Ilion Lika gati të marrë pasaportë çeçene
Ka mbyllur debutimin e tij sezonal me skuadrën çeçene Terek të Groznit e tashmë është me pushime në Shqipëri, ku për të ruajtur një gjendje të mirë fizike, stërvitet në kompleksin “Skënder Halili” së bashku me skuadrën e Tiranës. Për “Panorama”, Lika dha një intervistë në të cilën komentoi ecurinë e tij dhe të skuadrës ku luan në kampionatin rus, raportet me vendësit dhe me skuadrat e tjera të këtij kampionati, marrëdhëniet që ka me drejtuesit e klubit çeçen, pa harruar të komentojë edhe ecurinë e kampionatit shqiptar, për ta mbyllur me “kunjat” për FSHF-në, që s’po i jep mundësi në kombëtare.
Lika te Tirana? Përkohësisht apo vetëm për stërvitje?
Sigurisht që vetëm për stërvitje. Kam folur me drejtuesit e klubit bardheblu që të stërvitem për disa ditë këtu, deri sa unë të nisem për te skuadra ime e Terekut.
Si po ecën Lika në kampionatin rus?
Është mbyllur sezoni dhe mund të them se zhvilluam një kampionat të fortë e të bukur. Skuadra ime u ngjit për herë të parë në Kategorinë e Parë ruse dhe arriti të klasifikohet e 10-ta ndër 16 skuadra. Por për klubin tonë qëndrimi në kategori ishte një sukses i madh dhe një pjesë të madhe të suksesit ma atribuuan mua.
Thuhet se presidenti i klubit ku ju militoni ka besim të madh te ju dhe shpesh ju ka bërë dhurata....
Po, është shumë e vërtetë. Presidenti madje më mundësoi dhe pushime në Dubai. Ishim bashkë atje dhe kemi biseduar dhe për të ardhmen time.
Çfarë konkretisht?
Ai dëshiron që unë të bëhem shtetas i Çeçenisë, duke më propozuar të marr pasaportën çeçene. Ai dëshiron që unë të jem përherë te klubi i Terekut dhe të jem i sinqertë në këtë skuadër kam kaluar një periudhë të shkëlqyer.
Në të vërtetë do të pranoni të merrni pasaportë çeçene?
S’e kam vendosur ende dhe sinqerisht që kjo nuk mund të vendoset lehtë. Atje ndihem shumë mirë, por është e tepërt të thuash tani se do të bëhem shtetas i Çeçenisë. Megjithatë dashamirësia e presidentit ndaj meje është vërtet mbresëlënëse dhe mua më ka bërë përshtypje të madhe respekti që kanë të gjithë në Çeçeni për mua.
A e keni ndjekur gjatë kësaj kohe kampionatin shqiptar? Si ju duket ai?
Nuk kam pasur kohën e mjaftueshme dhe kjo kuptohet. Por në vija të trasha mund të them se kampionati i sivjetshëm është më me rivalitet dhe ka ekipe që luftojnë fort. Për mendimin tim, Tirana dhe Vllaznia shfaqen si më bindëse për titullin. Shkodranët më duken më të vendosur dhe të qëndrueshëm në lojë e rezultat, ndërsa Tirana ka pasur oscilacione. Sidoqoftë, gara mendoj se do të përmbyllet me një betejë për titullin midis këtyre dy skuadrave. Dinamoja ime s’po më lë mbresa, madje më duket ekip mediokër, që ka humbur shumë nga vitet e shkuara, pasi i nuk ka grup të mirë lojtarësh.
Pra, Dinamon nuk e shihni si pretendente?
Aspak, madje më duket se kanë nevojë për përforcime në merkaton e janarit. Tirana e Vllaznia duken ekipe të konsoliduara dhe gjykoj se titulli do të ndahet midis tyre.
Ilion Lika ka luajtur me Kombëtaren, por tani....
Ilion Lika nuk heq dorë për të bërë gjithçka mundet të kthehet titullar i ekipit kombëtar. Sigurisht që unë e respektoj dhe vlerësoj si Beqajn edhe Hidin, dy rivalët e mi për titullarin e portës, por që të shprehem ndryshe më mbetet të them “Lika është i dëmtuar, gjithmonë i dëmtuar...”.
Së fundi? Mos vallë Tereku është më mirë për ty, se sa një klub tjetër evropian?
Te Tereku kam gjetur një rehati të madhe dhe unë ndihem i lumtur. Më kanë plotësuar të gjitha kushtet dha s’ka arsye të mos e pranoj ofertën e tyre edhe në këtë sezon. Sidoqoftë, kam kohë 20 ditë që të mendoj për të ardhmen e karrierës sime.