E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari i Panajot Plakut: Arrestimi i 27 delegatëve në Konferencën e Tiranës

 

Panajot Plaku

Përmes kujtimeve të tij, ish-ministri pa portofol në vitet ’50, Panajot Plaku, sjell pasojat e Konferencës së Tiranës, burgosja e komunistëve që guxuan të flasin. Cila ishte arsyeja, sipas tij, e shpërthimit të kësaj revolte. Pse u largua nga Shqipëria dhe pse u quajt “agjent”, ndërsa ishte ngritur në qiell nga Enver Hoxha. Pas largimit të tij, Plaku i çon një letër Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të BRSS, Nikita Hrushovit, ku pasi i flet për veten, rendit disa gabime të partisë së tij. Të gjitha këto në librin me kujtime “Vite që rrëzohen-Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, botuar nga shtëpia botuese “55”, si një dëshmi e rrallë historike.

Arrestimi i 27 delegatëve!
Me rastin e përgatitjes së listës së kandidatëve, prapa dyerve të mbyllura, në regjistrin e delegatëve për Kongresin e Tretë të partisë nuk hyri asnjë nga ata pjesëmarrës në diskutim, të cilët gjatë tri ditëve të para të Konferencës i kritikun dobësitë e udhëheqjes së partisë. Menjëherë pas Konferencës u arrestuan 27 delegatë, të gjithë ata që kishin folur për gabimet e udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë. Nuk mbetën një kohë të gjatë në burg. Kur u liruan, të gjithë u përjashtuan nga partia dhe u shkarkuan nga funksionet. Mirëpo, disa ditë më vonë, të gjithë u arrestuan përsëri. Por, me atë rast, bashkë me ta u burgosën edhe shumë delegatë të tjerë të Konferencës së Tiranës, si dhe një numër i madh komunistësh të tjerë, të cilët nuk kishin marrë pjesë aspak në punën e saj. Në radhët e të burgosurve ishin zëvendësministri i atëhershëm i Mbrojtjes popullore, gjeneralmajori Huklusi Spahiu, gjeneralmajori Nexhip Vinçani, kompozitorja Dhora Leka, pastaj Pëllumb Dishnica e shumë të tjerë. Të gjithë të arrestuarit ishin komunistë të njohur dhe luftëtarë aktivë të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Shtypi në atë kohë heshti në lidhje me të gjitha ngjarjet në Konferencën e Partisë në Tiranë. Jo më parë se në Kongresin e Tretë të PPSH u fol për këtë. Kundërshtimin e organizatës më të fortë të partisë në Shqipëri u detyrua ta shpjegojë vetë sekretari i partisë, njeriu të cilit i ishte drejtuar pjesa më e madhe e akuzave të shprehura në Konferencën e Tiranës. Enver Hoxha deklaroi se në këtë konferencë ishte shprehur kundërshtimi i disa elementëve me origjinë nga shtresat borgjeze dhe të ashtuquajtura intelektuale jo të shëndosha. Duke mos e përfillur faktin se ata, që kishin diskutuar në Konferencën e Tiranës ishin komunistë të spikatur, me biografi të ndritshme revolucionare, Enver Hoxha i sulmoi si tradhtarë dhe aventuristë ordinerë. Ky fjalim i Enver Hoxhës ishte edhe kërcënim për të tjerët, meqenëse disponimi në Parti nuk i përgjigjej as përafërsisht udhëheqjes. Në stilin e tij tipik, Enver Hoxha shkoi aq larg sa që deklaroi se është në interes të miqësisë me Jugosllavinë likuidimi i dukurive të ngjashme në parti. Duke e paralajmëruar vazhdimin e terrorit dhe të presionit masiv, Enver Hoxha vuri në dukje se partia ka për t’i shkelur pa mëshirë të gjithë armiqtë, pa marrë parasysh se dikush do të mendojë se është cenuar demokracia, se është cunguar liria e të folurit, e të tjera, të gjitha këto masa do të jenë në interesin maksimal të PPSH-së dhe të popullit të Shqipërisë (!) në kuadër të reprezaljeve pas Konferencës së Tiranës. Kah gjysma e vitit 1956 u arrestuan dhe pas një procesi gjyqësor të shpejtë dhe të shkurtër, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan revolucionarët e vjetër Liri Gega (e para kryetare e frontit Antifashist të Grave të Shqipërisë), dhe Dali Ndreu, kryeshef i shërbimit të prapavijës në Shtatmadhori. Pas likuidimit të Liri Gegës dhe Dali Ndreut u kumtua zyrtarisht se u dënuan me vdekje si tradhtarë të partisë e të popullit dhe se gjoja ishin zënë diku në afërsi të Kukësit, kur gjoja kishin ndërmend të iknin përtej kufirit. Në të vërtetë ata u arrestuan, u torturuan, u dënuan dhe u pushkatuan në Tiranë.
