Shkëlqim Muça në kërkim të debutimit “kampion”
Gjergj Vyshka
Shkëlqim Muça, trajneri i ri i Dinamos, premierën e tij të parë zyrtare në krye të pankinës blu e ka në ndeshjen me Apoloninë sot në “Selman Stërmasi”. Tekniku i bluve pranon që gjendja psikologjike e lojtarëve të tij, sidomos pas dy humbjeve me Tiranën e Partizanin, është e rënduar. Por Muça bindet që futbollistët, edhe duke qenë profesionist, do të kenë dëshirën e mirë për të bërë maksimumin dhe për ta fituar këtë ndeshjen.
Ndeshja e parë zyrtare e juaja në pankinën e Dinamos ndaj Apolonisë. Cila është gjendja e skuadrës?
Jemi munduar të punojmë këtë javë për të rregulluar diçka në funksionimin e lojës së skuadrës. Jam përpjekur për t’i bërë të qartë futbollistëve ato ide që kam unë për lojën. Natyrisht koha nuk na ka lënë për ta plotësuar programin stërvitor ashtu siç deshëm. Megjithatë kemi bërë maksimumin për të përfituar nga kjo javë. Kemi një ndeshje kampionati me Apoloninë, që nuk dua ta ndaj nga takimet e tjera të këtij sezoni. Për ne të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, sepse të gjitha vlejnë tre pikë. Aq më tepër që kampionati sa vjen dhe vështirësohet.
Sa i rëndësishëm është ky trepikësh për ju dhe për skuadrën tuaj?
E theksova dhe më sipër, ky trepikësh është shumë i rëndësishëm në të gjitha drejtimet. Sepse me pozicionin që kemi ne në renditje, por dhe për objektivat që na janë vënë, kur duhet të ecim përpara, duhet të gabojmë sa më pak. Sepse ne nuk shohim ato që kemi prapa, por vetëm ato që janë sipër nesh në renditje.
Pas dy humbjeve në derbi, gjendja psikologjike e lojtarëve ka qenë e rënduar?
Natyrisht pas dy humbjeve gjithmonë ka tronditje. Tronditje është në humbjen e besimeve, apo dhe problemeve të tjera, kur u bënë dhe ndryshime. Futbollistët duhet ta kuptojnë që janë profesionistë, sepse çdo ndryshim që bëhët është për të mirën e klubit. Atyre u takon të bëjnë maksimumin.
Cila është gjëja kryesore që do t’i kërkoni lojtarëve në përballjen me Apoloninë?
Kryesorja është dëshira e tyre për të luajtur dhe përqëndrimi për të bërë më të mirën në zbatimin e detyrave taktike të dhëna prej nesh. Duhet të kenë dhe dëshirën e mirë për ta fituar këtë ndeshje.
Në këndvështrimin tuaj Apolonia, skuadër që vjen pas katër fitoreve radhazi...
Të gjithë ekipet e kampionatit i vlerësoj, sepse janë për t’u vlerësuar nga ana jonë. Dhe nga ato që kanë bërë deri më tani këto ekipe që duhen marrë në konsideratë, sepse kanë fituar ndeshje të rëndësishme, kur kanë marrë pikë dhe në transfertë. Të gjitha ekipet, në këtë periudhë, nuk i pranojnë më gabimet.
Duke qenë se aktualisht lufton për mbijetesë në kategorinë superiore, ndeshja me Apoloninë bëhet më e vështirë?
Natyrisht që dhe kjo duhet marrë parasysh, sepse secili klub ka objektivat e veta, ashtu sikurse dhe ne. Ato kanë objektiva të caktuara dhe çdo ndeshje e vlerësojnë. E kampionati sa vjen dhe vështirësohet. Ikin javët e më pas është shumë vështirë të rekuperosh pikë.
Mungesa e kapitenit Pisha sa prish punë brenda formacionit tuaj?
Çdo mungesë e çdo futbollisti prish punë në skuadër. Ne do të kishim dëshirë t’i kishim të gjithë të gatshëm, por gjithçka është pjesë e gazrës.
Së fundi, përtej Bakajt e Plakut, ardhjet e tjera në këtë merkato dimri Bodrusiç, Romero e Çeko sa do të jenë pjesë aktive e formacionit tuaj?
Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Por në fushë 11 do të luajnë. Do të shohim stërvitjen e fundit e më pas do të vendosim përfundimisht për formacionin anti-Apoloni.
Kategoria Superiore
Java e 20-të
15 shkurt 2009
Teuta – Lushnja
Gjyqtar: L. Jemini
Elbasani – Vllaznia
Gjyqtar: A. Taullaraj
Besa – Tirana
Gjyqtar: S. Çekaj
Shkumbini – Partizani
Gjyqtar: T. Latifi
Dinamo – Apolonia
Gjyqtar: A. Janku
Bylis – Flamurtari
Gjyqtar: E. Peza
Shënim: Ndeshjet
fillojnë në ora 14:30