E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tremujori i parë i vitit rrit oreksin për kredi



Kërkesa për të blerë prona dhe shtëpi me kredi ka shënuar nivelin më të lartë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, bën të ditur Banka e Shqipërisë. Ky produkt konsiderohet tashmë si një nga llojet e kredive, me interes si për bankat, ashtu edhe për klientët. Pesha e kësaj kredie ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të vitit 2008 përbënte rreth 24 për qind të portofolit të përgjithshëm të kredive në sistemin bankar shqiptar. Sipas BSH-së, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që arrijnë nivele dyshifrore të raportit të kredive për pasuri të paluajtshme me PBB-në, përfshirë edhe Shqipërinë, janë në nivele shumë të ulëta. Për vendin tonë kjo shifër llogaritet afërsisht 7 për qind, e krahasueshme me vendet e tjera të Europës Juglindore. Kredia për shtëpi ka përfshirë në një konkurrencë të fortë bankat e nivelit të dytë në vend, ku oferta joshëse ofrohen çdo ditë. Duke përfshirë çmimin bazë të euros (euroborin), që është aktualisht 4 për qind plus përqindjen në lekë e cila varion nga 2,5 deri në 5 për qind, interesi vjetor i kredisë arrin nga 5 -8 për qind. Nga ana tjetër gatishmëria e bankave për të dhënë kredi mbetet e lartë edhe pse BSH-ja ndërmori në fillim të vitit disa masa për frenimin e rritjes së kredisë. Arsyeja kryesore pse politikat e bankave për kredidhënien mund të mos jenë ndikuar sa duhet nga këto masa, qëndron në konkurrencën e lartë që po zhvillojnë bankat në drejtim të dhënies së kredisë në lekë. Por përveç normave të interesit bankat po konkurrojnë me shërbimet që ofrojnë për interesat. Sipas një oferte të fundit për kredinë për shtëpi ofrohet edhe normë fikse interesi për të gjithë periudhën. Kredia për shtëpi dhe pasuri të paluajtshme dominon kredinë për individë. Bankat veçanërisht për kreditë për shtëpi preferojnë që apartamenti që do të blihet të jetë i hipotekuar në mënyrë që banka të ketë garanci në rast mosshlyerje të pagesave ndaj saj. Vlera e tregut të hipotekës në përgjithësi duhet të jetë 150 për qind ose 1.5 herë më e lartë se, shuma e dhënë kredi. Afatet e shlyerjes së kredisë variojnë për kreditë për shtëpi nga 10 në 25 vjet, por afati normal konsiderohet 15 vjet.

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›