E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita "V"

Si do te dukej fleta e votimit

Si do të jetë Dita e Votimit në zgjedhjet e radhës? Sistemet zgjedhore duken të ndërlikuara. Korrieri paraqet skenarët më të mundshëm me të cilët do të përballet qytetari shqiptar atë ditë

Teksa politika në Shqipëri është e mbushur plot me terminologji teknike rreth reformës zgjedhore, shqiptarët e thjeshtë vetëm pak e kuptojnë se në ç’mënyrë do të ftohen të votojnë pasi gjithçka të jetë gati. A do të ketë sërish deputet zone? A do të votojnë për emra apo për sigla? Çfarë do të përfitonin nëse sistemi do të ishte ai proporcional dhe çfarë nëse ai bëhet madje edhe rajonal? A janë më të dobishme listat e hapura apo ato të mbyllura? Korrieri u mundua t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, duke rindërtuar në mënyrë hipotetike procesin e votimit të një qytetari sipas dy skenarëve që tashmë duken më të mundshmit për të triumfuar në përfundim të reformës zgjedhore. Dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike dhe ajo Socilaiste duket se bashkohen me idenë se sistmi më i përshtatshëm për vendin tonë është ai proporcoinal rajonal, njohur ndryshe si ai “spanjoll”. Ndërkohë, të gjitha partitë e tjera parlamentare, të majta dhe të djathta i janë bashkuar idesë se sistemi më i mirë zgjedhor, duke marrë parasysh, sipas tyre, kushtet specifike të vendit, është ai proporcional i individualizuar, I njohur ndryshe si ai “gjerman”. Në sistemin “gjerman”, ditën e votimit, zgjedhësi do të shkojë në qendrën e votimit dhe do marrë në dorë vetëm një fletë votimi. Në të do të jetë shënuar emri i kandidatit që përfaqëson një parti politike dhe përbri tij inicialet e forcës politike për të cilën ai garon. Sigurisht në zona të ndryshme zgjedhore partitë do të paraqiten me emra të ndryshëm. Sipas këtij sisemi, rezultati i numërimit të fletëve të votimit nuk shkon për kandidatin, por për subjektin politik që ai përfaqëson. Në mënyrë që një parti politike të përfaqëohet në Parlament, sigurisht që duhet arritur pragu zgjedhor i caktuar dhe sanksionuar në Kushtetutë. Sistemi “gjerman”, ose ndryshe sistem fiks proporcional/mazhoritar, parashikon shpërndarje të mandateve të kushtëzuar nga proporcionali. Ndërsa përsa i përket sistemit rajonal, pra “spanjoll”, ndryshon mënyra se si partitë politike paraqiten para zgjedhësve. Ky sistem është një sistem proporcional rajonal, ku ndarja e mandateve bëhet mbi baza rajonale. Edhe në këtë sisem do të jetë vetëm një fletë votimi. Por vendi ndahet në rajone të ndryshme dhe në bazë të një llogaritjeje që bëhet në rang popullsie apo shtrirjeje gjeografike, përcaktohet numri i deputetëve që do të dalin nga rajoni. Në fletën e votimit nuk ka të shënuar asnjë emër individi, që mund të përfaqësojë një parti të caktuar. Kjo fletë votimi është shumë më e thjeshtë. Në të renditen vetëm emrat apo inicialet e partive politike që garojnë. Për shembull, në qarkun ose rajonin e Korçës, numri i deputetëve që mund të dalë do të jetë 15. Kështu, secila parti politike dorëzon në institucionin përkatës, kur flitet për lista të mbyllura deputetësh, një listë prej 15 kandidatësh për deputetë. Ditën e votimit zgjedhësit votojnë vetëm për partitë politike, e cila virtualisht përmban 15 kandidatura për deputetë. Më pas deputetët që dalin nga ky rajon ndahen në bazë të vlerësimit apo numërimit të votave dhe fitues shpallen sipas renditjes që ësht bërë në listën përkatëse, duke iu referuar përqindjes që partia përkatëse ka marrë në zgjedhje. Të drejtën për të përfituar nga shpërndarja e mandateve për deputetë në Parlament, nga rajoni përkatës, e kanë partitë që arrijnë të marrin përqindjen e votave të sanksionuar në ligj, pra duke arritur pragun elektoral.     Sistemi sipas Islamit Kastriot Islami, argumentoi dje mbështetjen e PS-së ndaj sistemit proporcional rajonal. Sipas bashkëkryetarit socialist të komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, ky sistem ruan elitat dhe sjell elita te reja ne Kuvend. “Vendi ndahet në disa rajone dhe brenda çdo rajoni konkurrimi bëhet proporcional. Në sistemin që kemi aktualisht bëhet konkurrimi individual, pra është maxhoritar, të themi marrim një zonë: në Tropojë. Në Tropojë po mori 51% një i PD, zgjedhjet e PD dhe Tropoja ka ngjyrën blu. Kurse në një sistem proporcional po mori i PD-ja p.sh., sepse do jetë një rajon dhe është qarku i Kukësit, po mori PD 50% do marri 3 deputetë PD-ja dhe dy deputetë PS-ja”-u shpreh Islami. Sipas tij konkurrimi me lista shumë emërore të renditura krahasuar me atë një emëror, bën të mundur ruajtjen dhe shtimin e elitave. Ai vazhdon duke supozuar se në qarkun e Tiranës do të shpërndahet numri 140 në 30 qarqe. “Të themi se qarkut të Tiranës do t’i takonin rreth 30 deputetë. Atëherë çdo parti do të paraqiste listën me 30 deputetët me emrat dhe renditjen e tyre dhe votuesi do të kishte përballë çdo parti politike dhe me një program dhe me 30 kandidatët e saj, me listën e kandidatëve të saj që do jetë transparente kudo”- deklaron ai. Sipas Islamit, lista e kandidatëve do të bëhet transparente në fushatë. Lidhur me numërimin e votave Islami sqaron se nëse një parti ka pasur një listë me 30 deputetë dhe ka fituar në bazë të përqindjes 16 deputetë, atëherë automatikisht në kuvend hyjnë 16 të parët në listë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›