E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dulaku, Nano me Ramën po na lënë pa punë

15/05/2005  Kreu i ndërtuesve pranon se paguajnë rryshfete të mëdha për të siguruar punën

Pazaret e pazgjidhura mes Kryebashkiakut Rama dhe Kryeministrit Nano po lënë pa punë gjithë sektorin e ndërtimit. Akuzat vijnë nga kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku, i cili ka pranuar se shumë nga deklaratat e bëra në raportin e BB-së, në lidhje me ndërtimin janë të vërteta dhe ata janë segmenti i biznesit që po vuan më shumë nivelin e lartë të korrupsionit në qeveri. “Deklaratat e Bankës Botërore janë plotësisht të sakta dhe mund të thuhet se ndërtimi është sektori që po vuan më shumë korrupsionin e administratës shtetërore“, thotë Dulaku për “Metropol”. Sipas kreut të ndërtuesve, kjo situatë është e pashpresë, të paktën deri kur Rama dhe Nano të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin dhe të vendosin t’i japin zgjidhje çështjeve urbanistike të mbetura pezull. Bëhet fjalë për miratimin e zonave të reja urbanistike, që nuk është vetëm një çështje që mbetet në kompetencën e Ramës, por dhe një përgjegjësi e kreut të Ekzekutivit, që është njëkohësisht dhe kreu i KRRTSH–së. Për ndërtuesit, e vetmja zgjidhje e mundshme është ankimi në rrugë institucionale dhe duket se si fillim ndërtuesit kanë gjetur derën e FMN-së për t’u ankuar. “Pproblemet tona i kemi bërë të njohura në një takim me përfaqësuesin e FMN–së, ku kemi bërë të ditur se firmat po punojnë vetëm me 30 për qind të kapacitetit të tyre“, sqaron Artan Dulaku, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga vetë Shoqata e Ndërtuesve, sektori i ndërtimit nuk ka shënuar rritje gjatë tre viteve të fundit. Këtë fakt, ndërtuesit ia kanë bërë të ditur edhe FMN–së, duke sqaruar se të dhënat zyrtare mbi një rritje të qëndrueshme të sektorit të ndërtimit nuk janë të vërteta. Nga ana tjetër, mundësia për të marrë një leje ndërtimi zvogëlohet gjithnjë e më shumë dhe ndërtuesit akuzojnë se, tashmë janë krijuar grupe që kanë monopolizuar lejet e ndërtimit.

“Bashkia jep çdo muaj leje, por jo në cilësi dhe sasi për të gjithë, dhe mund të thuhet se në sektorin e ndërtimit janë krijuar monopole për sa i takon lejeve të ndërtimit“, thotë Artan Dulaku. Kështu, kreu i ndërtuesve pranon se historia e rryshfetit për të marrë një leje është plotësisht e vërtetë, edhe pse nuk pranon të prononcohet konkretisht me emra.

Kështu pakënaqësitë e grumbulluara gjatë kohës që presin një përgjigje për leje nga Bashkia e Tiranës, Shoqata e Ndërtuesve nuk i ka treguar vetëm në zyrën e FMN–së, por dhe në zyrën e Finos. Ndërtuesit kërkuan që Fino të ndërhynte në qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës për të bërë prezent problemin dhe për t’i kthyer një përgjigje Shoqatës së Ndërtuesve. “Nuk na është kthyer asnjë përgjigje dhe asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me kërkesat tona”, thotë Dulaku. Ndërtuesit presin që KRRTSH të miratojë zonat e reja urbanistike në kryeqytet, ku do të bëhet e mundur të ndërtohet dhe të ketë transparencë në dhënien e lejeve të ndërtimit. “Ne kërkojmë shkurtimin e kohës për të dhënë një leje ndërtimi dhe miratimin e zonave të reja urbanistike në kryeqytet, ku mund të ndërtohet”, thotë për “Metropol”, Artan Dulaku, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve. Ndërkaq, nga ana e Ministrisë së Turizmit është bërë e ditur se gjatë 2004-ës KRRTSH–ja ka miratuar studime për zhvillime urbane, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 2.800 ha.

Ndërtimi, sektori që vuan më shumë rryshfetin

Ndërtuesit kanë qenë në qendër të anketimit të Bankës Botërore dhe të dhënat e mbledhura nga sondazhi, kanë treguar se ndërtimi është dhe sektori që e vuan më shumë korrupsionin në administratë. Kështu, kompanitë kanë pranuar se më shumë se gjysma e firmave të kontaktuara, paguajnë për shërbime të ndryshme zyrtarët shtetërorë. Statistikat e dhënies së rryshfeteve nga firmat te zyrtarët shtetërorë, janë më të mëdha në tregun e ndërtimit dhe konstruksioneve, se sa në atë të prodhimit dhe shërbimeve. Kështu, 3 nga 4 firma të tregut të ndërtimeve, pranojnë se kanë paguar rryshfete. Gjithashtu më shumë se gjysma e qytetarëve kanë pranuar se kanë paguar rryshfete që nga 1991-shi, vëren gjithashtu BB-ja. Më shumë se 50 për qind e firmave pranojnë se kanë dhënë rryshfete për të përfituar shërbimet qeveritare, sidomos në lidhje me pagesat në dogana, telekomunikacione, taksa dhe politikat fiskale, policisë dhe gjykatat.

“Një indikator tjetër i korrupsionit është se më shumë se 50 për qind e inspektorëve të doganave e shesin pozicionin e tyre”, bëhet e ditur në raport. Duket se nuk janë vetëm doganierët ata që bëjnë pazar me punën, por edhe institucionet e tjera vazhdimisht e shesin pozicionin e tyre, si inspektorët e taksave, gjyqtarët, policët, zyrtarët lokalë, ministrat etj.

70 për qind

ulje e ndërtimeve

50 kompani

pa punë në 2004

2800 ha tokë

studime urbanistike

Kërkesat e ndërtuesve

Krijimi i zonave të reja të ndërtimit në Tiranë

Shkurtimi i kohës për dhënien e një leje ndërtimi

Transparencë në miratimin e lejeve të ndërtimit

Përfundimi i studimeve urbanistike të qyteteve kryesore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›