E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vajza dhe nusja e shtëpisë,prej 10 vjetësh të zhdukura

15/05/2005  Gjurmët humbasin, vendndodhja enigmë

PEQIN - Mister mbetet historia që ka nisur në vitin 1994, në një nga familjet peqinase dhe vazhdon të dhembë edhe sot, kur kanë kaluar më sumë se 10 vjet.

Dy femra nga familja Dudia janë zhdukur brenda një viti, ndërsa gjurmët e tyre humbasin me kalimin e viteve dhe vendndodhja ende nuk është mësuar.

Zhdukja e dy grave

Violeta Dudia, vajza e kësaj shtëpie, në atë kohë 19 vjeçe, sa po kishte mbaruar shkollën teknike të ndërtimit, zhduket pa lënë gjurmë gjatë kohës që ishte në punë. Familja Dudia vendos të denoncojë zhdukjen, por informacionet për gjetjen e saj munguan dhe policia, duke marrë në dorë kërkimet, nuk raportoi asnjëherë një informacion konkret për vajzën e zhdukur.

Nuk do të mjaftonte kaq për familjen Dudia, e cila në atë kohë karakterizohej nga kushte të vështira ekonomike. Një vit më pas, nusja e shtëpisë, Shqipja, nënë e 3 fëmijëve, largohet nga shtëpia. Shqipe Dudia ishte e papunë dhe ishte në shtëpi, por atë ditë, duke përfituar nga largimi i vjehrrit dhe vjehrrës së saj largohet duke braktisur tre fëmijët.

Pritja e gjatë

Askush nuk e pa që nga ajo ditë, e cila shënonte edhe plagën e dytë për familjen Dudia, këtë herë edhe për tre fëmijët e braktisur.

Sërish denoncim në polici dhe nga kjo kohë ka filluar një pritje e gjatë për dy prindërit e Violetës, të cilët u shndërruan në prindër edhe për 3 fëmijët, që duhet të rriteshin pa nënën e tyre. Asnjë detaj për ngjarjen, ndërsa thashethemet fluturonin në të gjithë qytetin për trafikimin e dy femrave të kësaj familjeje.

E vetmja provë, që i bëri familjarët të besonin se e bija ishte gjallë, kishte lidhje me një fotografi nga Shën Pjetri i Vatikanit.

Një foto pak e sfumuar, por që tregonte qartë se Violeta ndodhej në Itali, ku kishte dalë me shoqen e saj 6 muaj më pas. Kjo fotografi u gjet te porta dhe nuk u mësua kurrë kush e solli, ndërsa dy prindërit e Violetës e mbajnë me fanatizëm si një shpresë për vajzën e tyre, duke menduar vetëm jetën e saj. Ndërkohë, nusja e shtëpisë, e zhdukur një vit më pas, mbeti një enigmë më vete dhe fëmijët filluan të harrojnë dalëngadalë edhe fytyrën e nënës së tyre, ndërsa gjyshja, Havaja, është kujdesur gjatë gjithë kohës që ata të shkojnë në shkollë dhe të mos e ndjejnë shumë mungesën e nënës së tyre. Halimi, Drilana dhe Iliri kanë kaluar 10 vjet që nga zhdukja e nënës së tyre dhe prindi për ta ka qenë gjyshja.

Babai pas zhdukjes së gruas braktis fëmijët

Gjyshja rrit tre “jetimët”

pas zhdukjes së nuses

Nënë Havaja ka sakrifikuar shumë për të rritur dy nipërit dhe mbesën e saj.

“Nëna e tyre i braktisi 10 vjet më parë dhe nuk u bë më e gjallë”, shprehet ajo, duke kërkuar që për nusen e shtëpisë të ndërtojë një histori, e cila është shpërndarë në të gjithë qytetin.

Trafikimi i gruas dhe prostituimi i saj në Itali është brejtja e familjes Dudia, por sidomos e tre fëmijëve, të cilët përballen çdo ditë me opinionin, edhe pse nëna e tyre është cilësuar si viktimë e trafikantëve. Havaja nuk i ka kërkuar asnjëherë fëmijëve që të harrojnë nënën e tyre, por 10 vite kanë bërë punën e tyre dhe ata nuk flasin asnjë fjalë për Shqipen e zhdukur.

Opinioni e ka vlerësuar në mënyra të ndryshme këtë ngjarje, po ashtu edhe familjen Dudia, aq sa është përfolur edhe trafiku me dëshirën e këtyre të fundit, por përpjekjet për të gjetur dy të zhdukurat kanë hedhur poshtë zërat e shpërndarë.

