E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Plan shpëtimi prej një mijë miliardësh

 

Paketa e presidentit Barak Obama për të dalë nga kriza ekonomike, sipas bisedimeve me këshilltarët e tij, mund të përmbajë për periudhën dyvjeçare në vijim, një propozim prej një mijë miliardë dollarësh. Lajmin e publikoi e përditshmja “Wall Street Journal”. Paraprakisht flitej për një paketë shpëtimi me shumën prej 600 milionë dollarë, por me kalimin e ditëve dhe me rëndimin e krizës ekonomike, me shtimin e numrit të kompanive të rëndësishme për industrinë amerikane që shkojnë pranë falimentimit, stimuli i studiuar nga këshilltarët ekonomikë të Obamës është rritur ndjeshëm. Ekspertët e skuadrës së ardhshme presidenciale po punojnë për të arritur një plan të plotë antikrizë, ndërkohë që vendi po turbullohet nga lëkundjet financiare. Kështu për ta, nëse gjendja vazhdon të rëndohet me këtë ritëm, në Shtetet e Bashkuara për dy vitet e ardhshme do të duhet të miratohet një paketë shpëtimi mes 700 deri 1 000 miliardë dollarë. Një nga premtimet e Obamës ndërkohë që mori presidencën e Shteteve të Bashkuara ishte gjetja e menjëhershme e një plani për të rilindur ekonominë amerikane, ku parashikohet edhe një program i ngjeshur veprash publike, sapo të vendoset në Shtëpinë e Bardhë, duke nisur nga 20 janari i vitit të ardhshëm. Kësaj shifre i duhet shtuar edhe shuma prej 700 miliardë dollarësh e miratuar pas propozimit të administratës Bush për shpëtimin e “Wall Street”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›