Vepër e kujt ishte Konferenca e Tiranës?
Konferenca partiake e Tiranës krijoi përshtypje jashtëzakonisht të rëndë jo vetëm në komunistët e kryeqytetit, por edhe në mbarë partinë, përkundër faktit se anëtarët nuk ishin informuar objektivisht për të. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja e PPSH-së nuk mund të heshtte edhe më tutje për këtë ngjarje të rëndësishme. Kah fundi i vitit 1957, udhëheqja e PPSH-së shpalli se Konferenca e Tiranës është “vepër e revizionistëve jugosllavë dhe e agjentit të tyre Panajot Plakut”, e kjo do të thotë edhe vepër imja! Më duhet të them me këtë rast se kam shumë argumente se nuk kam marrë pjesë në organizimin e Konferencës së Partisë së Tiranës. E kam të qartë se duke ma veshur mua rolin e këtillë, në të vërtetë, ka qenë qëllimi që të largohet vëmendja prej motiveve të vërtetë të kësaj proteste masive kundër udhëheqjes së partisë, prej pakënaqësisë së anëtarëve dhe të kuadrove udhëheqëse me politikën e udhëheqjes më të lartë partiake dhe shtetërore. Para se të mbahej Konferenca e Tiranës, unë u nisa nga Shqipëria për në Korenë Veriore. U ndala disa ditë në Moskë. Një ditë më ftuan me ngut në ambasadën e Shqipërisë. Atje i gjeta tejet të shqetësuar anëtarët e Byrosë Politike të KQ, Spiro Kolekën dhe kandidaten për anëtare të KQ, Vito Kapon. Prej brengosjes së tyre fitova përshtypjen se në vendin tim kishte shpërthyer revolucioni. Më thanë se në Konferencën e Tiranës gati të gjithë delegatët e kishin kritikuar udhëheqjen, se ishin ngritur në mënyrë energjike kundër saj dhe kundër vijës së deriatëhershme të Partisë. Më thanë se brengos posaçërisht fakti që sulmet kundër udhëheqjes nuk pushuan as atëherë kur erdhën në Konferencë, Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe se situata ishte aq e acaruar, sa që Beqir Balluku u kishte urdhëruar Lir Shuriut dhe Adnan Qatipit që të largohen nga Konferenca dhe të mbajnë në gatishmëri një batalion të tankeve për të intervenuar sa më parë në qoftë se do të jetë e nevojshme. Me këtë rast unë dëgjova për herë të parë për ngjarjet në Konferencën e Tiranës. Pas kësaj bisede shkova me aeroplan nga Moska në Pjongjang, në Kongresin e Tretë të Partisë së Punës së Koresë, si shef i delegacionit të PPSH-së. Pas kryerjes së Kongresit, bashkë me të gjithë delegacionet e partive komuniste të Evropës, shkova në Pekin.
