E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau "ish-dhëndrin", prangoset nga policia

15/05/2005  Ngjarja ka ndodhur në 2003-shin, në Kodër-Thumanë të Krujës

TIRANË- Vrasësi i dhëndrit të padëshiruar bie në prangat e policisë së Tiranës. Burime zyrtare të bluve të kryeqytetit thanë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është arrestuar nga strukturat e krimit të organizuar personi në kërkim, Adriatik Koleci, 20 vjeç, lindur në Burrel e banues në Tiranë. Gjykata e Krujës e kishte dënuar në mungesë me 17 vjet heqje lirie, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër kanë vrarë në vitin 2003 Besnik Çekun dhe plagosën Ilir Çekun. Adriatik Koleci dhe personi tjetër me të njëjtin mbiemër, janë njerëz tepër të afërt me ish të dashurën e Çekut, tashmë të vdekur.

Konflikti

Ai u hodh nga kati i dytë i banesës për t’i shpëtuar një atentati, por gjeti vdekjen. Ngjarja ka ndodhur 2 vjet më parë në Kodër-Thumanë të rrethit të Krujës. Bilanci i kësaj ngjarjeje tragjike ishte një i vrarë dhe një i plagosur, përkatësisht 30-vjeçari Besnik P.Çeku dhe 22-vjeçari Ilir F.Çeku. Burime të policisë bënë të ditur për gazetën se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në një banesë në Kodër-Thumanë, e cila nuk u përkiste asnjërit prej këtyre dy personave. Policia ka identifikuar si autorë të këtij krimi dy persona me mbiemër Koleci, njëri prej të cilëve ishte Adriatiku. Sipas hetimeve të para u dyshua se krimi ka ndodhur pasi viktima kishte të dashur vajzën e familjes Koleci. Besnik Çeku, sipas burimeve, nuk pranohej si dhëndër nga njerëzit e vajzës. Besnik dhe Ilir Çeku, atë natë ishin duke pushuar në një banesë që ishte pronë e një shtetaseje, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur. Kjo e fundit është shoqëruar atë natë në mjediset e policisë së Krujës.

Ngjarja

Burimet policore thanë se dy autorët e dyshuar të krimit kanë hyrë forcërisht në banesë dhe kanë qëlluar me armë zjarri, duke plagosur fillimisht 22-vjeçarin Ilir Çeku, ndërkohë që Besnik Çeku, i cili ishte dhe objekt i atentatorëve, është hedhur nga kati i dytë i banesës për t’i shpëtuar armës së zjarrit, duke mbetur i plagosur rëndë. 30-vjeçari vdiq në spital nga plagët e marra, ndërsa 22-vjeçari i plagosur nga plumbat është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjithsesi, nga Policia e Krujës u mësua se në momentin kur ndodhi ngjarja, në banesë ndodheshin dhe dy femra, emrat e të cilave nuk u bënë të ditura. Burimet thanë se po hetohet në disa pista, ndërkohë që dyshohet se prezenca e njërës prej vajzave në banesën ku ndodhi krimi, mund të ketë qenë dhe motivi i gjakderdhjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›