E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditëlindja, Edi Rama ndryshon ceremonialin e PS

Përvjetori i 17 i krijimit të Partisë Socialiste ka dalë jashtë traditës. Socialistët kanë vendosur në këtë përvjetor të festojnë pranë degëve të tyre në nivel qarku, ku degët socialiste në bazë komune dhe bashkie kanë organizuar festimet me anëtarësinë e tyre. 

Aristir Lumezi

Kreu socialist, Edi Rama, ka qenë në vijim të turit të tij në fshatrat e Qarkut të Korçës, temë e të cilit ka qenë jeta e fshatit. Rama ka marrë pjesë në festimet e bëra në sheshin e qytetit të Korçës, në një takim masiv të socialistëve nga i gjithë ky qark. Socialistët e Tiranës organizuan një takim në hotel "Tirana", ku kishin ftuar figurat e njohura në vite që prej krijimit të PS-së. Kreu i PS-së Tiranë, Besnik Bare, sekretari socialist i Qarkut, Musa Ulqini dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, përshëndetën të ftuarit e kryeqytetit. 
Ulqini, duke dashur të ruajë masivitetin e këtij takimi tha se, "ftesa jonë nuk ka munguar për asnjë nga themeluesit, drejtuesit dhe kontribuuesit më të rëndësishëm të PS-së ndër vite". Mësohet se organizatorët e kësaj feste, mbi bazën e data base të PS-së, kanë ftuar në këtë ditë të gjithë ish-deputetët socialistë që prej 1992 të Qarkut të Tiranës, si dhe ish-kryetarët socialistë në këtë qark. Por dje në sallën e hotel "Tirana", përveç Ruçit, Dokles, Meksit, Rukajt, dallonin dhe ish-presidenti Rexhep Meidani, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, por dhe disa ish-anëtarë të Asamblesë Kombëtare, të cilët janë pozicionuar tashmë pranë Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës kundër ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga grupi i deputetëve socialistë, si ish-sekretari organizativ i Tiranës, Enver Reçi etj. Por në sallë kishte dhe të rinj të sapoardhur në PS, të cilët shkëmbenin me të "vjetrit" këndvështrimet e tyre për zhvillimet politike dhe të ardhmen e PS-së. E zhvilluar në të njëjtën orë kur luhej dhe ndeshja Gjermani-Kroaci, për Kampionatin Evropian, disa nga të rinjtë e PS-së e lanë festën për të ndjekur ndeshjen në hollin e hotel "Tirana". 
Mesazhi
Kreu socialist, Edi Rama, dhe pse ishte ideuesi i festimit të përvjetorit të 17 të krijimit të PS-së jashtë kornizave tradicionale, pranë anëtarësisë së saj, nuk mungoi të urojë sipas mënyrës së tij socialistët. Rama i ka dërguar një mesazh sms urimi të gjithë socialistëve që kishte në memorien e telefonit të tij, ku nuk harron t'i inkurajojë ata se ajo që ata kanë bërë deri tani s'është asgjë para kontributit që duhet të japin për ta sjellë PS-në në pushtet. "Në ditëlindjen e PS-së dua t'ju shpreh mirënjohjen time për kontributin Tuaj në të mirë të vendit. Çfarë keni bërë është shumë, por shumë më shumë duhet të bëjmë së bashku për një Shqipëri më të mirë. Sot është dita për t'Ju ftuar të besoni jo thjesht tek aftësia ime për t'Ju udhëhequr në rrugën e ndryshimit, por tek aftësia Juaj për ta bërë të mundur ndryshimin. Le të japim të gjithë diçka nga vetja për t'i dhënë jetë një bashkimi të ri përtej të majtës dhe të djathtës. Kjo është rruga e fitores së vitit të ardhshëm, kështu mund ta ndryshojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë!", thuhet në mesazhin që kryetari socialist u ka dërguar një pjese të socialistëve.

PD: Rama respektoi 8 Nëntorin si festë të PS

Partia Demokratike, përmes zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, reagoi ndaj mënyrës se si socialistët organizuan dhe festuan 17-vjetorin e tyre. "Përshëndesim zotin Rama për qëndrimin që mbajti ndaj një date që ishte shpallur nga paraardhësit e tij si dita e themelimit të PS-së, datë e cila në të vërtetë nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën historike. Dita e themelimit të Partisë Socialiste është 8 Nëntori i vitit 1941, ndërsa 12 Qershori ishte thjesht ndërrimi i emrit, duke mbajtur të njëjtën Byro Politike dhe të njëjtin sekretar. Me aktin e djeshëm të injorimit të 12 Qershorit, Rama i dha fund një mashtrimi historik, për të cilin meriton përshëndetje", u shpreh Gerti Bogdani në reagimin e tij për mungesën e Ramës në festën tradicionale të socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›