Ndërsa babai i natyral i tre jetimëve ka krijuar gjatë kësaj kohe familjen e tij, ata u rritën me gjyshërit, të cilët nuk reshtën së kërkuari edhe të vërtetën mbi dy femrat e zhdukura brenda një viti të kësaj familjeje.

Denoncon Skënder Dudia, babai dhe vjehrri i të zhdukurave

“Policia trafikoi vajzën dhe nusen e djalit tim”

Pasi ka bërë të gjithë përpjekjet, duke u endur në dyert e policisë dhe Ministrisë së Rendit, Skënder Dudia, i zoti i shtëpisë, ka pritur më kot një përgjigje për gjetjen e dy femrave të zhdukura nga familja e tij.

Në një intervistë për gazetën “Metropol”, ai ka vendosur së fundi të bëjë akuza publike kundër policisë dhe vetë ministrit të Rendit për neglizhencë dhe indiferentizëm.

Ku bazohen akuzat ndaj policisë për trafikimin e familjarëve tuaj?

Unë nuk kam vetëm akuza ndaj policisë, por edhe emra konkret të personave të përfshirë në zhdukjen e vajzës dhe nuses së djalit tim. Përfshirja e tyre dihet nga të gjithë këtu, por edhe pse kam shkuar deri në Ministrinë e Rendit, zëri im nuk është dëgjuar. Kam bërë disa herë kërkesë për të takuar ministrin, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Policia bashkëpunon me trafikantë dhe trafikon njerëz dhe Ministria e Rendit hesht. Kjo është anormale. Një efektiv policie në komisariatin e Peqinit vazhdon të jetë në detyrë, edhe pse akuzat ndaj tij për bashkëpunim me trafikantët janë të vërtetuara. Nuk më mbetet tjetër veç të akuzoj ministrin Igli Toska për mosdenoncim të kriminelëve dhe të betohem se do të bëj fushatë kundër tij.

Cili ka qenë lajmi më i fundit që keni marrë për dy të zhdukurat?

Për vajzën u bënë më shumë se 10 vjet që nuk kam mësuar asgjë, aq sa frika e vdekjes së saj na pushton gjithmonë në familje. Veç një fotografie nga Italia, 6 muaj pas zhdukjes, nuk kemi asgjë tjetër me çfarë të ngushëllohemi për jetën e saj. Ndërsa për nusen, 2 muaj më parë kam mësuar se është siguruar me një pasaportë në komisariatin e Lushnjës. Ky fakt ka bërë që edhe më tepër të mendoj për përfshirjen e policisë, pasi pasaporta e siguruar është ndryshuar edhe në gjeneralitetet e saj si beqare. Dalja e kësaj pasaporte, pa praninë e njeriut që e kërkon, hedh sërish dyshime për përfshirjen e policisë në këtë ngjarje. Për këtë, unë kërkova pranë komisariatit të Lushnjës për të vërtetuar nëse kjo pasaportë është tërhequr, por drejtuesit e këtij komisariati nuk më janë përgjigjur kur kanë kaluar dy muaj.

Sipas jush, përfshirja e policisë e bën më të vështirë gjetjen e vajzës suaj?

Përfshirja e policëve e ka bërë më të vështirë gjetjen, pasi pengohen edhe hetimet nga personat e inkriminuar, për të cilët kam edhe emra. Sa herë që kam shkuar në polici për të marrë vesh ndonjë të re, drejtuesit kanë heshtuar dhe kjo e ka vështirësuar edhe më tepër kërkimin për të mësuar të vërtetën. Nuk e di nëse është gjallë, vajza ime dhe nëse do të kthehej nuk do ta pranoja pranë familjes, por si një prind më bren zhdukja e saj. Për 10 vjet kam kërkuar në heshtje që të mësoj diçka, por shteti jo vetëm që nuk ka mbrojtur fëmijën tim, por edhe e ka favorizuar trafikantët. E kam të vështirë të them se ka ende shpresa për ta gjetur gjallë, pasi nuk e di ku ka përfunduar, por shpresoj që gjërat të ndryshojnë dhe të paktën të vihen para drejtësisë fajtorët dhe të mësohet e vërteta.

Të zhdukurat

Violeta Dudia lindur më 1973 në Peqin, beqare, teknike ndërtimi pranë një kantjeri. E shpallur e humbur nga familja, pasi nuk ishte kthyer nga puna në maj të vitit 1994

Shqipe Dudia lindur 1971 në Lushnjë, e martuar me 3 fëmijë, e papunë. E shpallur e humbur nga bashkëshorti i saj, pasi ishte larguar nga shtëpia në qershor të vitit 1995.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›