E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuni s‘bashkëpunon, kërkohet lista e telefonatave e sms-ve

 

Trazhgim Sokolaj

Hetimet për atentatin e një jave më parë ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, kanë mbetur në një pikë të vështirë. Asnjë provë e re nuk është administruar në dosje ditët e fundit, pasi verifikimet kryesore kanë përfunduar, ndërsa nuk gjendet asnjë provë për pistën e sulmit për shkak të detyrës si gjyqtar apo si pedagog në Fakultetin Juridik.  Burime zyrtare nga policia dhe organet e hetimit konfirmuan dje se grupi i oficerëve të angazhuar për zbardhjen e ngjarjes, dy herë me radhë ka tentuar të marrë dëshminë e plotë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, por ky i fundit nuk ka dhënë shenja bashkëpunimi. “Grupi hetimor ka marrë kontakt me gjyqtarin dy herë, kur ai ishte në spital, por edhe pasi la spitalin, ai nuk ka dhënë shenja bashkëpunimi në drejtim të verifikimit të pistave që janë ngritur për hetimin e ngjarjes”, thanë burimet nga policia. Sipas tyre, gjyqtari Ardian Nuni në dy rastet e kontaktit me hetuesit ka refuzuar të dorëzojë telefonin celular, edhe pse aparati është kërkuar dy herë me radhë. Në mungesë të provave dhe dëshmive që flasin për pistat e tjera, verifikimet në versionin e një atentati për shkaqe personale duket se janë rruga e vetme që i ka mbetur policisë, e cila konfirmoi dje zyrtarisht presionin e madh që ka për zbardhjen e sulmit të dhunshëm ndaj juristit 40-vjeçar, që duke mbajtur detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë ra pre e atentatit me armë zjarri një javë më parë.
Transkriptet e telefonit
Pasi Ardian Nuni ka refuzuar dy herë me radhë të dorëzojë telefonin celular dhe të japë të dhënat e kërkuara, hetuesit kanë zgjedhur një mënyrë tjetër për të siguruar të dhënat që kërkojnë. Ata mësohet se i janë drejtuar zyrtarisht kompanisë telefonike, të cilës i kanë kërkuar të zbardhë komunikimet telefonike të gjyqtarit 40-vjeçar, me qëllim verifikimin e ndonjë mesazhi apo bisede të dyshimtë që mund të ketë lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se koha e nevojshme teknikisht për zbardhjen e thirrjeve hyrëse-dalëse në telefonin e gjyqtarit Ardian Nuni është dy javë. Megjithatë edhe pse një proces i tillë teknik mund të përfundojë brenda këtij harku kohor, të dhënat pritet të mbërrijnë në prokurori me një vonesë më të gjatë për shkak të burokracive të rastit dhe procedurave që ndjek posta sekrete. Gjatë kësaj kohe mësohet se prokuroria dhe policia janë duke mbledhur të dhëna operative si dhe janë duke marrë në pyetje personat që kanë dijeni për ngjarjen, me qëllim verifikimin e çdo versioni që mund të çojë drejt zbardhjes së atentatit ndaj gjyqtarit Nuni. Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar rreth orës 23:30, kur juristi 40-vjeçar ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Kur po hynte në portën e pallatit të banimit, gjyqtari u sulmua në distancë të afërt nga një person që shkrehu katër herë pistoletën, por që nuk arriti të dëmtonte gjyqtarin, që pësoi një plagë pa rrezik në kofshë dhe një plagë tjetër në krah.

Atentati, UGJSH mbron gjykatësin Nuni
TIRANE - Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë mbron gjykatësin Ardian Nuni, pas atentatit që iu bë pak ditë më parë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp të shpërndarë mesditën e djeshme, UGJSH pohonte se shprehte keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime që klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal ndaj Nunit, vazhdon të endet ndjellakeqe dhe ogurzezë në jetën e përditshme të opinionit shoqëror. Duke sulmuar policinë dhe prokurorinë për paaftësi, UGJSH pohon: “Nëse janë të vërteta ato që emetohen çdo ditë në media dhe që kanë burimin që citohet, të tilla si ‘Gjyqtari refuzon të bashkëpunojë’ apo ‘Gjyqtari nuk jep celularin’, këto janë jo vetëm fyerje të opinionit publik, në përgjithësi dhe komunitetit gjyqësor në veçanti, por të bëjnë të besosh që krimi vazhdon”. Në fund UGJSH pohon: “Eshtë fatale që deri tani më tepër është folur për viktimën se për kriminelin, a thua se ky i fundit nuk ka asnjë faj”. f.m.

