E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: OK “Paktit për drejtësi” të PS-së

Partia Demokratike vlerëson "Paktin për drejtësi" të ofruar nga Partia Socialiste, teksa shton se kjo nuk duhet të jetë një taktikë për të zvarritur 

heqjen e imunitetit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh dje se më i rëndësishëm është qëllimi i këtij procesi, se sa taktikat që do të përdoren. "Ne e gjykojmë në sensin pozitiv propozimin e Ramës, sepse nuk duam të besojmë se kjo është një taktikë për të zvarritur këtë proces. Ne gjykojmë që për kufizimin e imunitetit është shumë më i rëndësishëm realizimi i këtij qëllimi, sesa teknika parlamentare që do të përdoret për ta arritur. Gjykojmë se ky proces ka ngecur në vend prej shumë vitesh, që kur ne e kemi ndërmarrë për herë të parë kur ishim në opozitë, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe jo për shkak të teknikës parlamentare", u shpreh kreu i grupit demokrat. Por i pyetur se cila do të jetë rruga përmes së cilës do të bëhet heqja e imunitetit të deputetëve, Patozi tha se PD-ja është e hapur për të gjitha variantet. Sipas tij, "ne nuk mendojmë që ka një formë për të arritur synimin. Ne jemi të hapur për të gjitha mënyrat, edhe për të ndërhyrë në Kushtetutë, por edhe në rast se ka ndonjë mënyrë tjetër vetëm me miratimin e ndonjë projektligji". Pak ditë më parë, Rama dhe Berisha u shprehën të gatshëm të negociojnë lidhur me heqjen e imunitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›