E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditë lirie dhe krenarie për shqiptarët

16-12-2010 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri Ilir Meta uron qytetarët për heqjen e vizave

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta  uroi dje shqiptarët në ditën e parë të lëvizjes pa viza në hapësirën e Bashkimit Evropian, “Schengen”.
Kreu i LSI-së e cilësoi 15 dhjetorin si ditën e lirisë, krenarisë dhe dinjitetit shqiptar. Meta theksoi kontributin e LSI-së në këtë hap të rëndësishëm të liberalizimit të vizave.
“Dua të shpreh lumturinë time dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për arritjet e kësaj dite të madhe, për të gjithë qytetarët e vendit tonë  sepse heqja e vizave ka qenë një premtim dhe një angazhim madhor i kësaj lëvizjeje, ka qenë një nga arsyet përse ajo është krijuar”, tha Meta.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri vlerësoi se 15 dhjetori është dita ku  u plotësua një nga qëllimet e lëvizjes së dhjetorit 90- të. Gjithashtu Meta theksoi se një kontribut real për liberalizimin e vizave për Shqipërinë ka edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duke shtuar se vizat ishin edhe arsyeja kryesore për aleancën me Partinë Demokratike. Zëvendëskryeministri Ilir Meta, vlerësoi rolin e qeverisë e po ashtu dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për arritjen e këtij vendimi dhe kësaj dite historike që i jep të drejtë shqiptarëve të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Meta theksoi gjithashtu se heqja e vizave ishte një nga premtimet kryesore të kësaj partie që u kthye në realitet.
“Është një ditë e lumtur për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse heqja e vizave ka qenë një premtim dhe një angazhim madhor i kësaj lëvizjeje, ka qenë një nga arsyet përse ajo është krijuar, pra për të realizuar këto hapësira lirie dhe evropianizimi për Shqipërinë dhe qytetarët tanë dhe njëkohësisht ka qenë një nga arsyet kryesore të formimit të Koalicionit të Integrimit pas zgjedhjeve të fundit të qershorit të vitit 2009-ës”, tha kreu i LSI-së Ilir Meta.
Gjithashtu zëvendës/kryeministri u solli në kujtesë shqiptarëve se para 20 viteve Shqipëria ishte një ndër vendet ku kishte shumë shumë radha, që nga radha e qumështit, që nga radha e mollëve, që nga radha e peshkut e kështu me radhë.
“Këto radhët u hoqën dhe e vetmja që kishte mbetur ishte ajo e rropatjes nëpër ambasada dhe plotësimit të atyre formularëve, që shpesh refuzoheshin, ndaj edhe radha e fundit u hoq”, deklaroi kreu i LSI-së Meta. Gjithashtu Ilir Meta, theksoi se qeveria është e angazhuar për të çuar më tej ëndrrën e shqiptarëve,atë të anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.

“Sfida e ardhshme e qeverisë dhe koalicionit të Integrimit, marrja e statusit kandidat”

Kreu i LSI-së Ilir Meta i pyetur në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe në lidhje me përpjekjet që po bën qeveria për të përmbushur ato kritere që duhen në mënyrë që të arrijë anëtarësimin në BE, u shpreh duke vlerësuar punën që ka bërë qeveria dhe përpjekjet që ka bëra ajo për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj. Gjithashtu kreu i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i ekonomisë, energjetikës dhe tregtisë në lidhje me arritjet e qeverisë u shpreh se qeveria përveçse arriti në një kohë rekord të plotësojë të gjitha detyrimet prej disa qindrash të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, kjo është arsyeja që të gjithë evropianët thonë se heqja e vizave është e merituar dhe nuk është një dhuratë. Meta theksoi gjithashtu se qeveria gjatë kësaj periudhe përmbushi të gjitha detyrimet që i takonin asaj, për të ecur përpara drejt statusit të vendit kandidat. Kreu i LSI-së tha gjithashtu se plotësimi i pyetësorit nga administrata u bë në një kohë rekord dhe me një cilësi shumë të mirë dhe të gjitha detyrimet e tjera. Zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces i natyrshëm, duhet të jetë sa më i shpejtë që të jetë e mundur, por kurrsesi një proces i sforcuar dhe në këtë drejtim kërkon pjekurinë e të gjithë elementëve të shoqërisë sonë.
Në lidhje edhe me opozitën kreu i LSI-së  tha se pjekurinë politike të opozitës nuk e ka në dorë qeveria.
Gjithashtu zëvendëskryeministri Meta shprehu bindjen e plotë se mazhoranca do të mbetet e hapur për të bashkëpunuar në këtë drejtim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›