E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia elektrike, KESH-i premton furnizim pa ndërprerje edhe gjatë dimrit



Ervin Koçi

Furnizimi me energji elektrike do të jetë i pandërprerë deri në fund të vitit 2008. Kjo sipas KESH-it, i cili ka premtuar furnizimin pa ndërprerje gjatë gjithë këtij viti, duke nënkuptuar mosshtimin e kufizimeve të energjisë, që janë të gjata dhe rraskapitëse për ekonominë e vendit. Drejtues të Korporatës Elektroenergjetike kanë garantuar se “nuk do të ketë kufizime, veçse për shkak të remonteve apo riparimeve që mund të bëhen në rrjetin e amortizuar”. Situata mjaft e favorshme hidrike, rezervat e krijuara, por edhe shkëmbimet e energjisë me vendet e rajonit, kryesisht me Kosovën, pritet të sigurojnë një dimër me furnizim të rregullt më energji. Mësohet se përfitimi nga shkëmbimet e energjisë arrin në plot 20 milionë kilovat orë, ose 1,6 milionë euro. Qeveria ka pranuar gjithashtu se këtë vit do të ketë kufizime të programuara të energjisë elektrike në masën 4 për qind të furnizimit normal. Ky kufizim do të jetë në këtë nivel në rast se prodhimi në vend ecën sipas programit.

Rezervat

Situata hidrike është përmirësuar në krahasim me fundvitin e 2007-s, kur vendi pati krizën më të madhe energjetike, me rreth 9 për qind. Ndërsa prodhimi i energjisë, sipas të dhënave nga KESH-i, është rritur me 30 për qind. Krahas shtimit të prodhimit të energjisë, menaxhimi është një tjetër pikë e fortë, që sipas drejtuesve të Korporatës do të ndikojë në eliminimin e kufizimeve të energjisë elektrike. Kushtet e prurjeve dhe ato në nivelin e liqenit në Fierzë, janë tashmë të parashikuara. “Mendojmë që me masat që ka marrë KESH-i, me kontratat e garantuara dhe të siguruara tashmë dhe me një prodhim të planifikuar dhe të llogaritur mirë nuk do të kemi probleme për furnizimin me energji elektrike për tre muajt e ardhshëm”, - është shprehur për mediat, Muharrem Stojku. Shkëmbimet e energjisë kanë qenë pozitive edhe pse jo në sasi të mëdha për vendin tonë. Rezultati ka qenë rreth 20 milionë kilovat-orë. “Brenda dy muajve kemi përfituar më shumë se sa kemi dhënë, afërsisht 1,6 milionë euro”,- është shprehur ai. Me ardhjen e stinës së ftohtë edhe konsumi i energjisë rritet, por plani për furnizimin me energji përfshin edhe rritjen e importit nga vendet fqinje.

Abonentët me matës

Ende 30 për qind e abonentëve në të gjithë vendin nuk janë pajisur me matës të energjisë elektrike, një problem që drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë deklaruar se do të zgjidhet brenda këtij viti. Kështu, të gjithë konsumatorët, familjarë dhe biznese, që paguajnë energjinë afrofe, do të kenë matës brenda dhjetorit. Kreu i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi, është shprehur pak kohë më parë se ky proces ka ecur mjaft mirë. “Në të gjithë vendin kishte 80 mijë abonentë pa matës. Deri tani kemi vendosur 40 mijë matës te konsumatorët familjarë, 5 mijë matës te bizneset dhe 1 500 matës te konsumatorët që shpenzojnë sasi të mëdha të energjisë. Pra, kemi instaluar 70 për qind të matësve tek abonentët që nuk kishin. Deri në fund të vitit ky proces do të përfundojë dhe të gjithë abonentët do të pajisjen me sahate”, - ka deklaruar Dollapi.

