E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama bashkëpunon përditë me Berishën

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se, "ndryshimet kushtetuese e kanë futur vendin në një kolaps institucional". Gjatë një interviste në "Ora News", Meta tha se, 

"Rama bashkëpunon përditë me Berishën, pavarësisht nga opozita teatrale që kërkojnë të demonstrojnë në popull". Sipas tij, bashkëpunimi mes dy krerëve të PS-së dhe PD-së e kanë kthyer vendin në një republikë kryeministrore. "Shqipëria edhe sot formalisht quhet Republikë Parlamentare, por praktikisht me ato ndryshime kushtetuese, pra ato përmbysje të raporteve që kanë ndodhur midis Kryeministrit dhe Parlamentit, por edhe sipas ndryshimit të bërë më 21 Prill, kanë dobësuar shumë pozitën kushtetuese të Presidentit si Kryetar të Shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit", tha Meta. Sipas tij, "mesazhi në këtë rast ka qenë i qartë, se Presidenti nuk duhet të guxojë që t'i sjellë në Parlament dekretet, pa marrë lejen më parë te Kryeministri dhe tek kryetari i partisë, z. Berisha. Njëkohësisht përmes tyre të kontrollohet dhe të uzurpohet Gjykata e Lartë, nesër Gjykata Kushtetuese dhe të gjithë institucionet kushtetuese që janë produkt i kompetencave të Presidentit me Parlamentin". Kreu i LSI-së tha dje, "se pas këtyre ndryshimeve kushtetuese vendi ka hyrë në një kolaps institucional, sepse nuk ka më mekanizma të kontrollit të lartë". Duke komentuar vendimin e fundit të KQZ për referendumin, Meta u shpreh se, "ai ishte një vendim i çmendur, sepse ajo që ka bërë KQZ-ja është jo vetëm një shkelje e Kodit Zgjedhor që përcakton qartë procedurat në këtë rast, por është një akt marrje e atributeve të Gjykatës Kushtetuese". Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Meta konfirmoi zërat se si kryetar i LSI-së, ai nuk do jetë më kandidat i Skraparit, por do të jetë në listat e deputetëve të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›