E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, deputetët duan bojkot, Rama kundër

Kryetari i PS-së, Edi Rama kërkon mos bojkotim të parlamentit për sherrin... 

BLEDAR HOTI

... e krijuar në seancën e parmbrëmshme në Parlament, duke deklaruar se nuk është koha për zhvillimin e një opozite radikale. Grupi parlamentar i PS-së është mbledhur dje në ora 11:00 për të diskutuar në lidhje me qëndrimin, që duhet të mbajë opozita pas tensionit të krijuar në sallë mes deputetit socialist Taulant Balla dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në mbledhjen e grupit të PS-së nga deputetët e ndryshëm si Bashkim Fino dhe Qemal Minxhozi është kërkuar bojkotimi i Parlamentit për dy javë si shenjë proteste ndaj mbledhjes së ditës së hënë. Socialistët në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar kanë qenë me dy qëndrime të ndryshme, në lidhje me idenë e hedhur për bojkotimin e punimeve të Kuvendit për këto dy javë që kanë mbetur, të cilat shihen edhe si vendimtare, pasi do të votohet kodi ri Elektoral dhe dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kryetari i PS-së, Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm, që në fillim të mbledhjes. Ai ka qenë prezent në momentin, kur janë hedhur më tepër tezat e qëndrimeve, ku mendimi për të bojkotuar Parlamentin ka fituar disi terren më shumë. Socialisti Fino ka qenë i mendimit që të gjendet mënyra për të bojkotuar Kuvendin këto dy javë. Pro qëndrimeve për bojkot mësohet se kanë qenë edhe Dade dhe Xhafaj. Ndërsa, nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, sipas burimeve në mbledhje, mësohet se ka deklaruar se “sulme të tilla të bëra nga Kryeministri dhe maxhoranca nuk janë normale, por këto janë dhe provokime për të shpërbërë grupin e PS-së”. Braçe ka kërkuar më pas, që Taulant Balla të bëjë një kallëzim penal ndaj Kryeministrit Berisha për shpifjet dhe kanosje e bërë në adresë të tij. Edi Rama ka marrë fjalën i fundit, pasi ka preferuar që të dëgjojë të gjitha qëndrimet e deputetëve të grupit parlamentar të PS-së. Ai ka dalë më pas kundër qëndrimeve për bojkotimin e punimeve të Kuvendit, duke e cilësuar si të dëmshme për partinë e tij. “Nëse do të ishim pas një viti, atëherë do t’ia vlente që të bojkotonim Parlamentin, pasi do ishin dhe në prag të zgjedhjeve. Në rast se do ishte sesioni i fundit do mbanim një qëndrim radikal. Kjo tani është e pamundur. Sa më shumë ndryshime të ketë mes nesh dhe maxhorancës është më mirë për ne”, mësohet të ketë deklaruar Edi Rama në mbledhje. Kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi ka deklaruar më pas se duhet të merret me ndërkombëtarizimin e çështjes, të bërjes publike të sulmimeve të Kryeministrit ndaj deputeteve të opozitës. Ndërsa, vetë Balla ka qenë kundër bojkotit të seancave të tjera parlamentare.

Batutat në mbledhje

Erjon Braçe: Që nuk është asgjë normale, madje këto janë provokime për të na shpërbërë, i kam propozuar Ballës që të bëjë kallëzim penal për kanosje

Arta Dade: Është si grusht shteti, të thotë kapeni për zhelesh dhe vagabond. Garda praktikisht nuk ka zbatuar urdhrin e saj se do e kishte nxjerrë jashtë Taulantin. Herë tjetër pas orës 12:00 nuk rri asnjë minutë në seancë, kam qenë dhe e sëmurë e kam ardhur për të respektuar ty Vali. Atje s’vete më se dhunohesh

Taulant Balla: Po të ikim nga Parlamenti i bëjmë nder Saliut që opozita iku! Miqësisht kërkoj që për 5 minutëshin herën tjetër të kërkohet se pse jam larguar. Po të largohemi në momentin kur ai bën ndryshime në qeveri është një komfort ndaj tij.