Atentati i zbardhur operativisht

TIRANE – Në rrugë operative, ngjarja e ndodhur me anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, duket se është zbardhur. Madje mësohet se disa prej anëtarëve të grupit të hetimit, tashmë kanë në duar emrat e dy personave që dyshohet se janë protagonistët e ngjarjes së rëndë. Personi i parë, sipas të dhënave nga hetimi, është i njohur i juristit, ndërsa i dyti, ai që dyshohet se ka qëlluar mbi gjyqtarin, sipas të dhënave duket se nuk ka njohje me viktimën. Grupi hetimor tha se personi i parë është shoqëruar dhe është marrë në pyetje për disa orë mbrëmjen e të hënës javën që shkoi. Sipas të dhënave zyrtare nga hetimi, mësohet se nga personi i pyetur në polici, i cili ka njohje me gjyqtarin është arritur edhe tek personi i dytë, që dyshohet se ka qëlluar me armë. Hetuesit thonë se autori mund të mos ketë pasur për qëllim eliminimin fizik të gjyqtarit, ndërsa nuk e ka njohur atë. Atentatori mësohet se nuk e ka ditur kë po qëllonte me armë, megjithatë ka hipoteza sipas të cilave para se të shkrehte armën, kur ndodhej fare pranë 40-vjeçarit, ai ka këmbyer disa batuta me gjyqtarin dhe më pas ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Ky version i ngjarjes është zbardhur operativisht nga bisedat e përgjuara dhe dëshmitarët që janë marrë në pyetje, por provat për autorin nuk janë të mjaftueshme sa për të kërkuar masë me heqje lirie ndaj tij. Për këtë shkak, hetuesit kanë marrë dy herë kontakt me gjyqtarin, duke kërkuar të dhëna prej tij.           t.s

“Po bisedoj me hetuesit për plagosjen”

