E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e ftohta, kujdes artritin me bazë infeksioni

 

AIDA MALAJ

Streptokoku beta hemolitik, por dhe mikrobe të tjera patogjenë, janë shkaktarët e shfaqjes së artritit infeksioz. Kjo lloj sëmundjeje reumatizmale është e pranishme gjatë gjithë vitit, por për mjekët gjatë stinës së ftohtë duhet të tregohet një kujdes shumë i madh, pasi gjatë kësaj periudhe krijohet terren më i përshtatshëm për shfaqjen e sëmundjes. Tonsilitet (bajamet) por dhe gjendjet gripale, krijojnë kushte “ideale” për shfaqjen e sëmundjes, që zakonisht prek më tepër fëmijët. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjekja reumatologe Aida Nica, shpjegon se çfarë mund të bëhet dhe si mund të parandalohet kjo sëmundje:
Doktoreshë, është e vërtetë se gjatë dimrit shtohen rastet e artritit infeksioz?
Në të vërtetë artriti infeksioz është një sëmundje që mund të jetë e pranishme gjatë gjithë vitit, veçse vihet re se “pikun” e arrin gjatë muaj shtator-tetor, dhe në pranverë. Veçse shkaktarët e saj, ku më kryesori është streptokoku beta hemolitik, apo dhe tonsilitet (bajamet) që janë disi më të shpeshta gjatë kësaj periudhe, ndikojnë që të ketë një numër më të lartë të rasteve gjatë sezonit të dimrit.
Si shfaqet sëmundja?
Ky tip artriti prek njëlloj të gjitha artikulacionet e trupit. Fillimisht shfaqet temperatura e lartë, që mund të shkojë deri në 40 gradë. Më pas shfaqen ënjtje, skuqje, temperaturë e kyçit që preket nga sëmundja. I sëmuri mund të ketë dhimbje të forta dhe nuk mund të lëvizë dot kyçin. Kyçet që mund të preken janë: gjunjtë, bërrylat, shpatullat, artikulacionet e duarëve dhe rrallëherë koloni.
Kush preket më shpesh nga sëmundja?
Zakonisht prek personat që sëmuren shpesh nga bajamet, ata që kanë rezistencë të ulët imunitare. Përsa i përket grupmoshave, gati të gjithë riskojnë, por më të predispozuar janë moshat e vogla, sidomos 5-15 vjeç.
Si është ecuria e sëmundjes?
Nëse nuk trajtohet në kohë, mund të ndodhë që infeksioni që ndodhet në kyç, nëpërmjet gjakut dhe sistemit limfatik, të zhvendoset në zemër dhe të shfaqë komplikacione të rënda, që shpesh çon deri në invalidizim të pacientit. Ndërlikimet mund të prekin rrallë herë dhe trurin, por kohët e fundit, këto janë të rralla, sepse sëmundja trajtohet shpejt.Por nëse trajtohet në kohë, kurohet mjaft mirë dhe është një pathologji plotësisht e shërueshme. Ndërsa rastet që shfaqin komplikacione, kërkojnë trajtim më të gjatë dhe sipas pasojave që shfaqin.
A mund të parandalohet kjo sëmundje?
Duke qenë së origjina e sëmundjes gjendet në mjaft faktorë,  parandalimi konsiston në marrjen e një sërë masash të përgjithshme. Kështu këshillohet të tregohet kujdes për t’u mbrojtur nga tonsilitet (bajamet) dhe infeksionet e tjerë me natyrë virale. Tani që është periudha e dimrit, duhet treguar kujdes ndaj të ftohtit, virozave që qarkullojnë dhe trajtim serioz i çdo ndërlikimi të mundshëm të virozave. Duhet treguar kujdes ne higjenën e gojës, trajtimin e problemeve me dhëmballët, dhe duhet bërë kultura e fytit, për të kapur në kohë praninë e streptokokut, ë është shkaku kryesor i sëmundjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›