E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditari sekret i Enverit: Kërcënova Vito Kapon të mos dyshojë për vdekjen e Hysniut



Më në fund arkivat arrijnë të zbardhin disa faqe me përmbajtje krejt të pacensuruar nga shënimet e Enver Hoxhës. Materiali që "Panorama" do të botojë më poshtë është pjesë e një ditari sekret, apo më saktë pjesë të ditarit të Enver Hoxhës, që nuk janë përfshirë në publikimet që mbajnë emrin e tij. Ky ditar është mbajtur nga Enver Hoxha në vitet e fundit të jetës, kur ai nuk ishte në gjendje të shkruante vetë, pra është mbajtur në versionin e incizimeve audio. Këto incizime, pasi janë transkriptuar nga një sekretar dhe shtypur me makinë shkrimi, janë censuruar në momentin kur u ka ardhur koha të botohen. Këtë thotë të paktën një shënim me shkrim dore i lënë në anë faqes të ditarit që po botojmë. Pra aty thuhet "jo", të mos botohet. Ndërkohë në të njëjtin shënim shkruhet se kjo pjesë e ditarit mund të futet në dosjen "e saj", pra mundësia është se bëhet fjalë për dosjen e Vito Kapos, të vesë së Hysni Kapos, por njëkohësisht, shënimi thotë se kjo pjesë e ditarit mund t'i jepet edhe Ramiz Alisë "për dijeni". Pra ka shumë të ngjarë që këto shënime të jenë bërë pas vdekjes së Enver Hoxhës, nga redaktorët e ditarit të tij, mbase nga vetë Nexhmije Hoxha, që është marrë me publikimet e ngjashme.
Ndërsa përmbajtja e kësaj pjese të censuruar të ditarit audiofonik të Enver Hoxhës është krejt origjinale, krejt e papritur në mënyrën se si vjen, krejt e kundërt me ato që për dekada me radhë historiografia shqiptare dhe jo vetëm, i ka dhënë publikut për ushqim. Ky dokument vërteton mbase për herë të parë se sa të errëta ishin në të vërtetë marrëdhëniet mes krerëve komunistë shqiptarë, se si përhapeshin thashethemet dhe se si vetë Enver Hoxha kishte frikë prej tyre, aq frikë sa të arrinte që të kërcënonte drejtpërdrejt edhe Vito Kapon, bashkëshorten e një prej miqve më besnikë të tij, Hysni Kapos.
Pjesa e ditarit, që do të publikojmë më poshtë, mban datën 22 shtator 1982, pra shënimet janë mbajtur nga Enver Hoxha fiks dy vjet pas vdekjes të Hysni Kapos, më 23 shtator 1979, në një klinikë të Parisit. Ndërsa ngjarja, që përshkruhet në ditar, një takim i Enver Hoxhës me Vito Kapon, ka të ngjarë të jetë më e hershme, disa muaj pas vdekjes së Hysniut. Enver Hoxha është informuar se në popull janë hapur fjalë se Hysni Kapon e kanë vrarë, pra se ai nuk ka vdekur nga sëmundja, që ishte edhe versioni zyrtar dhe për më tepër i njëjti ka të dhëna se këtë pandehmë e mbështet dhe i shkon pas edhe Vito Kapua, e veja e Hysniut. Po kështu Enver Hoxha ka të dhëna sipas të cilave, Vitua ka "hedhur helm" edhe kundër Ramiz Alisë, që ishte i pranishëm në Paris për t'u kujdesuar për shëndetin e Hysni Kapos. Një tjetër zhvillim, që sipas përmbajtjes së ditarit, nuk i ka pëlqyer Enver Hoxhës. Po kështu në të njëjtin material përmendet një nga funksionarët e Sigurimit të Shtetit, si i përfshirë në "komplotin" e vrasjes së Kapos, të cilin për pasojë e kanë larguar nga detyra, përmendet një mjeke si autore e "thashethemit" se Hysniun e kanë vrarë, ka një qëndrim agresiv të Enver Hoxhës që thotë se "unë e fus në burg", por para së gjithash, ajo që është më e rëndësishme, kreu i komunistëve shqiptarë "siluron" edhe vetë Vito Kapon. Duket, Enver Hoxha, i lodhur nga thashethemet për vrasjen e Hysni Kapos, apo nga mendimet për dëmin që ato mund të shkaktonin në opinion, arrin deri në kërcënim të të vesë së tij, Vito Kapos. E cila, sipas Hoxhës, nuk duhet të merret me thashetheme dhe "duhet të bëjë një jetë sa më të thjeshtë". Kërcënimi i Enverit lexohet në fjalët kur i drejtohet Vito Kapos, duke i thënë se e respekton, por se përpara interesave të partisë, nuk vë askënd, se zakonisht ai fut në harresë shokët që bëjnë gabime dhe me kalimin e kohës korrigjohen, por "në rast se ata vazhdojnë, 'kompjuteri' i tij funksionon" etj.