Ferdinand Dervishi

Ardian Nuni, gjyqtari i Gjykatës së Lartë që u plagos me dy plumba në trup nga një i panjohur pak ditë më parë, e ka zërin krejt të qartë, edhe pse biseda konsumohet përmes telefonit celular.Madje, ai nuk ndryshon asnjë nga vlerat e fonisë së një njeriu krejt të shëndoshë nëse telefonata realizohet paradite. Krejt e kundërta ndodh nëse telefonata bëhet pasdite, pasi freskia e zërit humbet dhe përgjatë ligjëratës dallohen vuajtjet e njeriut që ka dy plagë plumbash në trup. Kjo është përshtypja e parë që të krijohet përmes testimit dëgjimor të tjetrit, ndërkohë që në të dyja kohët i njëjti është protagonist i një bisede të konceptuar qartë, të ndërtuar vetëm me përgjigje lakonike, sikur mes lidhjes së vendosur të mos ketë asnjë të plagosur, apo të shokuar nga ngjarja e pazakontë. Ndërsa gjithçka që thotë, e supercensuruar, tamam si nga goja e një gjykatësi, rreh të sqarojë se vërtet që ka pasur një ngjarje të pazakontë, që ishte sulmi dhe plagosja e papritur, por krejt ndryshe, pasngjarja, sipas gjyqtarit Nuni, nuk ka ndonjë zhvillim që të futet në qerthullin e të pazakontës.
Zoti Nuni, kohët e fundit, media, të cilat citojnë opinione të hetuesve të ngjarjes, po përsërisin se ju nuk po bashkëpunoni në masën e duhur me drejtësinë për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Si është e vërteta?
Nuk janë aspak të vërteta këto konkluzione të përçuara te mediat. Unë jam duke bashkëpunuar, fillimisht me policinë dhe tani me prokurorinë, në masën e duhur. Sa herë që ata e kanë parë të arsyeshme të bisedojnë me mua, unë ua kam krijuar mundësinë, kam bashkëpunuar. Pra dëshiroj të përsëris që unë nuk kam krijuar asnjë pengesë në asnjë rast për hetimin. Unë madje jam shprehur këmbëngulës për vazhdim të hetimit deri në zbulimin e autorit apo autorëve dhe zbardhjen totale të ngjarjes.
Ne kemi dëgjuar me versione të ndryshme, rrethanat e ngjarjes që ndodhi pak ditë më parë teksa ju ishit duke u futur në shtëpi. Versione që kanë mbërritur te ne gojë më gojë, kuptohet nga policia apo përfaqësues të hetimit. A mund të na rrëfeni me pak fjalë se si ndodhi konkretisht?
Jo, nuk doja t’i futesha këtij momenti. Mbase në një rast të dytë, pak kohë më vonë.
Po në media ka pasur lajme, sipas të cilave janë marrë në pyetje pedagogë, kolegë tuaj, por është hetuar gjithashtu edhe për ndonjë konflikt eventual për shkak të mësimdhënies. A mendoni se plagosja mund të ketë lidhje edhe me këto versione?
Nuk besoj se plagosja ka lidhje me mësimdhënien. Ajo mund të jetë një pistë shumë e largët në radhë, aktualisht për mua krejt e pabesueshme.  
 Atëherë mbetet që me përjashtimin që i bëni kësaj piste, të jeni sulmuar për shkak të detyrës?
Jo, nuk e thashë tamam kështu. Unë do të flas hollësisht për mediat në një ndërkohë të dytë. Por jo sot. Pra është ende herët. Kjo mund t’i prishë punë hetimit. T’i lëmë të punojnë edhe pak, pastaj do jem më i disponueshëm për të paktën një intervistë publike, me qëllim që të sqaroj plotësisht pozicionin tim përballë ngjarjes.
Mund t’ju pyesim se si ndiheni fizikisht. Pra a jeni më mirë pas kurimit që po kryeni?
Patjetër që jam më mirë. Po marr kurim në shtëpi dhe ndihem më mirë.
Nëse dikur pikat do të vihen mbi “i” dhe në rastin tuaj do të kemi të vërtetuar një plagosje për shkak të detyrës, a mendoni se kjo do të ndikojë në punën tuaj të ardhme si gjykatës pranë Gjykatës së Lartë duke ju bërë të jeni i pasigurt në vendimet që duhet të merrni?    
Pas marrjes së dy plumbave në trup, askush mendoj se nuk do ta ketë të lehtë, por nuk besoj se kjo do të më ndikojë.

KLD kërkoi kujdes me hetimin e ngjarjes
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cili e ka dënuar atentatin ndaj gjyqtarit Ardian Nuni që në momentet e para kur ndodhi ngjarja, ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që të bëhet kujdes me publikimin e të dhënave, në mënyrë që të mos cenohet figura, dinjiteti dhe statura e gjyqtarit dhe veçanërisht e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Sipas KLD-së, policia dhe prokuroria si dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit duhet të bëjnë kujdes me publikimin e të dhënave private, në mënyrë që të mos dëmtojnë imazhin e gjyqtarëve.

Policia ndaloi 40 persona për atentatin
Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe komisariati që mbulon zonën ku ndodhi atentati ndaj gjyqtarit, kanë kryer një numër voluminoz veprimesh hetimore me qëllim zbardhjen e atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni. Më shumë se 40 persona janë ndaluar në polici, përfshi këtu personat e dyshuar apo dëshmitarët që janë thirrur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, si dhe ata që janë ndaluar e marrë në pyetje në komisariatin e policisë. Një numër i madh personash që dyshohej se kishin qenë në vendin e ngjarjes u verifikuan imtësisht, ndërsa u pyetën për mekanizmin e atentatit.

Dosja e atentatit, hetim nga Antiterrori
Strukturat më të larta të sektorit të Antiterrorit të policisë së Tiranës si dhe agjentët e këtij sektori kanë marrë në duar dosjen penale për atentatin e ndodhur ndaj Ardian Nunit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se një grup i gjerë agjentësh të Antiterrorit po merret me mbledhjen e informacioneve dhe përpunimin e të dhënave operative, me qëllim identifikimin e autorit të atentatit dhe zbardhjen e shkaqeve të tij. Ndërkaq nga burimet zyrtare mësohet se hetimi i çështjes është ndjekur nga afër nga zv.drejtori i Policisë së Tiranës dhe krerët e Departamentit të Hetimit në Policinë e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›