Virusi pandemik AH1N1, nëntë raste me komplikacione
Shkon në 450 numri i të prekurve nga gripi i derrit. Dy prej pacientëve ndodhen të intubuar në sanatorium
Virusit të gripit të derrit nuk i ka bërë asnjë përshtypje përmbytja në Shkodër, nëse bie zjarr apo nëse jemi në ditë festash. Intensiteti me të cilin po godet gripi është ulur ndjeshëm, megjithatë rastet e rënda nuk kanë munguar.
Ndërsa analizat e Institutit të Shëndetit Publik pranë laboratorit të Virologjisë raportojnë se në vend, tashmë prej më shumë se 6 muajsh janë prekur rreth 450 shqiptarë me AH1N1, të tjerë kanë shfaqur komplikacione për shkak të infektimit nga virusi pandemik. Deri tani, në vend, numërohen 12 të vdekur për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga gripi i derrit, raste të tjerë kërkojnë trajtim të specializuar në qytetet kryesore të vendit, kryesisht në Tiranë.
Rastet me komplikacione
Dje, në ditën e parë të javës, raportimet e specialistëve të shëndetësisë lidhur me situatën e gripit konsiderohen të qeta. Nuk ka fluks të të prekurve nga epidemia, nuk ka qarkullim të gripit stinor si në muajin nëntor të vitit të kaluar, nuk raportohen as kombinime të dy viruseve apo mutacion të AH1N1.
Deri dje, raportohen nëntë raste me komplikacione për shkak të prekjes nga gripi pandemik. Konkretisht, sipas shëndetësisë, ka dy raste të cilët ndodhen të intubuar në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Veç tyre katër pacientë ndodhen të shtruar në dhomat e sanatoriumit.
Një pacient në moshë minore po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve në godinën e pediatrisë. Dy pacientë të tjerë ndodhen në terapi në shërbimin e infektivit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Pavarësisht gjendjes së emergjencës së krijuar për shkak të përmbytjes në Shkodër, në zonat me probleme po mbahet nën kontroll edhe gjendja shëndetësore e banorëve ku janë dërguar mjekë dhe specialistë në shërbim 24 orë. Specialistët po qëndrojnë në gatishmëri edhe për rastet e dyshuara me AH1N1.
Situata
Rastet e konfirmuara me AH1N1 janë të shpërndara pothuajse në të gjithë zonat gjeografike të vendit, gjë që flet për qarkullim të virusit thuajse në të gjithë vendin. “Ajo çka është e rëndësishme të theksohet është se numri më i madh i rasteve vërehet në zonat kryesore urbane apo në ato rrethe ku ka pasur grumbullime, në Tiranë, Durrës, Mat ku është marrë edhe numri më i madh i mostrave. Në Mat është evidentuar grumbullimi i parë në shkolla”, sqaron Instituti i Shëndetit Publik në buletinin e fundit informativ lidhur me situatën e qarkullimit të gripit në vend. Mostra për ekzaminim janë marrë në mënyrë periodike edhe në rrethet e tjera, të cilat paraqesin dhe incidencën më të lartë të infeksioneve respiratore. Në 66 për qind të rasteve me sëmundje të rëndë respiratore akute është konfirmuar gripi pandemik.
“Janë raportuar 55 raste të rënda të konfirmuara nga qershori 2009, në të cilat 46 raste janë raportuar nga fillimi i dhjetorit 2009. 22 për qind e totalit të këtyre rasteve i përket grupmoshës 0-14 vjeç. Dy raste të moshës nën 12 muaj. Një nga rastet fëmijënore ka si sëmundje bashkëshoqëruese leshmanjozën dhe një rast tjerr paraqet encefalopati, sëmundje e trurit”, sqaron zyrtarisht Instituti i Shëndetit Publik.
#