E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyri me bagëti në arën e botës plagoset me çifte nga fqinja

15/05/2005  Arrestohet gruaja në spital viktima

VLORE - Gruaja mbron arën e saj me çifte, duke plagosur bashkëfshatarin që futet me bagëti për kullotje. Ngjarja ka ndodhur në Novoselë të Vlorës, dje, në orët e para të ditës. Prej muajsh një copë tokë, arë, ishte kthyer në mollë sherri midis dy komshijve në fshatin Novoselë.

Palët përkatësisht pretendonin për pronën. Por, duket se gruaja e shtëpisë së Melkove rreth 60 vjeçe, vendosi të zgjidhë këtë konflikt me çiften e saj, të cilën e kishte me leje.

Kur dje rreth orës 09.00 në arë futet komshiu i gruas për të kullotur bagëtitë, Viktor Anastasi, i cili me pretendimin se ajo tokë eshtë e vetja, Elibaja i kërkon të largohet, duke e kërcënuar se do ta qëllonte. Anastasi nuk i është bindur urdhërave të egër të gruas dhe ka vazhduar të mbajë bagëtitë në arë. Pas një debati të ashpër, Elibaja ka hyrë në banesën e saj dhe ka marrë çiften duke e qëlluar komshiun drejt e në trup. Sipas zëdhënësit të policisë lokale, viktima ka marrë plagë të renda në bark dhe në sup.

Por gruaja ka thenë në polici se nuk kishte dashur të qëllojë por thjesht të trembë burrin, por ndërhyrja e vëllait të tij për të hequr armën ka mundësuar shkrehje të pavullnetshme.

Pas krismave të armës pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur dhe fshatarë të tjerë.

Askush nuk ka mundur të bindë gruan për t’u qetësuar. I plagosuri, që neglizhoi kërcënimet e femrës, u mor me shpejtësi nga i vëllai i tij, i cili e dërgoi në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Sipas mjekëve në spitalin e Vlorës gjendja e të plagosurit është tepër e rëndë. Ai ka humbur gjak për shkak të plagëve të mëdha në trup. Policia ka arrestuar autoren e krimit, Elibe Melkom e cila ka pranuar se çifta është shkrepur por jo për të të vrarë komshiun e saj për shkak se nuk largohej nga ara.

Sipas thënieve të saj, në polici kjo situatë kishte filluar prej kohësh dhe ajo nuk mund ta zgjidhte ndryshe. Ajo ka pretenduar se acarimi i gjendjes ka ardhur për shkak të vendosmërisë së komshiut për të qëndruar çdo ditë në tokën e saj. Madje, ajo pretendon se edhe ai vazhdimisht e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë se nuk do të largohej nga toka. Ditën e djeshme, ajo mori çiften për të “zgjidhur“ problemin.

Elibe Melko tregon në polici pse e qelloi komshiun

“S’doja ta vrisja, vetëm

doja ta trembja me çifte”

Keni qëlluar me çifte komshiun tuaj, mund të na thoni si ndodhi?

Si çdo ditë, isha në arën time dhe po punoja, kur aty vjen problemi im, Anastasi…

Pse thoni se është problemi juaj?

Pasi prej kohësh kemi një problem. Ai futej në arën time, me preteksin se ajo ka qenë e prindërve të tij. Mua ma ka dhënë shteti dhe toka nuk është e tij. Unë kam dokuemente për të.

Ai nuk doli nga ara, pas kërkesës suaj?

Absolutisht jo. Përkundrazi, vazhdonte i qetë e më thoshte grij kot ti… Në këtë moment, unë mora çiften me leje të shtëpisë dhe ja drejtova për ta trembur, por ndërhyrja e vëllait të tij bëri që çiftja të shkrepej jashtë vullnetit tim.

Pra, ju nuk keni dashur ta qëllonit, me qëllim për ta vrarë Viktor Anastasin?

Jo thjesht nga ndërhyrja me duart e vëllait të tij, Vangjelit, arma u shkreh dhe pashë që Anastasi ra në shesh.

E dini që rrezikoni burg të madh, akuzoheni për tentativë vrasjeje dhe ligji parashikon nga 5-15 vjet?

Unë jam 60 vjeçe dhe kam qenë në spitalin psikiatrik dhe nuk kam pse të bëjë burg unë. Atë e qëlloi i vëllai i tij, e përsëris jo unë. Burri im ka shkuar tek ata dhe po pajtohen, besoj se nuk do të kemi më probleme midis nesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›