“Ngërçi” energjetik, zgjidhje përfundimtare pas vitit 2010

Shqipëria do të vijojë të jetojë nën rrezikun e krizës energjetike, kjo të paktën deri në vitin 2010. Kjo gjë bëhet e ditur nga Programi Buxhetor Afatmesëm, dokumenti kryesor i hartimit të politikave ekonomike të qeverisë. Sipas tij, në marrjen në shqyrtim të periudhës 3-vjeçare 2008-2010, cilësohet veçanërisht si rrezik për financat publike dhe ekonominë e gjithë vendin, problemet që vijnë nga energjia elektrike. “Realizimi i të ardhurave nga tatim-fitimi për periudhën 2007-2010, përmban edhe riskun e mosarkëtimit të të ardhurave nga KESH-i, për shkak të situatës së përkeqësuar financiare të kompanisë”,- thuhet në dokumentin e PBA-së. “Megjithëse situata financiare e Korporatës ka premisa të mira për t’u përmirësuar në 3 vitet e ardhshme, vështirësitë energjetike mund ta shoqërojnë vendin edhe për disa vjet”,- shkruhet në dokumentin e qeverisë. Dy janë shkaqet kryesore të krizës energjetike, sipas analizës së qeverisë: 1) vjedhja në rrjet; 2) blerja e energjisë së importuar me një çmim shumë më të lartë se ai i shitjes. Sipas logjikës së qeverisë, ulja e vjedhjeve në rrjet do të sjellë edhe importe më të ulëta, ndërsa rritja graduale e çmimeve do të reduktojë diferencën mes çmimeve të importit dhe atyre të shitjeve. Qeveria u detyrua të dalë garant për kredinë e re të KESH-it prej 40 milionë eurosh, pasi bankat dolën në përfundimin se Korporata nuk është në gjendje të marrë kredi. Korporata ka akumuluar borxhe të mëdha gjatë vitit të kaluar kundrejt bankave dhe tatimeve.

Doganierët grekë në grevë, autoritetet shqiptare, apel bizneseve të ndërrojnë rrugë

Greva e paralajmëruar e doganierëve grekë që prej dy ditësh ka paralizuar shërbimin doganor në tri pikat kufitare shqiptare me Greqinë, ka shkaktuar anomali të mëdha edhe për kompanitë tregtare të import-eksporteve shqiptare. Në pikat doganore të Kakavijës, Tre Urave dhe Kapshticës, lëvizjet e mjeteve dhe mallrave janë paralizuar në një kohë që autoritet doganore shqiptare u kanë bërë thirrje subjekteve që të ndryshojnë pikat hyrëse për në Shqipëri. Kjo gjë nënkupton për kompanitë e biznesit shqiptare shtim të kohës së sjelljes së mallit në vend, si dhe shtim të kostos si në transport ashtu dhe në mjaftë shpenzime të tjera. Doganierët grekë filluan grevën 48-orëshe të paralajmëruar duke sjellë bllokimin e ndërsjellë të lëvizjeve në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Greva nisi dje në orën 06.00 të mëngjesit dhe është në vazhdim të këmbënguljes për kërkesat e tyre ekonomike (rritje pagash), të cilat ende nuk janë marrë parasysh nga qeveria e Karamanlis. Për të shmangur kaosin në Ministria greke e Financës publikoi dje njoftimin me anë të të cilave lajmëron të gjithë ata që do të lëvizin në dy anët e kufirit, të mbajnë me vete vetëm sendet më të nevojshme personale dhe jo bagazhe që kanë nevojë për kontroll doganor. Greva e zhvilluar disa ditë më parë i ka shkaktuar Greqisë një dëm prej 150 milionë euro, dëm ky i cili do të rritet akoma më shumë në rast se kjo grevë do të vazhdojë gjatë gjithë javës së ardhshme. Problemet e para do të jenë në mungesën e karburantit, për arsye se anijet cisternë janë akoma në porte. Kjo për arsye se akoma nuk kanë shkarkuar ngarkesën e tyre.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›