E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e nxehta rikthejnë pushuesit në bregdet

Me dhjetëra pushues kanë zgjedhur t’i kalojnë këto ditë të nxehta të nëntorit në bregdetin e Durrësit, Shëngjinit por dhe në atë të Vlorës. Sinoptikanët parashikojnë ulje të temperaturave javën që vjen. 

DURRËS - Ditët e nxehta që vazhdon të ofrojë moti edhe në muajin nëntor ka bërë që me dhjetëra pushues fundjavën ta kalojnë pranë bregdetit. Edhe pse zyrtarisht sezoni veror është mbyllur bregdeti i Vlorës dhe i Durrësit si rrallë ndonjëherë në stinën e vjeshtës nuk e njeh braktisjen e pushuesve. Pushues të të gjitha moshave në ditët e para të nëntorit rikujtojnë edhe një herë stinën e verës madje edhe duke u larë në ujërat e Jonit dhe Adriatikut.

Deti është mbreti ku lindja dhe perëndimi i diellit pushuesit i gjen në një atmosferë të gëzueshme përmes shoqërisë së njeri-tjetrit. Sot në bregdetin e Durrësit një pjesë e mirë e pushuesve i janë falur me not detit, ndërsa me dhjetëra të tjerë kanë zgjedhur shëtitje të gjata në breg duke shijuar zhurmën e valëve të cilat janë bërë refreni i këtyre ditëve të ngrohta të nëntorit.

Ndërkohë sinoptikanët parashikojnë se nga dita e dielë dhe deri ditën e enjte të javës që vjen, temperaturat do të ulen me 2 deri në 3 gradë celsius. Ndërsa e premtja do të shoqërohet me reshje të bollshme shiu që do të sjellin edhe uljen e mëtejshme të temperaturave për t’i dhënë fund të nxehtit jo fort të zakonshëm në këtë sezon.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›