E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë të përgjakshme në Korçë, katër të plagosur me thikë

SHERRET/ Burime zyrtare të qytetit shprehen se janë ndaluar dy shtetas, ndërsa tre po hetohen në gjendje të lirë


KORÇË- Katër të plagosur janë shënuar brenda katër ditësh në qarkun e Korçës, ndërkohë që janë ndaluar 6 shtetas.

Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, në fshatin Pulahë dhe Floq, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy grupesh të rinj, ka mbetur i plagosur shtetasi Armando Hasankolli, banues në Floq.


Sipas policisë, 20-vjçari është goditur me thikë duke marrë dëmtime të rënda për jetën dhe ndodhet në spitalin e Korçës në repartin e reanimacionit. Mësohet se grupi rival, ndërsa tërhiqej nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri automatike për të trembur palën kundërshtare në konflikt.


Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Daniel Kodra, banues në fshatin Pulahë të komunës Dvoran. Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit Mehmet Arifi dhe Selim Duli që i përkisnin të njëjtit grup me Kodrën. Këta shtetas janë arrestuar gjatë pasdites së të hënës.


Akuzat e ngritura ndaj të tre personave janë "plagosje e rëndë me dashje" dhe "prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake".


Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë, bëjnë të ditur se gjatë fundjavës ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje" në ngarkim të shtetasit Petraq Nako, 50 vjç, banues në qytetin e Bilishtit. Ky shtetas, ditën e shtunë, rreth orës 13:00, në qytetin e Bilishtit, për motive të dobëta, ka goditur vëllanë e tij Vasil Nako, 54 vjç.


Të premten ka nisur hetimi në gjendje të lirë për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje" në ngarkim të shtetasit F.F., 16 vjç, banues në lagjen 3 Pogradec. Ky shtetas, rreth orës 19:30 të së premtes, në një lokal në fshatin Çërave të rrethit Pogradec, ka goditur me thikë në pjesën e ijes shtetasin Marjo Hymetllari, 23 vjç.
Po sipas policisë, të dielën nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Kristaq Shkurti, 55 vjç, banues në fshatin Drenovë të Korçës.


Kjo pasi një ditë më parë, rreth orës 20:30 në fshatin Drenovë për motive të dobëta ka qëlluar me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin Nikolin Dhamo, 30 vjç, duke i shkaktuar disa dëmtime të lehta. I plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e policisë u kryen veprimet hetimore procedurale për veprën penale "plagosje e lehtë me dashje".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›