kthim ka vënë në merak peshkatarët e tjerë, që kishin dijeni për Kolën, të cilët, pasi kishin kërkuar përgjatë gjithë natës midis të hënës e të martës, kishin njoftuar menjëherë

kapitenerinë dhe policinë kufitare. Nga ana e tyre, këta të fundit i janë drejtuar për ndihmë “Guardia di Finanza”, e cila ka nxjerrë në det motovedetën V-5010.

Kërkimet kanë vazhduar për katër orë dhe vetëm në pasditen e së martës kanë mundur të dallojnë barkën.

Sipas burimeve nga Kapiteneria e Portit, deti e kishte shtyrë barkën 7.5 milje larg brigjeve në drejtim të Kepit të Selitës.

Marinarët që kanë qenë në operacion i kanë dhënë ndihmën e parë Kolës, i cili kishte kaluar një natë shumë të ftohtë në det dhe më pas kanë rimorkiuar edhe barkën.

Të njëjta burime, bëjnë të ditur se 52-vjeçari kishte qenë i frikësuar dhe në një gjendje stresante, ndërkohë që kishte qëndruar i paushqyer që nga koha e daljes në det përreth 28 orë. Për këtë arsye, ai është dërguar në spitalin e Durrësit, ku edhe është trajtuar për disa orë.

21 gusht 2004

SARANDË - Në bregdeti ne Sarandës, mbytet anija “Antonio”. Mbytja e tragetit me rreth 80 pasagjerë në bordin e tij, ndodhi pas përplasjes me shkëmbinjtë. Nga pyetja e dëshmitarëve, ekuipazh i anijes, u mësua se “Antonio” kishte marrë guximin të punonte me një elikë (dmth., me një motor).

08 shtator 2004

LEZHË – Peshkarexha “Riviera” ka rrezikuar të mbytet, në orët e vona të mbrëmjes, në afërsi të bregdetit të Shëngjinit. Pas një defekti në helikë, e ngelur në kushtet e moskontrollit rreth 4 milje larg, mes dallgëve, dy peshkatarët kanë dhënë sinjalin SOS dhe pas mëse tre orësh, është bërë i mundur, shpëtimi i peshkatarëve dhe nxjerrja e peshkarexhës në breg me ndihmën e mjeteve të shpejta të policisë kufitare, ndërkohë që u mobilizuan edhe dy peshkarexhat “Karlota 1” dhe “Fortuna”.

22 tetor 2004

HIMARË – Peshkarexha “Lorela”, me pronar kapitenin e saj Arben Hoxha, rrezikoi të mbytej në afërsi të Himarës, pas përplasjes me shkëmbinjt, ndërsa në bordin e saj kishte katër marinarë. Njëkohësisht për shkak të ngarkesës së madhe prej 14 mijë litra karburanti në bord, është shmangur një bombë ekologjike në gjirin e Himarës, me pasoja të paparashikueshme për gjithë zonën e Adriatikut deri në Korfuz.

19 dhjetor 2004

DURRËS – Peshkarexha “Vlora” me tre persona në bordin e saj, pronë e Qemal Harizit (Beu), zhduket në det dhe gjendet disa ditë më pas e mbytur, rreth 17 milje larg nga porti i Durrësit. Peshkarexha 500 tonëshe ishte nisur nga porti i Triestes, drejt Durrësit. Ndërsa peshkarexha, ishte për riparim në Itali, pritej që të përshkonte rreth 600 milje e të mbërrinte në kalatën e peshkimit, në portin e Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›