Spanja në Odeonin e Pogradecit
Më 1960, Martini dhe Markosi morën rrugën në kërkim të një jete të re në Evropën e progresit dhe lirive. Lënë familjet e tyre në Spanjë dhe nisen drejt Zvicrës, ku fillimisht bëjnë punën e mekanikut në fabrikën e një fshati të vogël industrial.
Kohë më vonë Martinit i vjen gruaja, Pilari bashkë me djalin e tyre Pablon, kurse Markosit e fejuara, Maria Karmeni.
Të vështirë e kanë të pestë personazhet përshtatjen me mendësitë e botës së re. Kur duket sikur janë rehatuar, Martini mëson për vdekjen e babait të tij e i duhet të kthehen të gjithë bashkë në Spanjë.
Për çudi, kthimi bëhet më i vështirë se ikja. Historinë e emigrimit të njerëzve nga Spanja e '60-ës, regjisori spanjoll Carlos Iglesias e bëri film me titull "Një frangë, 14 peseta" (Un Franco, 14 pesetas, 2006). Iglesias ka futur në film atë copë të jetës së tij që lidhet me emigrimin.
Jo pa qëllim, Ambasada e Spanjës në Shqipëri zgjodhi ta hapë me këtë film dje, Javën e IX të kinemasë spanjolle "Evropa në ekran" në qytetin e Pogradecit. Filmi, ashtu si edhe të tjerët që do të shfaqen deri më 13 gusht në Odeonin e qytetit të Pogradecit, tregon sfidat dhe pengesat që Spanja ka jetuar 50 vitet e fundit.
Ky është aktiviteti i katërt që Ambasada e Spanjës zhvillon nëpër Shqipëri, pas Tiranës, Shkodrës, Beratit dhe është pjesë e programit kulturor të mbylljes së Presidencës Spanjolle të BE-së. Për shtatë ditë publikut të Pogradecit i jepet mundësia të shohë filma spanjollë të realizuar në vende të ndryshme, në Portugali,Gjermani, apo Francë.
Filmat janë: "Heshtja përpara Bahut" ("El silencio antes de Bach", 2007) i regjisorit Pere Portabella; "Arkat Spanjolle" (Las cajas españolas, 2004) i regjisorit Alberto Porlan; "Ekspresi i Jugut" (Sud Express, 2005) i regjisorëve Chema de la Peña dhe Gabriel Velázquez; "Ajo çka di unë për Lolën" (Lo que sé de Lola, 2006) i regjisorit Javier Rebollo.
Filmat shfaqen çdo natë në orën 21.00.