Shën VaLentini & Shën VatLenini
Edmond Tupja
Prej vitesh, qysh nga shembja e komunizmit edhe në Shqipëri, po kremtohet Shën Valentini, festë që po bëhet përherë e më shumë popullore, madje, mund të pohohet me plot gojën se po kthehet në një festë kolektive, për të mos thënë kombëtare. Të dashuruarit i blejnë dhurata njëri-tjetrit, gëzohen, argëtohen, me një fjalë lumturohen, paçka se të nesërmen edhe mund të mërziten apo të zemërohen me shoku-shokun për arsye nga më të ndryshmet, në varësi të vështirësive dhe të të papriturave të jetës së përditshme shqiptare plot ulje-ngritje stresuese.
Më e pabesueshmja është se po harrohet zanafilla e lashtë e kësaj feste si ditë e të dashuruarve, pra, e çiftit. Tani sheh e dëgjon, për shembull, një djalë apo një vajzë t’i urojë gëzuar Shën Valentinin së ëmës, të atit, motrës apo vëllait, burrit të së motrës apo gruas të të vëllait, kushërirës apo kushëririt, fqinjës apo fqinjit, profesores apo profesorit, drejtores apo drejtorit, koleges apo kolegut, thënë më thjeshtë, secila ose secili i uron gëzuar Shën Valentinin të gjithave e të gjithëve.
Pa dashur të zgjatem, po ju rrëfej çfarë më ndodhi vjet a parvjet me rastin e festës në fjalë: kisha hyrë para kohe në klasë dhe fillimisht qëlloi që më erdhën tri studente njëra pas tjetrës duke më uruar secila: “Gëzuar Shën Valentinin, profesor!”. Së parës nuk i thashë gjë. As së dytës. Së tretës ia preva hovin duke i thënë: “Me sa di, zonjushë, apo më saktë bija ime, unë nuk jam as bashkëshorti, as i fejuari, as i dashuri juaj. Vetëm ky grup personash ka të drejtë të presë urimin në fjalë nga bashkëshortja, e fejuara, e dashura e secilit si edhe t’ua drejtojë atyre. Sepse festa e Shën Valentinit është vetëm për të dashuruarit, pra, për çiftin e lidhur shpirtërisht e fizikisht”. Pas këtij sqarimi të domosdoshëm, erdhi me vonesë e u fut brenda i vetmi student i klasës, i cili, për inerci, më uroi, edhe ai, gëzuar Shën Valentinin. Ndërsa vajzat mezi po e mbanin të qeshurën, unë ia ktheva atij: “Djalosh, me sa di, unë nuk jam homoseksual, pra, nuk jam as i dashuri, as i fejuari, as bashkëshorti juaj”. Dhe e sqarova ashtu siç kisha bërë me shoqet e tij të klasës para se të vinte ai.
Pra, në Shqipërinë kapitaliste, po ndodh çudia e Shën Valentinit: ndërsa privatizimet shtohen e shumohen pareshtur në shumë sektorë të jetës ekonomike, virusi i kolektivizmit, në vend të kishte ngordhur përfundimisht, po mbijeton me krijimin e një psikologjie të mbrapshtë në sferën e jetës dashurore, që është individuale par exellence. Po vërejmë kështu një metamorfozë tragjikomike (Oi, oi, oi! dhe ha, ha, ha!): me kolektivizimin e saj, festa e Shën Valentinit po kthehet në festë të Shën VatLeninit! Të mos harrojmë se Lenini qe njëri prej ideatorëve dhe zbatuesi i parë i vendosjes së pronës së përbashkët, pra, kolektive, mbi mjetet e prodhimit. Tani, i shndërruar në Shën VatLenin, ai po rreket të kolektivizojë edhe mjetet e riprodhimit njerëzor, të cilat, me sa jam i informuar dhe nga përvoja ime intime, janë, deri tani të paktën, pronë rreptësisht private e mashkullit dhe e femrës për shtim popullsie e qejf robi si në qytet ashtu edhe në fshat, si këtej edhe përtej kufijve tanë shtetërorë.
Por e keqja s’paska fund: përveç kolektivizimit të tij, Shën Valentini i vërtetë po kombëtarizohet, d.m.th., së shpejti, sipas të gjitha gjasave, 14 shkurti do t’i zërë vendin 28 nëntorit, festës sonë kombëtare, të paktën zyrtarisht. Këtë e vërteton edhe veprimi i mëposhtëm aritmetik: Le të pjesëtojmë 28 me 2 (numrin e pandryshueshëm të pjesëtarëve të një çifti të dashuruar), çka na jep numrin 14. Le të marrim tani numrin 11 (nëntori, i njëmbëdhjeti muaj i vitit) dhe të mbledhim dy njëshat e tij, çka na jep numrin 2 (aq sa edhe pjesëtarët e një çifti të dashuruar). Kështu, “28 i 11-ti” na bëhet “14 i 2-ti”, pra, aritmetikisht, 14 shkurti zëvendëson 28 nëntorin, ditën e festës kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Ja përse komunistët, kriptokomunistët dhe fansat e vet të fandaksur në Shqipërinë kapitaliste, tash e tutje, në mitingjet, tubimet, manifestimet dhe kongreset e tyre do të brohorasin: “Lamtumirë Shën Valentin, mirësevjen Shën VatLenin!”