Sa ishte absurd pohimi se Konferenca e Tiranës ishte “vepër imja”, dëshmon edhe fakti se Kongresi i Tretë i PPSH-së është mbajtur pas hetimeve radikale dhe pas likuidimit të një numri të madh funksionarësh të lartë të partisë dhe shtetit. Kjo është dëshmi e qartë se ajo, në të vërtetë, ishte shprehje e rezistencës spontane të komunistëve të Shqipërisë kundër burokratizmit dhe terrorit, të cilin e aplikonte grupi udhëheqës më i ngushtë. Në Kongresin e Tretë të PPSH, Enver Hoxha, duke më propozuar anëtar të KQ, foli me superlativa për kualitetet e mia. Madje tha se unë jam i vetmi njeri në Shqipëri, i cili i ka lexuar të gjitha veprat e Leninit! Pohimin e përmendur e përgënjeshtron edhe fakti se në Kongres, në të cilin kanë votuar të gjithë udhëheqësit më të lartë, e kjo do të thotë edhe të gjithë ata, të cilët ishin të informuar mirë për Konferencën e Tiranës dhe për prapavijën e saj, unë kam fituar 100% të votave. Më në fund, e dhëna e fundit që e hedh poshtë pohimin e përmendur, është fakti se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk më kanë dëbuar nga Shqipëria, por vetë, me dëshirën time, kam vendosur të shkoj në Jugosllavi. Këtë ikje e publikuan në shtyp pas më shumë se dhjetë ditëve, e kjo pa dyshim është karakteristike, sepse kur u largova isha ministër i qeverisë së Shqipërisë. E konsiderova të domosdoshme që me këto argumente t’i përgënjeshtroj akuzat për “rolin tim si organizator” në Konferencën e Tiranës, pikërisht për shkak se po shoh se ato kanë për qëllim që, gjoja tradhtinë time, në të vërtetë të maskohet disponimi i vërtetë i bashkëluftëtarëve të mi, i komunistëve dhe i patriotëve të Shqipërisë. Të gjithë arrestimet dhe likuidimet pas Konferencën e Tiranës ishin, sipas mendimit tim, në të vërtetë masa preventive. Sa i përket situatës së brendshme, ato ishin reagim ndaj dukurisë së pakënaqësisë së hapët masive të kuadrove të vjetra të sprovuara dhe të të gjithë njerëzve, të cilët mendojnë me koka të veta. Sa u përket faktorëve të jashtëm, udhëheqjen e Shqipërisë e kishte kapluar që të mos shpërthejë edhe në Shqipëri aksioni i hapët kundër stalinizmit, sikurse kishte ndodhur në disa vende socialiste (në Republikën Demokratike të Gjermanisë, në Poloni dhe në Hungari). Pas vdekjes së Stalinit, në radhët e Partisë dominoi një atmosferë e re. Duke e duruar vite me radhë despotizmin e Enver Hoxhës, anëtarët e partisë konsideronin se kishte ardhur koha që t’i qërojnë hesapet me dukuritë e rënda të burokratizmit dhe që demokratizmi të aplikohet përsëri si metodë kryesore e jetës dhe e veprimit të PPSH. Mirëpo, një atmosferë e tillë nuk i shkonte për shtat Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këta druanin me të drejtë se vala e qërimit të hesapeve me burokratizmin dhe me dhunën do t’i fshijë në mënyrë të paevitueshme edhe ata vetë. Pikërisht, për këtë arsye, megjithëse në një varg vendesh socialiste ishin bërë përpjekje për t’i eliminuar pasojat e rënda të stalinizmit, në praktikë ata i demaskonin me këmbëngulje deklaratat e veta dyfytyrëshe se edhe vetë qëndrojnë në vijën e demokratizimit të sërishëm të jetës në parti. Për këtë dëshmojnë një varg shembujsh. Pleniumi i KQ të PPSH, që u mbajt në prill 1955, ishte orvatje drastike që t’u bëhet me dije anëtarëve të partisë  vazhdon kursi i vjetër, se Byroja Politike nuk do të tolerojë kurrfarë rezistence ndaj vijës së njohur të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut. Në Plenium të prillit u likuidua Tuk Jakova, e po këtë fat përjetoi edhe Bedri Spahiu, të vetmet “gabime” të tyre ishin se kishin bërë përpjekje për t’u larguar nga mënyra e stabilizuar dhe e dirigjuar e mendimit nga periudha e stalinizmit.
Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të BRSS, shokut Hrushov, N.S
Unë i nënshkruari Panajot Plaku, ish-ministër pa portofol në qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe anëtar i KQ të PPSH, e kam kaluar kufirin shtetëror të Shqipërisë natën ndërmjet 15 dhe 16 majit të këtij viti dhe kam kërkuar azil në Republikën Federative të Jugosllavisë.
...Unë nuk kam kurrfarë ndjenjash antisovjetike. Unë kam vepruar vendosmërisht dhe kam folur kundër të gjitha shtrembërimeve për shkak se kam qenë i bindur se kurrkush, as kurrë nuk do të më akuzojë për veprimtari antisovjetike, meqenëse për përkushtimin tim ndaj Bashkimit Sovjetik ekzistojnë me qindra dëshmi në jetën time si para luftës, ashtu edhe gjatë luftës dhe pas çlirimit. Mua si komunist më kanë arrestuar shumë herë fashistët; si mik dhe “agjent” të BS fashistët më kanë persekutuar. Gjatë luftës unë kam luftuar duke qenë i bindur se armët e mia dhe aktiviteti im revolucionar i japin kontribut, jo vetëm mbrojtjes së popullit tim, por edhe i ndihmon BS-së... unë e kam dashur, e dua dhe do ta dua BS, përkundër faktit se Enveri më quan armik të BRSS.
Rreth disa problemeve të PPSH
Rreth demokracisë së brendshme partiake. Ky është problem shumë i rëndësishëm për të gjitha partitë komuniste në botë, por për PPSH ky është problem jetik, i ngutshëm, zgjidhja e të cilit është e vështirë, për shkaqe që do t’i parashtroj më poshtë:
a) Shqipëria di vetëm për një parti, për PKSH (tash PPSH). Dihet fare mirë se gjatë okupacionit turk në Shqipëri kurrë nuk kanë ekzistuar kurrfarë partish politike. Në vitin 1924, në kohën e Republikës Demokratike me Fan Nolin në krye, janë bërë përpjekje për formimin e disa partive politike, por as republika, as partitë që posa kishin lindur në atë kohë, nuk patën jetë të gjatë. Në kohën e regjimit të Zogut as nuk ka qenë e mundshme të flitet për partitë politike legale. Pas vitit 1933 u bënë përpjekje të shumta që të formohet PKSH dhe ishin formuar disa grupe komuniste, prej të cilave u formua në vitin 1941 PKSH. Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri nuk kanë ekzistuar lëvizje, kryengritje e luftë për liri. Përkundrazi, populli shqiptar gjatë tërë historisë së vet ka luftuar për liri. Në Shqipëri ka bërë ndikim të madh Revolucioni i madh socialist i Tetorit dhe për këtë arsye Bajram Curri dhe heronjtë e tjerë të rilindjes shqiptare flitnin me respekt për Leninin. Kur vdiq Lenini, parlamenti i Shqipërisë i bëri nderim hijes së tij me 5 minuta heshtje. Fakti se në Shqipëri nuk ka patur parti politike ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe, meqenëse jo vetëm populli, por as komunistët e Shqipërisë nuk kishin ndonjë jetë politike të organizuar (me përjashtim të luftës së armatosur) dhe, për këtë arsye, jo vetëm në parti, por as në Frontin Demokratik nuk lejohen kurrfarë mosmarrëveshjesh, madje as rreth çështjeve të dorës së dytë. Me këtë nuk dëshiroj të them se Shqipëria duhet të kthehet prapa dhe të krijojë tash parti të tjera politike. Jo. Por, kur është fjala për demokracinë në parti, nuk duhet të harrohet ky fakt historik, i cili vepron në drejtim të likuidimit të demokracisë së brendshme partiake dhe e pengon në një masë të madhe sendërtimin e parimeve leniniste në praktikë.
