E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ditët e punës në burg të njihen për ulje dënimi"

TIRANE - Avokati i Popullit i kërkoi Kryeprokurores Ina Rama të anulojë një urdhër të dhënë nga paraardhësi i saj Sollaku, i cili ndalonte konvertimin e ditëve të punës së personave të burgosur në dënim. 

Gjashtë vite më parë, Sollaku kishte urdhëruar vartësit e tij në prokuroritë e rretheve të mos lejonin uljen e dënimit të personave të shpallur fajtorë për shkak të punësimit të tyre në burg. Sollaku i kishte urdhëruar prokuroritë e rretheve që të dërgonin shkresa në burgje dhe të ankimonin në gjykatë çdo rast, kur personave të shpallur fajtorë për vepra penale u ulej dënim si përllogaritje e kohës gjatë të cilës ata kishin punuar në burg. Ky urdhër i vitit 2002 është bërë shkak për dhjetëra ankesa të depozituara në Zyrën e Avokatit të Popullit në Tiranë. I cili është vënë në lëvizje për të verifikuar këtë çështje pas ankesave të shumta të qytetarëve. "Ankesat kanë të bëjnë me urdhrin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm nr. 3223 datë 08.10.2004, i cili është zbatuar vetëm për të dënuarit që vuajnë dënimin në burgun e Burrelit. Për këtë çështje ne kemi patur ankesa nga dy të dënuar në vitin 2005. Ankesën e tyre e kemi konsideruar të drejtë dhe kemi bërë rekomandimin me nr. K2/Z1-14 datë 03.02.2006. "Për rregullimin e çështjes së uljes së dënimit  për të dënuarit që punojnë në burgje dhe marrjen e masave për korrigjimin e aktit të nxjerrë nga Prokurori i Përgjithshëm me shkresën nr. 3223 datë 08.10.2004, dërguar prokurorive në rrethe", thuhet në letrën që Avokati i Popullit i ka dërguar Ina Ramës, si autoriteti institucional që mund të shfuqizojë urdhrin e dhënë nga paraardhësi i saj. Në letër citohet më tej se, të dënuarit Zef Frisku dhe Gjergj Rica, ashtu si edhe ankuesi Bahri Fishiku kanë punuar në mjediset brenda burgut. "Ata kryejnë punë të tilla si punonjës të bibliotekës, mirëmbajtës, berber, kuzhinier, shpërndarës ushqimi, bojaxhi dhe pastrues. Punë të tilla kryejnë dhe të paraburgosurit që ndodhen në institucionet e paraburgimit. Kjo e drejtë është parashikuar në nenin 63, i cili bën fjalë për "Punësimin", përcaktuar në Rregulloren e Paraburgimit. (Miratuar me urdhrin e ministrit të Drejtësisë nr. 3705/1 prot. datë 11.05.2006. "Për miratimin e Rregullores së Paraburgimit")", vijon më tej letra e Dobjanit për Ina Ramën. Në letër shtohet se, urdhri tashmë është i gabuar dhe se ai po cenon të drejtën e shumë të burgosurve që kërkojnë t'u njihen ditët e punës për efekt të shlyerjes së dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›