Një dasmë e përzier me dhimbjen e zhdukjes së Aurora Latollarit
Një histori sa zakonshme aq dhe e ngatërruar, e ngjashme me një skenar triller, do të përbënte boshtin kryesor të zhvillimit të emisionit të shtunën e kaluar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus. Që prej 25 shtatorit të vitit 2005 familja shkodrane Lekvukaj jeton me ankthin dhe dyshimin për atë që mund t’i ketë ngjarë djalit të tyre. Edi Lekvukaj jetonte që prej vitit 1999 së bashku me familjen e tij në lagjen “Anesenz”, Belgjikë. Edi shërbente në një kafene me pronar Todisko Xhakomone nga Italia. Që në ato momente kur është larguar nga shtëpia të afërmit e tij nuk kanë marrë më asnjë shenjë jete për Edin. Sipas Xhakomones, Edi i ishte shprehur këtij të fundit se dëshironte të largohej në drejtim të Francës e më pas në Marok ose Tunizi. Mbasi kishin kaluar dy ditë që Edi s’po jepte asnjë shenjë jete, familjarët kanë vazhduar kërkimet. Atë mëngjes të datës 25 shtator 2005 djali shkodran kishte shkëmbyer një sërë telefonatash me pronarin e tij. Vetëm 3-4 ditë pas humbjes Xhakomone pohonte se kishte marrë një telefonatë nga Edi, i cili i kishte thënë se ndodhej në Lile të Francës. Nga verifikimet ka rezultuar se nga ai qytet telefonata është realizuar nga një shok i Xhakomones, i quajtur Zhak Lauri, me origjinë nga Maroku. E gjitha kjo kishte qenë një alibi e ngritur nga pronari italian për të humbur gjurmët e vërteta të Edit dhe mbase për të mbuluar ndonjë të fshehtë të hidhur.
Kërkimet në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus filluan t’i japin një tjetër drejtim historisë së mistershme të Edi Lekvukajt. Telefonues të ndryshëm natën e së shtunës dhanë informacione, sipas të cilave gjatë muajve të fundit ai ishte parë në disa qytete të ndryshme në Itali. Një dritë shprese në fundin e një tuneli të gjatë e të errët. Mes orvatjeve nostalgjike fëmijërore është vërtitur për vite me radhë jeta e Brunilda Tilkës, një vajzë e imët 24-vjeçare, e cila u braktis nga nëna e saj që në momentin kur lindi. E ka pyetur shpesh veten përse nëna e la vetëm në dhomën e ftohtë brenda një inkubatori dhe u largua përgjithmonë nga ajo, por nuk arriti ta marrë asnjëherë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kjo bëri që Brunilda t’i drejtohej emisionit “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, me shpresën për të njohur nënën e saj pas kaq vitesh mungesë. Ajo rrëfeu historinë e jetës së saj që prej momentit kur ishte birësuar nga një çift në moshën 7-vjeçare. Stafi i gazetarëve filloi menjëherë kërkimet për të gjetur nënën e Brunildës. Fillimi i kërkimeve dukej i vështirë pasi në regjistrin themeltar të shtëpisë së fëmijës në qytetin e Durrësit nuk figuronte asnjë fëmijë me emrin Brunilda Tilka. Informacionet që vinin në adresë të emisionit “Njerëz të humbur” flisnin për një zonjë, e cila jetonte në Durrës. Të shtunën mbrëma, falë informacioneve dhe verifikimeve, u arrit të gjendej nëna e Brunildës. Teksa preku receptorin e telefonit Brunilda filloi të dridhej nga emocionet dhe ndjenja e madhe e dashurisë që kishte për personin që e solli në jetë.
Merr fund kërkimi i Dustin Haxhiut, i cili kishte humbur kontaktet me gjyshërit në shtator të vitit 2003. Historia e kësaj “ironie fati” filloi vite më parë me largimin e babait të Dustinit jashtë shtetit. Ai bashkëjetonte me një vajzë gjermane, e cila quhej Nancy Micksch. Pasi martohet me të ajo sjell në jetë një djalë, të cilin e quajti Dustin. Gjatë kësaj kohe Nancy vjen dy herë në Shqipëri. Në vitin 2000 babai i djalit humb jetën si pasojë e një aksidenti. Kontaktet mes gjyshërve dhe Nancy-t kanë qenë të rregullta deri në muajin shtator të vitit 2003. Por ato ndërpriten pas asnjë lloj arsyeje duke vënë në dilemë ekzistencën e të dyve. Korrespondentja e “Njerëz të humbur”në Vizion Plus në Gjermani ka mundur më në fund të flasë me Nancy-n dhe të gjejë vendndodhjen e saj. Në bazë të informacioneve të para djali është 12 vjeç, vazhdon klasën e shtatë dhe është shumë mirë me mësime. Ai merret me sport, xhudo dhe gëzon një shëndet të plotë. Dustin ka dijeni se babai i tij ka qenë shqiptar dhe se prindërit e babait jetojnë në Shqipëri, por ai nuk flet fare shqip. Falë Njerëz të Humbur gjyshërit mund t`i dërgojnë Dustinit letra, foto si dhe pako pa kurrfarë problemi. Sonte në Njerëz të Humbur do të mund të ndiqni: Në Belgjikë apo Itali, Edi Lekvukaj apo dikush tjetër i ngjashëm me të, pikëpyetja pritet të marrë fund në sajë të investigimit intensiv të gazetarëve të Njerëz të Humbur. Dyshohet se jeton në Kosovë, por nuk dihet ende vendndodhja reale e tij. Ç`ka ndodhur me fatin e Ndriçim Toskës që prej 2004-s? Viti 1998 shënon humbjen e kontakteve të Aurora Latollarit me familjen e saj. Një dasmë e përzier me dhimbje. Cila është historia e Aurorës? Përkujtohet 20 maji, Dita Kombëtare e Jetimëve Shqiptare. Njerëz të Humbur edhe këtë ditë pranë tyre nëpërmjet rubrikës “Ironi fati”. Këto dhe të tjera fakte ndiqini sonte në orën 21:00 “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.
24 Maj 2008