E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ditën e zhdukjes, e zhvarrosura, ishte nisur në dasmën e mbesës

15/05/2005  Vdekja aksidentale te “Rruga e Elbasanit” e gruas nga Korça

DEVOLL - Në shtëpinë e Firdes Barollit, gruas 53-vjeçare nga fshati Trestenik, i rrethit Devoll, edhe ditën e shtunë, një ditë pas varrimit në fshatin e saj, kishte njerëz të shumtë, miq, të njohur dhe bashkëfshatarë, por që askush nuk donte ta besonte atë çka kishte ndodhur me vdekjen e saj.

Tronditja e të shoqit, Seferit, por edhe e fëmijëve, madje dhe e gjithë të pranishmëve, duket mjaft qartë në sytë e tyre. Për ta ishte një dhimbje mjaft e madhe, aq sa nuk donin të kujtonin se si ishte varrosur në Tiranë nga një familje tjetër, si ishte zhvarrosur dhe si ishte kthyer në fshatin e saj për t’u varrosur sërish pranë njerëzve të fisit të burrit.

Ngjarja tragjikë kishte përfshirë gjithë hapësirën e zonës, çdo shtëpi të fshatit Trestenik.

Martesa e mbesës

Firdes Barolli, nënë e dy vajzave dhe e një djali, ishte nisur për në Tiranë për të martuar mbesën, vajzën e motrës, që banonte në Tiranë. Dasma do të bëhej më 14 maj, ditën e shtunë, por tezja ishte nisur ditë më parë për të gëzuar disa ditë bashkë me të motrën.

Veç kësaj, ajo kishte në kryeqytet edhe dy motra të tjera, çka do t’i duheshin disa ditë për t’i parë ato nga afër. Ditën e enjte, më 28 prill, kishte ndërmarrë udhëtimin me mjaft kënaqësi, thonë të afërm të saj, edhe pse kishte kohë që e mundonte astma, çka i vështirësonte frymëmarrjen kohë pas kohe.

Por, siç mësohet, me të mbërritur te “Rruga e Elbasanit” në Tiranë, ajo kishte vdekur, ndoshta për shkak të bllokimit të frymëmarrjes. Ndërkohë njerëzit e saj nuk dinin asgjë.

Motra e viktimës

Motrat e Firdes Barollit që jetojnë në Tiranë, ishin nisur drejt Devollit. Fillimisht ishin ndalur në fshatin Sul të këtij rrethi, sepse ato janë bija të këtij fshati dhe aty kanë prindërit. Ndërsa më pas, më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, kishin shkuar në Trestenik, për të parë motrën e tyre, Firdesin. Motrat e Tiranës ndërsa janë përshëndetur, kanë pyetur se ku ishte atë çast Firdesi. Kjo pyetje ka tmerruar bashkëshortin e saj, Seferin, i cili mbetur i habitur nga ajo që po dëgjonte ka pyetur nga ana e vet, “si Firdesi nuk është në Tiranë tek ju?!”.

Pas kësaj, të dy palët kanë kuptuar se 53-vjeçarja ishte zhdukur. Alarmi, tmerri dhe vajtimi ka pushtuar shtëpinë e Firdesit që në atë moment. Kanë bërë shumë telefonata për të marrë vesh në Tiranë, por Firdesi nuk kishte qenë asgjëkundi.

Po atë ditë, janë nisur drejt policisë në Devoll dhe në Korçë për të bërë të ditur zhdukjen misterioze të 53-vjeçares.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›