Në fund të bisedës, Hoxha i thotë Vito Kapos se ka 50 vjet që punon për komunizmin dhe se gjatë jetës ka parë shumë njerëz me mendime dhe karaktere të ndryshme që është në gjendje t'i gjykojë. Një argumentim me anë të të cilit ai përpiqet t'i kujtojë Vito Kapos se njeh mirë gjithsecilin dhe se ajo do të bënte mirë të mos dyshonte për askënd nga bashkëpunëtorët e tij. Më poshtë materiali i plotë.
E hënë
27 shtator 1982
Thirra Vito Kapon dhe i tërhoqa vëmendjen për çështjen se është përhapur në të gjithë vendin tonë, sikur shokun Hysni Kapo e kanë vrarë dhe nuk paska vdekur nga kanceri. Kjo thënie nga dikush duhet të ketë dalë, i vura në dukje Vitos, por unë sot po të qortoj se ke qenë vetë ti që ke ardhur tek unë dhe më ke shprehur dyshimin se mos Hysninë e kanë vrarë. Të jam përgjigjur me këtë rast, duke u bazuar në shkencën mjekësore, se shkaku ose mikrobi i kancerit akoma nuk është zbuluar dhe ai nuk mund të inokulohet, ndryshe do t'i ishte gjendur ilaçi, dhe për t'ia arritur këtij qëllimi, po punojnë gjithë shkencëtarët e botës. Pra, faktet dhe raportet e mjekëve tanë dhe atyre francezë vërtetojnë se Hysniu ka pasur kancer dhe nuk mund të shpëtonte. Ti, njëkohësisht, i vura në dukje Vito Kapos, je ankuar tek unë për Ramizin, se ai nuk qenka interesuar për Hysninë kur erdhi në Francë, më je qarë gjithashtu edhe për një nga kuadrot që e shoqëronin Hysninë, për Servet Backën. Unë ta kam kundërshtuar seriozisht këtë pohim tëndin dhe të tregova se Ramizi u dërgua në Paris nga shokët, që të interesohej dhe në ato kushte të vështira të ishte pranë Hysni Kapos, pse gjykuam që në qoftë se mund të ishte një shok që në atë gjendje të rëndë shëndetësore të Hysniut, mund t'i qëndronte këtij afër, ishte Ramizi. Dhe ai këtë detyrë e kryejti. Ti tani vjen më thua se Ramizi në Paris është interesuar vetëm për vajzën e tij, që edhe kjo kishte shkuar në atë kohë atje për mjekime me kërkesën e Ramizit. Unë të pata sqaruar se vajzën nuk e kishte thirrur vetë Ramizi për kurime në Paris, por isha unë që kisha dhënë porosi të dërgohej, kurse Ramizi shkoi atje apostafat dhe vetëm për të qëndruar pranë Hysniut dhe e kryejti detyrën që iu ngarkua pikërisht në një kohë kur nuk kishim asnjë shpresë që Hysniu të shpëtonte nga kjo sëmundje e rëndë. Megjithë këto sqarime që të dhashë gojarisht, më pas ti, por për të njëjtat çështje, më dërgove edhe një letër, e cila ndodhet në Arkivin e Komitetit Qendror. Kjo do të thotë se në kokën tënde ka lindur dyshimi se Hysninë mund ta kenë vrarë. Kur ta sqarova fillimisht këtë çështje u duk sikur u binde për sa të fola, por pastaj pas shumë muajsh ti prapë shkove te Ramizi dhe ia përsërite këto dyshime, domethënë vazhdove të dyshosh se Hysninë mund ta kenë vrarë. Dhe tani në gjithë Shqipërinë kështu flitet, që Hysninë e kanë vrarë, bile këto thënie venë duke u shtuar pse edhe armiqtë i fryjnë kësaj çështjeje, duke përhapur fjalën se operacionin ia ka bërë Hysniut, djali bastard i Llambi Ziçishtit që është doktor. Pra punon fantazia e armikut. Një gjë të tillë ma ka shkruar mua edhe armikja e Partisë, Vera Ngjela, e cila nën petkun gjoja të doktorit vë në dyshim vdekjen e Hysniut nga kanceri. Edhe ai që ka qenë mjek personal i Hysniut, qe tip që e mbron, akuzon gjithë trupin mjekësor që kujdesej për Hysninë. Në qoftë se ai do të vazhdojë të bëjë të tilla pohime shpifarake, unë do ta fus në burg. Kështu janë faktet, shoqja Vito, prandaj ti duhet t'i luftosh thëniet pa baza që po përhapen poshtë e përpjetë. Shoqja Vito m'u përgjigj se këto unë jua kam thënë për arsye se barazoj momentin kur u hap Hysniu pastaj u mbyll menjëherë, duke më vënë në dijeni sikur nuk kish gjë me rëndësi, por kur u hap përsëri atëherë dyshova. Edhe në qoftë se është vepruar kështu, i shpjegova, mundet që tumori të mos kishte dalë ose të mos ishte diktuar. Më pas u bë kontrolli me aparate special dhe kësaj radhe u duk qartë që ishte kancer. Prandaj e hapën përsëri më thellë dhe kësaj radhe u vërtetua plotësisht se nga mjekët tanë, tek të cilët ne kemi besim, edhe nga doktorët francezë që operuan Hysninë se kancer ishte.