Edi Rama: “Në rast se do ishte sesioni i fundit do mbanim një qëndrim radikal. Kjo është e pamundur. Sa më shumë ndryshime të ketë mes nesh dhe maxhorancës është më mirë për ne”.

Leskaj: Shteti të mbrojë jetën e Ballës

Partia Socialiste i kërkoi institucioneve të shtetit të marrin në mbrojtje deputetin e saj, Taulant Balla pas sherrit të ndodhur në seancën parlamentare. “Institucionet që i ngarkon ligji, i drejtohem për marrjen në mbrojtje të deputetit të kërcënuar direkt nga Kryeministri. Është e turpshme ajo që ka ndodhur dje, është dhe më e turpshme ajo që ka ndodhur sot në mbledhjen e Byrosë së Parlamentit, ku nuk janë dënuar dhunuesit por i dhunuari”, deklaroi kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Pas mbledhjes, Leskaj në deklaratën e saj theksoi se “Grupi i PS-së PS ka bindjen se grahmat e fundit të politikës së vjetër, të urrejtjes e të goditjes primitive të kundërshtarit, do të rrisin vetëdijen qytetare e politike të të gjithë shqiptarëve për domosdoshmërinë e një ndryshimi të madh në drejtimin e vendit, i cili nuk duhet dhe nuk do të jetë më peng i një personazhi të vjetër të së shkuarës si Sali Berisha, që turpëron Shqipërinë e shqiptarët e shekullit të XXI”. Ajo theksoi më pas se, “si deputete ndjehem e fyer dhe e kërcënuar në dinjitetin e në qenien time nga Kryeministri, i cili mbrëmë shfaqi, jo vetëm mungesën e plotë të respektit për ta, po më shumë se kaq, mungesën e plotë të kontrollit mbi instinktet primitive të urrejtjes dhe të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve”. 

“PS të mos mbrojë dhunuesit”

Grupi Parlamentar i PD-së dënoi dje veprimet e deputetit socialist, Taulant Balla. Gjatë një konference për shtyp, deputeti demokrat Aldo Bumçi, e cilësoi këtë veprim të kolegut të tij, Balla, si një akt të paprecedent. “Deputeti Balla, në mënyrë të përsëritur ka tentuar të dhunojë rregulloren e Kuvendit, duke u përpjekur që të bllokojë seanca të rëndësishme gjatë këtyre 3 viteve”, tha deputeti Bumçi. PD ftoi grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe Kryetarin e saj, që të mos mbrojnë asnjë provokator dhe dhunues të rregullores dhe të etikës së Kuvendit, por të distancohen qartë prej tyre, pasi në të kundërt do të provonin se të tilla ngjarje janë të inskenuara paraprakisht për qëllime të mbrapshta politike.

Fyerje e grushta në Kuvend

Seanca maratonë e Kuvendit për të diskutuar buxhetin ka degjeneruar në sherre dhe grushte mes deputetëve të maxhorancës dhe opo-zitës.

