E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse Berisha nuk do të dalë në pension!!

Andis Harasani 

Nëse ka një moment politik për të cilin bien të gjithë dakord në Partinë Socialiste, është bindja e thellë se çfarë do të ndodhë me kryeministrin në datën 29 qershor, një ditë mbas zgjedhjeve të përgjithshme. E thonë të gjithë socialistët, do ta thonë të gjithë shqiptarët në datën 28 qershor, se zoti Berisha do të nisë një pension të gjatë politik, për të përmendur një shprehje që ai vetë e ka pasur me qejf të madh. Madje edhe ata që janë supersticiozë kanë dëshirë të kujtojnë se po në datën 29, të plot 12 viteve më parë, në 1997, kryeministri i sotëm, atëherë president, u detyrua të largohet nga zyra e tij duke marrë me vete poltronin, në kuptimin fizik të fjalës dhe disfatën në kuptimin klasik të fjalës.
Vetëm njëherë guxova të shprehesha kundër pensionit të kryeministrit dhe në çast u bëra armik me të gjithë kolegët e mi të të njëjtit besim e bindje. Në zyrat e të gjitha kateve të selisë, kolegët më buzëqeshën me zor, në barin mbas PS-së, nuk u ul askush në tavolinën time, madje edhe kamerieri nuk dëshironte të më sillte kafe. Nuk po them sesi më ndoqën me vështrime plot nënqeshje të zymta militantët në oborrin e selisë. Deri dhe drejtuesi i mjetit që përdor, më tha se e kisha shkelur dhe se kisha bërë gafë të rëndë. Madje ma tha me ton të rëndë. Por nëse heshta me të gjithë, kësaj radhe vendosa ta them sërish me zë të lartë bindjen time të thellë: Unë nuk besoj në pensionin e kryeministrit!
Dhe pikërisht në momentin që i përcaktova drejtimin e fundit mendimit tim, adresën e ardhshme të kryeministrit, vendosa edhe ta ndaj atë me lexuesin/votuesin për të bërë një tentativë jo të fundit për t´i bindur ata në të vërtetën time. Do të përpiqem ta bëj shkurt, sa më shkurt, do të mundohem ta bëj qartë, sa më qartë, do të kërkoj ta bëj logjikisht, me sa më logjikë. Nuk do të më shkonte mendja kurrsesi tek ajo historia e vjetër që mençuria e traditës popullore ia mvesh një burri me origjinë nga Pojani, lindur, banues dhe vdekur po në Pojan në rrethana ende të panjohura. Nuk do të pranoja ta merrja atë si shembull i asaj që gjithmonë dhe kurdoherë jemi penguar në litarin e lënë jashtë për shkak të tersit tonë historik. Nuk do të pranoja gjithashtu të mendoja se jemi pengje të terseve dhe tersllëkut të pafundmë jo thjesht nga individët, por nga gjithë ajo mendësi në daç kombëtare, në daç e trashëgimisë komuniste, që na është treguar me komunistë që vdesin, por nuk dorëzohen. Në idenë time jam, besoj, shumë më i thjeshtë se kaq. E kam menduar gjatë një gjë të tillë dhe do të arsyetoja se, së pari, ne, si popull nuk duhet ta humbasim Sali Berishën. Nëse ai na ikën, do të na bjerë në mënyrë të pabesueshme GDP-ja e humorit, qoftë ky edhe i zi.
Kush tjetër, përveç Berishës mund të shpikë habere me ujë të pijshëm që do të rrjedhë në çezmat tona, me origjinë nga shkripëzimi i detit?
Kush tjetër, do të mundë të na tregojë përralla fantastike me energji bërthamore për të na harxhuar aq energji nga e qeshura me lot? Kush tjetër, do të na dëshmojë sesa i keq ka qenë komunizmi shqiptar, më mirë se vetë komunisti Sali që e njeh të keqen e dikurshme nga brenda? Por edhe nëse e tejkalojmë këtë moment – jemi mësuar të jetojmë në trishtim tashmë – sërish largimi i kryeministrit në pension është i pamundur. E mbani mend se çfarë ndodhi në forumin ekonomik botëror të Davosit? E mbani mend sesi kryeministri ynë i tundte gishtin triumfues të superioritetit ekonomik të rrugës shqiptare krizës së përbotshme, sesi i dha leksione Braunit britanik, gjermanes Merkel, francezit Sarkozi, sesi u dëshmoi rrugëdaljen nga kriza amerikanëve? E mbani mend sesi i la të gjithë me gojë hapur duke u treguar se Shqipëria kishte qenë ishull në kohën e paraardhësit të tij Enver për shkak të izolimit total, ishull është dhe sot ku nuk mbërrihet dot nga kriza botërore? Edhe pse kishte vajtur në Davos nga një vend që nuk prodhon dot as hudhrat për të cilat ka nevojë si ushqim dhe për të mos u marrë mësysh, ai mundi të japë receta për shpëtimin e industrisë së makinave apo të kompjuterëve. Mund ta bëjë tjetër kush një mrekulli të tillë, e ngjashme vetëm me mrekullinë tonë ekonomike? Unë them jo! Kush të mundë, le të vërtetojë të kundërtën. E sfidoj! Kështu që, në mos me studentë të llojit Braun, Merkel e Sarkozi, do të ketë gjithmonë studentë të vërtetë në universitetet tona ekonomike për të dëgjuar leksionet e tij ekonomike. Nuk dua të vazhdoj më gjatë, sepse dua ta shijoj në vetmi triumfin e idesë sime, krejt të ndryshme nga bindja e shumicës dërmuese të shqiptarëve. Dua vetëm t’u them nga larg miqve të mi që këtë ide, se Sali Berisha nuk do të dalë në 29 qershor në pensionin që do të prenotojë në datën 28 të të njëjtit muaj, e kam të konsoliduar dhe të pandryshuar. Ai do të jetë sërish rrotull nesh. Do të vazhdojë të jetojë në klonet e tij politike që mbijnë “vetvetiu” në serën e tij politike. Sepse vetë i mbjell, vetë i ujit, vetë pastaj edhe i korr dhe i shin. Duke na i llogaritur, padyshim, si vlerë të shtuar të GDP-së sonë edhe politike, edhe ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›