E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditë vrasjesh, atentat mafioz në Lushnjë, burri vret gruan



MALËSI E MADHE/LUSHNJË – Ditët e nxehta të verës kanë rritur në mënyrë drastike numrin e vrasjeve me armë zjarri. Vetëm në 24 orët e fundit ndodhën dy krime, pas atentatit mafioz që u regjistrua në kryeqytet të enjten, ku u vra Franc Konomi, i njohur për problemet me Drejtësinë. Burimet policore raportojnë se Rrok Leklucaj në Malësinë e Madhe ekzekutoi bashkëshorten e tij dhe dyshohet se shkak ka qenë denoncimi i viktimës për dhunën që ushtronte bashkëshorti. Ndërkaq, Gerti Lala është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme teksa ndodhej në banesën e tij në një fshat në Lushnjë.

Krimi në familje
Vrasja e Margarita Leklucajt është një krim i paralajmëruar. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 23:30 të ditës së enjte, në fshatin Aliaj të komunës së Kastratit. Rrok Leklucaj, sapo ka marrë vesh se gruaja e tij e ka denoncuar në polici, ka vendosur që të hakmerret. Çifti sapo ishte kthyer në shtëpi nga Tirana, ku për tri orë kishin qëndruar të shoqëruar në Komisariatin Nr. 1. Pasi i kanë marrë në pyetje, çifti, i cili kishte pasur një konflikt të vjetër, është lënë i lirë me justifikimin se janë pajtuar. Vëllai i autorit të ngjarjes i ka shoqëruar ata në banesën e tyre, por më parë kishte paralajmëruar policinë për faktin se të dy bashkëshortet kishin nevojë për një mjek për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, por policia i ka lënë të lirë.
Sapo çifti Leklucaj ka mbërritur në banesën e tyre, në fshatin Aliaj, ka rinisur debati mes tyre. Më pas kryefamiljari ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të gruas së tij, me të cilën kishte edhe dy fëmijë. Dyshohet se skena e krimit është bërë në prani të fëmijëve dhe të vëllait të viktimës.

Hetimet
Pas krimit autori ka tentuar që të largohet, por ai është rrethuar nga policia, e cila është njoftuar nga vëllai i viktimës. Për disa minuta janë bërë negociata dhe më në fund policia e çarmatosi Rrok Leklucajn dhe e prangosi. Policia e Shkodrës thotë se krimi ka ndodhur për motive të dobëta.
Çifti jetonte prej disa kohësh në qytezën e Tuzit në Malin e Zi, ku merreshin me tregti. Ata kishin dy fëmijët e mitur, njëri 6 vjeç dhe tjetri 3 vjeç.

Atentati
Në tjetër krim ka ndodhur dje. Kësaj radhe viktimë është 29-vjeçari Gerti Lala nga Lushnja. Ai është vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij. Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për autorët e ngjarjes. Shkaqet e vrasjes janë ende të paqarta.
Vetëm gjatë javës së fundit kanë ndodhur të paktën 4 vrasje, të cilat kanë përkeqësuar ndjeshëm sigurinë dhe rendin publik. Ngjarja më tronditëse ishte atentati ndaj Franc Konomit paraditen e së enjtes, ku krimi ndodhi në sy të dhjetëra qytetarëve.

Bombola e gazit shkrumbon shtëpinë dykatëshe

LEZHË - Një shtëpi është djegur thuajse plotësisht nga flakët në fshatin Dajç të Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Flakët e zjarrit kanë nisur rreth orës 8 të mëngjesit të djeshëm në shtëpinë e vëllezërve Gegë dhe Pal Lleshi, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar, pasi asnjë prej anëtarëve të familjeve nuk ka qenë brenda shtëpisë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe brenda një kohe të shkurtër kanë përfshirë pjesën më të madhe të shtëpisë dykatëshe. Zjarrfikësit e mbërritur në vendngjarje nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë, ndërsa kanë shuar flakët e zjarrit pas 60 minutash.
Në momentin e djegies janë dëgjuar edhe shpërthime të njëpasnjëshme të bombolave të gazit, duke rrezikuar edhe jetën e zjarrfikësve. Nuk dihen ende shkaqet, pasi në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur as energji elektrike.

Pengmarrja në Kukës përfundon në aksident, dy të vdekur

KUKËS – Një pengmarrje ka përfunduar me aksident, i cili ka regjistruar një bilanc tragjik, me dy të vdekur dhe tre të plagosur. Sipas njoftimeve të policisë bëhet e ditur se automjeti me targa të Kosovës 458 KS 233, në të cilin udhëtonin katër persona, ka dalë nga rruga duke shkaktuar aksidentin e rëndë. Makina përfundoi në humnerë pranë Kalimashit dhe për pasojë kanë vdekur shtetasit Vullnet Nërguti dhe Erjon Xhahu. Policia ka bërë të ditur janë plagosur edhe shtetasit Sami Vata dhe Urim Mërguti. Policia ka thënë se shtetasit Vullnet e Urim Nërguti së bashku me shtetasin Erion Xhahu, kishin marrë peng dhe po mbanin në makinë me qëllime përfitimi shtetasin Sami Vata. Tre personat i kishin kërkuar të rrëmbyerit një shumë prej tre milionë lekësh.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›