E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Prokurorinë, Alibeaj takon Ramën

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi një takim me kryeprokuroren Ina Rama, ku është diskutuar rreth projektligjit për Prokurorinë. Burime nga dikasteri i drejtësisë bëjnë të ditur se biseda, qe zgjati rreth 1 orë është fokusuar në ligjin për Prokurorinë. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë ministrisë, të cilat cilësuan se takimi është zhvilluar me dyer të mbyllyra dhe dy krerët e institucioneve kanë preferuar të mos japin komente në lidhje me detajet e takimit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dy bashkëbiseduesit ndajnë mendime të ndryshme mbi imunitetin e prokurorit.
Takimi
Enkelejd Alibeaj priti dje në mesditë, në zyrën e tij, Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Takimi konfirmohet nga burime brenda këtij institucioni, dhe vjen në një kohë kur po debatohet në lidhje me projektligjin e ri të Prokurorisë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se drejtuesit e dy institucioneve të drejtësisë gjatë takimit kanë diskutuar për projektligjin e Prokurorisë, por nuk japin detaje nga kjo bisedë.
Alibeaj
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka theksuar pak ditë më parë se me ligjin e ri “Për Prokurorinë”, në të cilin do të ndërhyhet në 10 çështje, pritet të sqarohet hierarkia brenda Prokurorisë, në të tre nivelet: prokurori të rretheve gjyqësore, prokurori apelesh dhe kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm. Ai pohoi se ligji i ri do të saktësojë të drejtat dhe tagrat që ka secili nivel i Prokurorisë. Më tej Alibeaj shtoi se, me ligjin e ri që po përgatitej, do të rregullohej sistemi i karrierës në organin e akuzës. Në lidhje me postin e Kryeprokurorit, ministri i Drejtësisë vijoi se do të ketë një riformulim të kompetencave, si dhe do të ndërhyhet në mandatin e tij, i cili tashmë është i pakufizuar. Do të ndërhyhet edhe në kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas Alibeajt, prokurorëve do t u hiqet imuniteti.
Prokurorët
Prokurorët kanë reaguar ashpër kundër qeverisë lidhur me këtë projektligj. Në një prononcim të dhënë pak ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe njëkohësisht kreu i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, u shpreh se drafti i paraqitur nuk është konsultuar me prokurorë dhe ekspertë të fushës dhe cenon rëndë pavarësinë e institucionit. Neni më i kontestuar nga prokurorët është ai i heqjes së imunitetit. “Prokurorët nuk kanë atë imunitet që kanë deputetët, por kanë thjesht një garantim të vendit të tyre të punës që, në rast se dyshohen për kryerjen e një vepre penale, merret një autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë”, - tha Hajdari. Sipas tij, nëpërmjet këtij ligji, ekzekutivi lejohet të arrestojë prokurorin, pa u marrë miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm”.

EURALIUS: “S jemi dakord me disa pika të projektit”

Organizmat ndërkombëtarë që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë duket se nuk janë plotësisht dakord me projektligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Roland Miklau, shefi i misionit evropian EURALIUS, që ndihmon drejtësinë shqiptare dhe veçanërisht reformën në këtë sistem, është shprehur dy ditë më parë se drafti përmban disa pika të vendosura në projektligjin e Prokurorisë, me të cilat misioni nuk është dakord. Ai nuk i bëri publike pikat e projektligjit me të cilat evropianët nuk janë dakord, ndërsa tha se më parë projektligji po diskutohej me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por së fundi diskutimet u ndërprenë dhe në projektligj janë bërë propozime me të cilat EURALIUS nuk është plotësisht dakord. Miklau vlerësoi pika të tjera të projektligjit që, sipas tij, kanë frymë evropiane. Duket se qëndrime të tilla janë mbajtur edhe më parë nga përfaqësuesit e EURALIUS, që kanë marrë pjesë në diskutimet e zhvilluara gjatë hartimit të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Reforma në drejtësi konsiderohet si një nga fushat strategjike në drejtim të integrimit të vendit në BE, ndaj edhe procesi i hartimit të projektligjit “Për Prokurorinë” duket se ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e ekspertëve të misionit evropian që asiston drejtësinë shqiptare. Pikat me të cilat evropianët duket se nuk janë dakord kanë të bëjnë me kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, kriteret e zgjedhjes së tij, si dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në ligjin aktual.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›