BLEDAR HOTI

Në orët e para të mëngjesit pas shtatë orë debatesh, deputeti i PS-së, Taulant Balla ka debatuar ashpër me Kryeministrin Sali Berisha aq sa nuk kanë munguar dhe fyerjet ndërmjet tyre. Shkak për këtë përplasje nuk qenë shifrat e buxhetit të shtetit, por familjet e dy deputetëve. Gjithçka ka nisur në momentin kur Balla kërkonte të fliste për buxhetin e shtetit. “Kryeministri ka një arsye pse iu desh të largohej sonte nga seanca, sepse i ka plasur konflikti në shtëpi. Meqenëse vajza e Sabri Godos po bëhet ministre e Shëndetësisë, atëherë edhe vajza e tij, tani mund të bëhet ministre apo edhe kryeministre”, deklaroi Balla. Ndërsa, Kryeministri Berisha e ka dëgjuar nga ambientet e brendshme të godinës së seancave plenare, dhe i është drejtuar “po jot ëmë dhe jot motër, ç’do të bëhen”. Më pas për disa minuta ka pasur shkëmbime replikash mes Ballës dhe Kryeministrit Berisha, të cilat kanë qenë jashtë normales e tepër të acaruara. Pas kësaj ka ndërhyrë kryetarja e Kuvendit, e cila ka kërkuar që Balla të mos fliste më dhe të mos acaronte më tepër situatën. Topalli ka kërkuar që punonjësit e shërbimit të brendshëm të Gardës të nxirrnin Ballën përjashta, por menjëherë janë çuar në këmbë deputetët e së djathtës, Edi Paloka, Aurel Bylykbashi dhe Rahim Kaleci. Paloka e ka shtyrë Ballën, ndërsa menjëherë nga podiumi janë ngritur deputetët socialistë, ku i pari prej tyre ka qenë Andis Harasani. Ai i ka kërkuar Palokës që të mos shtynte Ballën. Më pas të gjithë punonjësit e Gardës kanë rrethuar pjesën e qeverisë, ku ndodhej Kryeministri dhe Balla. Berisha i është drejtuar më pas Ballës, që të mos merrej me familjen e tij sa herë që ai flet në Parlament. Topalli ka kërkuar me insistim që punonjësit e Gardës të nxirrnin jashtë nga Kuvendi deputetin socialist. “Kape nxjerre jashtë atë vagabond, ik andej dil jashtë dhe nuk hyn ma në Parlament. Vagabond ik anej, dil jashtë”, deklaroi Topalli, ndërsa urdhëroi ndërprerjen seancës parlamentare. Por edhe pse ajo ka urdhëruar një gjë të tillë, deputetët e PD-së, Bylykbashi, Kaleci dhe Paloka nuk kanë ngurruar që të konfrontoheshin fizikisht me deputetin socialist. Sipas Ballës, “në momentin e acarimit të situatës jepet urdhri për largimin e kamerave nga salla. Menjëherë pas kësaj, deputetët e PD-së bëhen edhe më agresive ku thyen kordonin e gardistëve dhe u orvatën të më godisnin. Kryetarja Jozefina urdhëroi oficerët e Gardës jo të më mbronin, por të më merrnin e të më nxirrnin jashtë. Në këtë moment vendosëm si deputetë të largohemi të gjithë nga salla”. Pas kësaj ngjarjeje mësohet se të gjithë deputetët e opozitës, së bashku me Ballën, kanë lënë sallën në shenjë proteste, duke bërë që të jenë vetëm deputetët e maxhorancës në sallën e Kuvendit. Pas kësaj, seanca ka vazhduar normalisht vetëm me deputetët e PD-së dhe me aleatët e tyre, duke realizuar më pas procesin e votimit të projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës së bashku me buxhetin shtesë. Votimi në parim i buxhetit të shtetit kaloi në seancën e Kuvendit me 74 vota pro, ndërsa katër vota kanë qenë abstenuese.

pjese nga debati

Taulant Balla: Kryeministri ka një arsye pse iu desh të largohej sonte nga seanca, sepse i ka plasur konflikti në shtëpi. Meqenëse vajza e Sabri Godos po bëhet ministre e Shëndetësisë, atëherë edhe vajza e tij tani mund të bëhet ministre apo edhe kryeministre.

Sali Berisha: Jot ëmë dhe jot motër çdo bëhen...

