Durrës, dyfishohet taksa e plazhit privat në Adriatik
DURRES/ OERD ULQINI
Sipërmarrësit që do të zotërojnë këtë vit një plazh privat në Durrës do të duhet t'i paguajnë bashkisë dyfishin e taksave. Një hap i tillë ndërmerret për ta bërë më të kushtueshëm këtë lloj aktiviteti, me qëllim uljen e kërkesës për plazh privat. Tarifat e ulëta të plazheve private kanë sjellë deri më tani një numër tejet të lartë aplikimesh, zbatimi i të cilave kryhej në dëm të plazhit publik. Shpeshherë janë krijuar konflikte mes pushuesve dhe administratorëve të plazheve private, teksa këto të fundit u kërkonin atyre 300-400 lekë për një ditë plazh. Kjo, pasi në territorin e një plazhi privat nuk mund të ngulësh çadra me dëshirën e pushuesve, por këta të fundit në pamundësi për të gjetur një territor të lirë publik konfrontoheshin rëndom me privatin. Raportet mes këtyre plazheve deri në verën e vitit 2009 kanë qenë tejet të çbalancuara, pasi plazhi privat zinte më shumë se 70% të sipërfaqes totale dhe për më tepër ai shtrihej në zonat më të mira, mes sektorëve "Teuta" dhe "Iliria". Ndërsa plazhi publik me 30 % të rërës ishte vendosur në zonat pranë kanaleve, pranë inerteve dhe në vende të tjera të papastra. Në rast se vitin e kaluar, për një parcelë të plazhit privat paguhej 120 mijë lekë, tashmë këta sipërmarrës do të duhet të paguajnë shifrën e 250 mijë lekëve për periudhën 15 maj-15 shtator. Për këtë çështje, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi se "për 2010-ën do të dyfishohet taksa e subjekteve që do të licencohen si aktivitete në plazhet privatë". Megjithëse dyfishimi i taksës vendore për plazhet privatë kërkon miratimin e Këshillit Bashkiak të qytetit, burimet thanë se për këtë pikë është rënë dakord nga palët, me miratimin e paketës fiskale në këtë këshill. Rritja e taksave është një kërkesë e kahershme e pushuesve, sepse pavarësisht deklarimeve në sezonin veror, deri më tani nuk ka funksionuar një plazh publik i mirëfilltë. Pushuesit kanë qenë gjithnjë të mendimit se rritja e taksave do të zvogëlonte numrin e plazheve privatë, ndaj kjo do të ishte një zgjidhje e mirë. Në sezonet parar-endëse, thuajse e gjithë sipërfaqja publike zihej nga privatët. Shtrenjtimi i plazheve mund të sjellë në një raport më të drejtë të plazhit privat me atë publik. Por kjo nismë mbart me vete edhe rrezikun e shtrenjtimit të faturës për ata turistë që duan çadrat dhe shezlongët e privatit. Një hap i tillë mund të shtrenjtojë me 30-50% çmimet e çadrave në plazhin privat. Vitin e kaluar në plazhet e Bashkisë së Durrësit u vendosën mbi 100 plazhe private. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv. Në ditët e gushtit, plazhi i Durrësit mbipopullohet, duke pritur mesatarisht 200 mijë pushues në ditë.