b) PKSH është formuar në kushte të ilegalitetit të thellë, në kohën kur fashistët i kishin shfrytëzuar të gjitha mjetet për likuidimin e saj. Ajo u formua prej tre grupeve komuniste të ndryshme, me pikëpamje heterogjene, madje edhe me pikëpamje që ishin armiqësore ndaj marksizëm-leninizmit. Para se të formohej partia, këto grupe zhvillonin luftë reciproke. Një pjesë e njerëzve udhëheqës të grupeve të përmendura nuk i eliminoi pikëpamjet antipartiake as pas formimit të partisë sonë. Në kushte të tilla, kur në ballë të partisë nuk ishte asnjë njeri me përvojë (me përjashtim të dy shokëve jugosllavë Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës, të cilët na ndihmuan rreth formimit të partisë), ishte e pamundshme të sendërtohen në praktikë normat leniniste të aktivitetit të partisë. Me qëllim që të ruhet uniteti i partisë dhe të vazhdojë lufta kundër okupatorit dhe tradhtarëve, ne aplikonim në parti masa të pamëshirshme, që përfshinin madje edhe pushkatimin. Të ashtuquajturat gjyqe të partisë merrnin vendime jo vetëm për përjashtimin nga partia të armiqve të saj, por edhe për pushkatim të armiqve të partisë, meqenëse ata kanë mundur t’i sjellin dëme serioze kauzës së partisë, po të mos kishin marrë vendim për aplikimin e masave të tilla. 
c) PKSH e ka përcjellë me kujdes shumë të madh jetën e PK të BRSS (sidomos pas çlirimit meqenëse lidhja gjatë luftës ka qenë shumë e vështirë dhe e rrallë). Përvoja e PK të BRSS ka patur rëndësi shumë të madhe për PKSH. Kjo i ka dhënë mundësi që ta udhëheqë vendin në ndërtimin e socializmit. Por, për fat të keq, PKSH është krijuar në atë periudhë, në të cilën kulti i personit të Stalinit kishte arritur kulmin, kur ishin likuiduar në BRSS me qindra e mijëra komunistë më të mirë, kur depërtoheshin popuj të tërë, kur Stalini i kishte në dorë të gjitha punët dhe për këtë arsye edhe Enveri duhej të ishte i tillë. Kulti i personit të Stalinit nuk i ka dhënë mundësi Partisë sonë që ta shqyrtojë çështjen e demokracisë së brendshme partiake dhe për këtë arsye sot, prej atyre shokëve që kanë marrë pjesë në konferencë për formimin e partisë sonë, nga anëtarët e KQ të përkohshëm (i pari KQ i partisë sonë), i cili ka qenë zgjedhur me rastin e formimit të partisë, ka mbetur në udhëheqësi i vetëm Enver Hoxha, e prej anëtarëve të Byrosë Politike të parë ka mbetur në udhëheqësi prapë Enver Hoxha. Përveç kësaj, partia jonë ende nuk di kush ka marrë pjesë në konferencën e saj themeluese, kush kanë qenë anëtarë të KQ të përkohshëm dhe të byrosë politike të parë. A mund ta konsiderojmë normale gjendjen e tillë në një parti, e cila është formuar para 16 vjetëve, kur dihet se pjesëmarrësi më i vjetër i asaj konference themeluese nuk ka pasur më shumë se 45 vjet? A mund ta konsiderojnë si normal likuidimin e të gjithë punëtorëve, të cilët me të vërtetë kanë qenë iniciatorë të formimit të partisë sonë, e jo Enver Hoxha sikurse po gënjejnë tash rreth e përqark?
(vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›