E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro për 10 minuta “çmend” Qipron

 

Klodian Duro, mesfushori i Kombëtares shqiptare, është rikthyer në ditët e tij më të mira. Ai ka shkëlqyer dje në kampionatin qipriot me Omonia Nikosian, teksa ka shënuar tre gola në fitoren 4-1 të ekipit të tij përballë skuadrës A.P.O.K. Duro ka qenë padyshim heroi i ndeshjes së djeshme, teksa i vetëm i ka dhënë fitoren ekipit të tij. Shqiptari ka shënuar tre gola në harkun e 10 minutave 80’ (pen), 89’ dhe 90’, duke zgjidhur ndeshjen, e cila deri në atë moment ishte në barazim 1-1. Media vendëse e ka cilësuar paraqitjen e Duros një “çmenduri” të vërtetë, pasi gjatë këtij sezoni askush te ekipi i Omonias nuk kishte mundur të realizonte tre gola në një takim. Fitorja ishte tepër e rëndësishme, pasi skuadra e Duros arriti të ruante kryesimin në kampionat. “Jam i kënaqur për fitoren e skuadrës në radhë të parë dhe më pas për golat që shënova. Jam në formë, jo vetëm unë, por i gjithë ekipi dhe kjo shpjegon gjithçka”, - është shprehur 31-vjeçari. Omonia Nikosia kryeson kampionatin qipriot me 33 pikë të grumbulluara në 13 javë dhe cilësohet një nga favoritet për të fituar titullin kampion në fund të sezonit. Duro është shndërruar në një pedanë të rëndësishme. Ndërkohë, skuadra e Arjan Beqajt, Anorthosis Famagusta, mundi dje me rezultatin 1-0 ekipin e Isli Hidit, Alki Larnakën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›