Bluzat e bardha nuk pranojnë të vaksinohen
Fier, mbërrin vaksina antigrip
Në Rrethin e Fierit ka mbërritur kontingjenti i parë me vaksinat kundër virusit AH1N1. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Parësor në Fier, dozat e para të vaksinës do të jenë në dispozicion të personelit mjekësor. “Kanë mbërritur në Fier sasitë e para me vaksinën kundër virusit AH1N1. Bëhet fjalë për 400 doza. Sipas planit të drejtuesve të ministrisë konfirmohet se këto doza do të jenë në dispozicion të personelit të qendrave shëndetësore, poliklinikave dhe spitaleve të Rrethit të Fierit”, ka thënë Anila Moçi.
Gjithashtu Moçi ka detajuar se sasia me vaksinën që ka mbërritur në Fier është më se e mjaftueshme për bluzat e bardha, kryesisht të atyre kategorive që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët apo më të prirë për t’u prekur nga virusi i rrezikshëm. Por edhe pse në drejtorinë e shëndetit parësor të Fierit dhe konkretisht pranë departamentit të epidemiologjisë i shmangen përgjigjes se sa është numri i bluzave të bardha që e kanë bërë vaksinën, nën zë të pohojnë se asnjë nga dozat nuk është përdorur. “Nuk jemi në dijeni sesa vaksina janë përdorur, por mund të themi se ka stepje, qoftë të mjekëve apo dhe infermierëve për përdorimin e kësaj vaksine”, të thonë në drejtorinë e shëndetit parësor.
Nga ana tjetër, bluzat e bardha të Fierit, mjekë dhe infermierë të qendrave shëndetësore në lagje të ndryshme të qytetit, janë shprehur kundër përdorimit të kësaj vaksine. Kujtojmë se dy ditë më parë janë konstatuar dy raste të reja të prekur me AH1N1, e ndërkohë që 12 të tjerë janë dyshuar.
#