Taulant Balla: Nuk e di

Sali Berisha: Nuk e di çfarë do të bëhet jot motër, çfarë do të bëhet, ke tre vjet që më përmend familjen

Taulant Balla: Ej je në terezi ti, por si s’të vjen trupi

Jozefina Topalli: Ulu zoti Balla ulu, në fakt ky e meriton me e kap prej zhelesh e jashtë

Sali Berisha: Jot motër do behët prostitutë motelesh. Këtë shiko e mos më trego mua familjen

Taulant Balla: Ore je në terezi ti apo jo, budalla je ti, mos e zgjat më shumë se po e tepron

Jozefina Topalli: Kape nxjerre jashtë atë vagabond, ik andej dil jashtë dhe nuk hyn ma në parlament. Vagabond ik anej, dil jashtë. Ndërpritet seanca, ai zotëri del përjashta dher nuk hyn më

Ilir Meta
“Duhej të dënohej edhe Berisha”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka reaguar ashpër dje, një ditë pas sherrit në kuvend mes deputetit të PS-së, Taulant Balla dhe Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për mediat, Meta tha se vendimi i byrosë për të dënuar vetëm deputetin socialist është i njëanshëm. “Byroja duhet të dënonte edhe Berishën për fjalorin e përdorur ndaj Taulant Ballës”, u shpreh Meta. Gjatë konferencës për shtyp, ku ka kritikuar ashpër buxhetin suplementar, Meta tha se: “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj të distancohem edhe një herë sot nga sjellja e turpshme dhe e pacipë e Kryeministrit Berisha dje, gjatë prezantimit të buxhetit suplementar në Parlament, i cili jo vetëm që nuk përfaqëson suksese dhe arritje, të cilat po i bëjnë çdo ditë e më të lumtur shqiptarët në shtëpitë e tyre dhe në ekonominë e tyre familjare, por përkundrazi, një buxhet, i cili është shprehje e një qeverisje të paaftë, të dështuar dhe shtatanike”. Pas rreth tetë orësh debat në kuvend lidhur me buxhetin suplementar rreth orës 02:00 pas mesnate, deputeti socialist Taulant Balla është konfliktuar ashpër me Kryeministrin Berisha, pas deklaratës së deputetit të PS-së se, edhe vajza e Kryeministrit do të bëhet ministre.

Byroja pezullon 15 ditë Ballën, Peçi voton kundër

Byroja e Kuvendit ka ndëshkuar deputetin Taulant Balla për 15 ditë mosmarrje pjesë në seancën parlamentare, duke ia ndërprerë dhe rrogën. Ky ka qenë vendimi i marrë nga ana e Byrosë, ku nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e opozitës, por vetëm nga ana e maxhorancës. Byroja, e cila drejtohet nga ana e kryeparlamentares Jozefina Topalli ia ka hedhur fajin Ballës për incidentin e krijuar, duke e fajësuar për mosbindjen e urdhrit të dhënë gjatë seancës. Në mbledhje morën pjesë Topalli, Beja, Çoba, Madhi dhe Peçi. Vendimi për përjashtimin e Ballës është marrë me katër vota pro dhe një kundër. Deputeti i PBDNJ-së, Peçi votoi kundër pezullimit të deputetit socialist. “Deputeti Taulant Balla, gjatë Seancës Plenare të datës 21.7.2008 është sjellë në mënyrë të padenjë dhe të përsëritur, duke përdorur gjuhë ofenduese e provokacione të ulëta, duke shkaktuar rrëmujë në sallën e Seancës Plenare e për rrjedhojë, duke krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit së Parlamentit.

“Berisha, një adoleshent rrugicash”

Partia Demokracia Sociale ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur në seancën maratonë të së hënës. Për kreun e PDS-së, Paskal Milo këto përplasje të Kryeministrit janë të shpeshta që kanë ndodhur në seancat e Parlamentit. Sipas Milos, ky ishte një incident primitiv. “Është për të ardhur akoma më keq, kur shikon sjelljen e shëmtuar dhe primitive të Kryeministrit shqiptar, i cili nuk është hera parë që sillet në këtë mënyrë dhe humbet kontrollin. Kryeministri e lëshon gjuhën me një fjalor të tillë banal, saqë i ngjan një adoleshenti të papërgjegjshëm të rrugicave të përhumbura të qytetit të Tiranës”, deklaroi Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›