E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, bie armatura, plagoset fadromisti

I aksidentuari, jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës

Shembet armatura e galerisë, aksidentohet fadromisti. Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në njërën prej galerive të minierës së Bulqizës, ku për pasojë është plagosur një specialist fadromist. Firma e huaj koncesionare “Albanian Chrome ACR”, e cila aktualisht administron këtë minierë, bën me dije për “Shqip” se rreth orës 19:00 të së dielës, gjatë turnit të dytë të punës, specialisti Afrim Dalip Rexha, 40 vjeç, me profesion mikroskupist, është aksidentuar në punë. Ai po trajtohet aktualisht në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Burime spitalore bëjnë të ditur se 40-vjeçari Rexha tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po u nënshtrohet një serie analizash për të vlerësuar përmasat e dëmtimit fizik. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se teksa 40-vjeçari Rexha ka qenë duke punuar me mikroskup, në nivelin e 16 të pusit nr. 2, ka goditur njërën këmbë të armaturës së ndërtuar brenda galerisë. Zhvendosja e mjetit mbrapa ka shkaktuar rrëzimin e katrorit të armatimit, i cili pasi e ka goditur Rexhën, e ka zënë nën vete. Për pasojë, ai ka pësuar dëmtime të shumta në pjesën e kurrizit dhe këmbë. Kolegët e turnit i kanë ardhur menjëherë në ndihmë dhe ai është transportuar fillimisht në spitalin e Bulqizës, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mbikëqyrje dhe trajtim mjekësor më të kualifikuar.
Tashmë gjendja e tij shëndetësore konsiderohet jashtë rrezikut për jetën, disi më e stabilizuar, por megjithatë duhet të qëndrojë për disa kohë nën trajtim mjekësor. Ndërkaq firma koncesionare “Albanian Chrome ACR” bën të ditur se ende nuk dihet se si ka ndodhur aksidenti, por po hetohet rreth shkaqeve të ndodhjes së aksidentit, në kuadër të praktikës procedurale të sigurimit teknik në punë. Ndërkohë “Albanian Chrome ACR”, shpreh keqardhjen për aksidentimin e 40-vjeçarit Rexha dhe përfaqësues të saj thonë se mbeten të angazhuar për të mbështetur me çdo mjet rehabilitimin shëndetësor të punonjësit të tyre. Firma siguron gjithashtu se po punohet për të garantuar siguri më të lartë në punë dhe kushte gjithnjë e më të mira për minatorët e saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›