Ditmir Bushati: “Mund të përfitojmë para vitit 2010 nëse ka vullnet”
Një prej negociatorëve kryesorë të MSA-së, sot drejtues i institutit “Agenda”, Ditmir Bushati, ka komentuar për “Albania”-n dokumentin e Plan-veprimit që i është dërguar Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Lidhur me monitorimin e BE-së për zbatimin e këtyre kushteve, Bushati është shprehur se “pavarësisht se BE-ja e ka bërë të qartë që ky do të jetë një proces individual ku vendet do të analizohen nga pikëpamja e meritës, është e vështirë nga pikëpamja institucionale të mendohet se Komisioni do të investojë Këshillin në amendimin e Rregullores për çdo vend specifik. Në analizën tonë, në skenarin më pozitiv, në rast se qeveria shqiptare do të avancojë me reformat e kërkuara, heqja e vizave mund të ndodhë brenda 2010-s". Më tej Bushati është shprehur se brenda qershorit do të prezantohet publikisht ky Plan-veprim. "Brenda Presidencës sllovene, pra brenda muajit qershor, Komisioni Europian do të prezantojë hartën e veprimit edhe për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjën duke qenë se një gjë të tillë ka bërë paraprakisht me Serbinë dhe Maqedoninë. Mbi bazën e hartës së veprimit Komisionit Europian ka mundësi të monitorojë gjithsecilin vend në rrugën drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara. Një element problematik i hartës së vizave që kemi analizuar në rastin e Serbisë e Maqedonisë e që pritet të jetë edhe në rastin e Shqipërisë, është fakti që shkalla aktuale e refuzimit të vizave “Shengen” ndaj qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë më shumë se 3%. Ky element është problematik pasi Shqipëria ka një shkallë refuzimi të vizave relativisht më të lartë se vendet e tjera të rajonit dhe disa herë më të lartë se 3%”, - ka deklaruar Bushati
28 Maj 2008