E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata pezullon mjekun Hoxhallari, operoi vajzën e vdekur nga bajamet

TIRANE - Mjeku Xhevahir Hoxhallari, i akuzuar si shkaktari i vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti, nuk do ushtrojë profesionin, derisa të ketë një vendim gjykate të formës së prerë për fajësinë apo pafajësinë e tij. 

Ky ishte vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së kryeqytetit, organ që tashmë e ka marrë të pandehur nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm mjekun pogradecar. Prokuroria e ka paraqitur kërkesën për vendosjen e masës shtrënguese te togat e zeza rreth dy javë më parë, por gjatë kësaj kohe nuk ka qenë e mundur që të zhvillohej seanca, pasi pala mbrojtëse pretendoi se nuk ishte njohur me konkluzionin e ekspertizës mjeko-ligjore, ku përcaktoheshin shkaqet e vdekjes së gjimnazistes së vitit të tretë Matilda Petriti. Avokati pretendoi se nuk ishte njohur me këtë dokument, i cili është në fakt prova kryesore mbi të cilin Prokuroria ka mbështetur kërkesën për pezullimin e mjekut nga detyra. Pas kësaj, gjykata vendosi të shtynte seancën gjyqësore për ditën e djeshme. 17-vjeçarja Matilda Petriti, nga Maliqi i Korçës, vdiq rreth një muaj më parë në QSUT, pas disa operacioneve të njëpasnjëshme në fyt. Ajo i ishte nënshtruar një operacioni për heqjen e bajameve në klinikën private të Hoxhallarit në qytetin Pogradecit. Por, sipas hetimit të Prokurorisë, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale mjeku i kishte dëmtuar asaj një nga venat kryesore të furnizimit të kokës me gjak. Edhe pse iu nënshtrua disa operacioneve të tjerë në Pogradec dhe QSUT, ajo humbi jetën si pasojë e hemorragjisë.              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›