Shoqja Vito tha se për këtë që po flitet kam dëgjuar edhe unë po atyre që më kanë folur drejtpërdrejtë u kam shpjeguar se shoku Enver më ka siguruar mua që vrasje nuk mund të ketë ndodhur se kanceri nuk inokulohet dhe atij nuk kanë ç'i bëjnë. "Këto gjëra fliten në Vlorë" - tha ajo. Kjo do të thotë, ia mora fjalën unë, se atje dikush e ka përhapur këtë lajm pa baza. Por kështu nuk flasin vetëm në Vlorë po deri edhe në konferencat që bëhen, thuhet sikur Hysni Kapon e kanë vrarë. Unë nuk të ngarkoj se i ke thënë e përhapur t'i këto që fliten, por fakt është se t'i vetë dyshime ke pasur.
Përsa i përket çështjes së Servet Backës, kujt i ke thënë tjetër përveç meje? - e pyeta. Vitoja u përgjigj se vetëm mua më kish treguar. Pastaj tha, po ja për Servet Backën i kam folur edhe Fiqret Shehut. Po tjetërkujt nuk të kujtohet ti kesh thënë? Jo, m'u përgjigj ajo, nuk i kam thënë tjetërkujt. Po a e di ti se kush ka dhënë urdhër që Servet Backa të hiqej si shef i organeve të Sigurimit për Tiranën? Ky ka qenë Mehmet Shehu, i thashë unë. Nga faktet që kemi në dorë rezulton se Mehmet Shehu ka dhënë urdhër për ta hequr andej Servetin. Pastaj vazhdova: Mos i ke thënë gjë edhe Kadri Hazbiut për këtë çështje? Ajo m'u përgjigj se, kur kam folur me Kadrinë për Servet Backën, më është përgjigjur: "Mbylle gojën". Megjithatë e njoftova se unë do të vete t'i tregoj shokut Enver.
Më në fund iu drejtova Vitos: Unë të respektoj si shoqe, por më parë mbroj interesat e Partisë, përpara të cilave nuk marr parasysh asgjë. Në kokën time kur shoh se një komunist ose kuadër që ka gabuar bën kthesë, ecën dhe vepron në rrugën e partisë, pra korrigjohet, i fus në harresë ato gabime që mund të ketë bërë më parë, por në rast se vazhdon në rrugën e tij të gabuar atëherë "kompjuteri" im funksionon. E dyta, i thashë, po të bëj edhe një vërejtje të jesh më e thjeshtë në jetë në detyrë e kudo. Ajo më tha se mund të të kenë informuar për disa çështje që më kanë ngjarë jo me shokun Foto (çami), jo me shokun Ramiz. Këto që po më tregon nuk i di, vazhdova unë por po të them se kam lindur disa vjet më parë se ti, kam 50 vjet që punoj për komunizmin, gjatë jetës sime kam parë njerëz të shumtë me mendime e karaktere nga më të ndryshmit, prandaj deri në njëfarë shkalle jam në gjendje t'i gjykoj me objektivitet njerëzit, mendimet dhe veprimet e tyre dhe nuk flas dot. Këtë mbaje parasysh, e përfundova bisedën me të. Do ta kem parasysh, premtoi ajo në mbarim të takimit.
vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›