Recensioni i Bankave, në pikëpyetje siguria e depozitave dhe e kapitaleve
Ervin Koçi
“Të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend janë të rrezikuara nga recensioni në ekonomi dhe për më tepër nga mundësia e falimentimit në rast të thellimit të portofolit të keq të kredive dhe të mungesës së likuiditetit”. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën “Albania” profesorë dhe specialistë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, të cilët e shikojnë shqetësues faktin e mungesës së marrjes së masave nga ana e shtetit shqiptar dhe Bankës së Shqipërisë kundrejt bankave private. Sipas tyre, kreditimi me ritme të shpejta dhe për rrjedhojë rritja e huas me probleme, “është në fokus të trupës akademike të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, të cilët i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të ushtrojë një mbikëqyrje më të rreptë ndaj sistemit”. Bankat ndërkombëtare të cilat kohët e fundit po goditen nga recensioni dhe nga falimenti, kontrollojnë aktualisht rreth 45 për qind të aseteve bankare totale në rajon dhe mbi 90 për qind në Shqipëri. Dekani i fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr.Omer Stringa, duke folur disa ditë më parë për vërshimin e kapitalit të huaj në sistemin bankar të rajonit, deklaroi se: “Shqipëria ka prezencën më të lartë të këtij kapitali si dhe një rritje të ndjeshme të kreditimit, veçanërisht në katër vitet e fundit. Në tregun shqiptar aktualisht ushtrojnë aktivitetin e tyre 16 banka të nivelit të dytë, nga të cilat vetëm tre banka janë me kapital pjesërisht vendas. Por edhe këto tri banka, futën në grupin e bankave të vogla dhe me influencë jo të madhe në treg”. Sipas Stringës, “tregu bankar me së shumti dominohet nga banka me origjinë greke, italiane dhe austriake, ku një krizë në sistemet financiar të këtyre vendeve përcillet edhe në vendin tonë, prandaj mbikëqyrja në drejtim të tyre duhet të jetë shumë vigjilente”.
Masat
Banka e Shqipërisë para pak ditësh ka forcuar rregulloren ndaj bankave dhe degëve të bankave të huaja që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë. BSH-ja ka kërkuar më shumë disiplinë lidhur me transparencën e bankave në tërësinë e produkteve dhe shërbimeve, që ofrojnë për klientelën dhe publikun në tërësi dhe forcimin e disiplinës së tregut. Ajo ka shtuar edhe kërkesat për publikimin e informacionit mbi gjendjen financiare dhe profilin e rrezikut të bankave dhe degëve të bankave të huaja etj. Por në asnjë rast nuk është përmendur dhe as nuk është kërkuar shtimi i informaci0onit dhe dhënia e tij në lidhje me sigurimin e depozitave bankare dhe kursimeve të qytetarëve. Rregullorja aktuale u forcua pas problematikës me transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare dhe problematikës së shfaqur në bankat e sistemit, lidhur me transparencën e tyre në produktet dhe shërbimet bankare të ofruara për publikun në përgjithësi dhe klientelën në veçanti. Megjithatë, dhënia e garancisë ose informacioni elementar mbi sigurinë e depozitave bankare, ose mundësinë e ankimimit dhe kompensimit të klientëve të bankave, në rast se këto të fundit falimentojnë, askush nuk e sqaron.
Kredia
Portofoli i kredisë nga bankat tregtare që operojnë në vendin tonë gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2008 u rrit me rreth 33.5 miliardë lekë ose 10.7 për qind më shumë se 3-mujori i parë i këtij viti. Sipas kësaj ecurie bankat kanë dhënë kredi dy herë më shumë se sa kanë marrë nga depozitat. Shërbimi i kredisë për individë, biznese etj., zuri rreth 43 për qind të totalit të aktiveve të ndryshme që ofrojnë bankat. Raporti i BSH-së, vëren se gjatë këtij 3-mujori kredia në monedhën vendase u rrit me ritme të krahasueshme me kredinë në monedhë të huaj. Zhvillimet për pjesën e pambuluar të kredisë në monedhë të huaj tregojnë sërish peshë më të madhe që zë segmenti "për pasuri të paluajtshme", prej rreth 54.1 për qind. Sipas BSH-së, në ndryshim nga një tendencë e vënë re kohët e fundit, u evidentua ritëm më i lartë rritës për kredinë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve dhe kryesisht e dhënë në monedhë të huaj. Struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme në raport me 3-mujorin e parë.
Interesat
Depozitat në sistemin bankar gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti u rritën me 18.2 miliardë, ose 170 milionë euro, sipas raportit "Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2008", publikuar nga Banka e Shqipërisë. Duke iu referuar treguesve për depozitat në monedhën më të preferuar, Banka Qendrore vëren se në vlerën më të lartë llogariten depozitat në euro, e në vlerën më të ulët në monedhën vendase dhe në dollarë. Sipas Bankës Qendrore, treguesi-depozita në monedhën euro, pas një rënieje të lehtë gjatë viteve 2006 dhe 2007, është rritur në 3-mujorin e parë të vitit 2008 dhe ka vazhduar të rritet më tej gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2008. Për të stimuluar thithjen e sa më shumë kursimeve, bankat e nivelit të dytë janë përfshirë në konkurrencë të ashpër këtë verë me rritjen e normave të interesave për depozitat për të gjitha afatet dhe monedhat. Normat e interesave për depozitat po shënojnë rekordin e tetë viteve të fundit.
BSH: Rritet niveli i kreditimit në monedhën vendase
Gjatë tremujorit të dytë 2008, kredia në monedhën vendase (Lekë) është rritur me ritme të konsiderueshme, krahasuar me kredinë në monedhë të huaj. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë, mendojnë se bankat tregtare në vendin tonë, kanë rritur kreditimin në monedhën vendase, një sinjal ky që ul rrisqet nga kursi i këmbimit. Autoriteti qendror bankar në mënyrë periodike, gjatë këtij viti, ka miratuar rregulla, të cilat i kushtëzojnë bankat që të kreditojnë në valutë. Nga ana e tyre, bankat tregtare, shpjegojnë se, janë të detyruara të kreditojnë në valutë, sidomos në euro për tregun e pasurive të paluajtshme, për shkak se, shitjet në këtë sektor bëhen me monedhën e përbashkët europiane, Euro.
Gjatë këtij muaji, BSH-ja miratoi një paketë rregullash të reja për sistemin bankar, që synon një disiplinim më të mirë të sistemit bankar në drejtim të vlerësimit të rreziqeve, që lidhen me kredinë, penalizimin e bankave kur shtohen kreditë me probleme, nxitjen e kreditimit në monedhën kombëtare, rritjen e transparencës dhe sqarimit të klientelës për çdo produkt apo shërbim. BSH-ja ka lajmëruar se, për të mënjanuar rrezikun për kthimin e kredive, bankat e nivelit të dytë duhet ta japin huan në atë lloj monedhe, që klienti i ka të ardhurat, pasi sipas ekspertëve, kthimi i kredisë është më i garantuar.
23 Shtator 2008