Taksat, Berisha: Rama po dizinformon qytetarët
Kryeministri Berisha ka ripërsëritur ftesën drejtuar opozitës për të bojkotuar bojkotin dhe për të bashkëpunuar për reformat integruese. Berisha ka akuzuar Edi Ramën se po abuzon duke keqinformuar publikun lidhur me sistemin e ri të taksave dhe uljen që do të pësojnë sipas tij të ardhurat e pushtetit lokal nga ky ndryshim që do të aplikohet nga një janari i vitit të ardhshëm. Përpara deputetëve demokratë, kreu i maxhorancës ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për të respektuar autonominë e vendorëve dhe për të demostruar këtë Berisha i ka kërkuar ministrave të brendshëm dhe atij të Punëve Publike organizimin e një tryeze me krerët e pushtetit lokal, pa dallim ngjyrash politike. Kryeministri ka ripërsëritur dhe njëherë angazhimin e kësaj maxhorance për të luftuar krimin e organizuar dhe organizatat mafioze, luftë vendimtare për integrimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Europian.